Shefqet Ndroqi, spitali universitar i kryeqytetit
Tre vjet më parë u hodh propozimi për ngritjen e spitalit rajonal të Tiranës, ndërkohë që inaugurimi i kësaj qendre pritet të realizohet në muajin qershor. Qendra spitalore do të jetë universitare dhe rivale e denjë e qendrës “Nënë Tereza”. Sipas projektit, spitali universitar i sëmundjeve të mushkërive do të kthehet në një qendër të madhe polivalente. Do të vazhdojë të japë shërbim të specializuar për mushkëritë, si dhe të trajtojë personat e prekur nga tuberkulozi, por, nga ana tjetër, do të ofrojë shërbimet më të kërkuara, njësoj si në spitalin “Nënë Tereza”.
“Shefqet Ndroqi”Për më pak se dy muaj një “pol” i dytë universitar do t’i ofrohet Tiranës. Në qershor pritet inaugurimi i rikonstruksionit të spitalit pulmonar “Shefqet Ndroqi”, i kthyer tashmë në një qendër spitalore universitare. Këtu veç sëmundjeve pulmonare do të kurohen edhe patologji të tjera. Në këtë periudhë do të fillojë funksionin edhe spitali i parë i nivelit europian pranë QSUT-së.
Të gjitha këto risi që pritet të realizohen brenda një kohe të shkurtër, janë konfirmuar nga vetë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili ka raportuar dje pranë Komisionit Parlamentar të çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. “Ky pol i ri universitar spitalor i ofrohet në mënyrë të veçantë qytetit të Tiranës, dekoncetron shërbimet dhe çliron QSUT nga fluksi i madh. Në këtë projekt ka një seri pajisjesh shumë cilësore që mbyllin ciklin e diagnostikës së plotë”, sqaroi ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ky spital universitar është konceptuar të ketë 300 shtretër, ku do të trajtohen një sërë sëmundjesh, si dhe do të jetë një qendër studimore shkencore. Spitali do të ketë shërbimin e pneumologjisë së bashku me tuberkulozin, mjekësinë interne, kardiologjinë së bashku me koronarografinë, kirurgjinë së bashku me kirurgjinë torakale. Po ashtu, në spitalin e Tiranës do të ofrohet shërbimi i urgjencës, i imazherisë, skaner, rezonancë, shintigrafi, laboratorë. Spitali do të ketë administratën, si dhe shërbimet mbështetëse. Ndërkaq, në komision kreu i Shëndetësisë ka njoftuar edhe për proceset nëpër të cilat do të kalojë qendra “Nënë Tereza”, në kohën kur pritet edhe inaugurimi i spitalit të kryeqytetit.
Ndërtimi i projektit “Nënë Tereza” është parashikuar të realizohet në disa faza. Faza e parë e këtij projekti ashtu edhe faza e dytë, do të përmirësojnë në mënyrë të dukshme cilësinë e ofrimit të shërbimit shëndetësor në këtë qendër universitare, duke bërë një riorganizim të shërbimeve dhe hapësirave spitalore në një nivel bashkëkohor. Ndërtimi i fazës së parë, me një fond prej 22 milionë USD, kredi e Bankës Europiane për Zhvillim dhe tjetra kontribut i qeverisë shqiptare, tashmë ka përfunduar dhe është në procesin e testimit për t’u marrë në dorëzim. Në katër katet e kësaj godine do të vendosen sterilizimi qendror, departamenti i imazherisë dhe diagnostika funksionale, të cilat do të mbulojnë gjithë nevojat e spitalit. Në këtë godinë do të vendoset departamenti i urgjencës me 18 shtretër, gjysmë intensive dhe për observim. Në këtë shërbim do të ketë 30 shtretër kirurgji e përgjithshme, 30 shtretër të mjekësisë interne. Janë parashikuar në godinë laboratorët dhe 15 shtretër reanimacioni, hematologjie dhe sallat e operacionit.
#