Petrovci rikthehet në Teatrin e Metropolit
Pas një cikli shfaqjesh, drama “Sonte jam vetëm” me regji të Enver Petrovcit rikthehet sot dhe nesër, ora 20.00, në Teatrin e Metropolit. është ‘Pranvera Frankofone’ që e sjell sërish shfaqjen për publikun e kryeqytetit. Drama “Sonte jam vetëm” është shkruar nga dramaturgu i njohur francez Andre-Pol Antoan. Me këtë pjesë, Enver Petrovci, i njohur për publikun shqiptar si aktor, u prezantua për herë të parë si regjisor. “Sonte jam vetëm” është një dramë për jetën dhe vetminë, interpretuar nga aktorët Niada Saliasi dhe Ilir Tafa. Një dramë që e merr fillin në jetën e një çifti, ajo një aktore 26-vjeçare dhe ai një mjek psikiatër, dy personazhe që në fakt tipizojnë vetminë kolektive të shoqërisë. Ajo është e pakënaqur me të shoqin, e denoncon dhe e çon pas hekurave të burgut. Por nata është e gjatë... në këtë pikë, Antoan, i njohur si dramaturg, skenarist, por edhe regjisor tenton qasjen e tij artistike. Petrovci nuk ka zgjedhur “të dirigjojë” shumë personazhe në skenë, ata janë vetëm dy, por mbartin në vetvete një sërë kompleksesh të natyrës njerëzore. Personazhet pranojnë të bëhen pjesë e një amullie veprimesh, thjesht sa për të bërë diçka, sa për të mos iu dorëzuar vetmisë dhe sfidës së saj.
#