E Diel, 1 Nëntor 2026

Djeg me benzinë kushëririn, se ngacmoi kushërirën

LAç/ Adoleshenti me të meta mendore pësoi djegie të rënda, por mbijetoi dhe i tregoi policisë autorin e krimit

Djeg me benzinë djalin e dajës, se i ngacmoi vajzën e xhaxhait. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Laçit, ku një 16-vjeçar i sëmurë mendor ka rrezikuar seriozisht jetën, pasi është spërkatur me benzinë dhe i është vënë flaka.

Policia e Kurbinit arrestoi si autor të këtij krimi të rëndë 26-vjeçarin Altin çoku, me banim në lagjen nr. 2 të Laçit.

Sipas burimeve zyrtare të policisë, çoku ka tentuar të vrasë djalin e dajës së tij, 16-vjeçarin Taulant G., i cili vazhdon të jetë në gjendje të rëndë në spital.

Policia u njoftua për ngjarjen nga mjekët e urgjencës së spitalit të Laçit, ku u paraqit me djegie të rënda adoleshenti. Mjekët njoftuan për një person që ishte djegur me benzinë dhe policia, duke njohur problemet mendore të këtij personi, dyshoi fillimisht për një tentativë vetëvrasjeje. Por pas marrjes në pyetje të të dëmtuarit, i cili banon gjithashtu në lagjen nr. 2 të qytetit të Laçit, u mësua se bëhej fjalë për një tentativë vrasjeje.

Policia ka bërë menjëherë arrestimin e kushëririt të viktimës, Altin çokut, i cili u gjet në banesën e tij. Në ambientet e policisë, vetë çoku ka pranuar krimin dhe ka treguar detaje të ngjarjes. Në bazë të dëshmisë së të akuzuarit, policia sqaroi se ngjarja ka ndodhur në orën 22.30 të së mërkurës.

Altin çoku e ka marrë djalin e dajës së tij nga banesa dhe ka shkuar bashkë me të në një shesh mes pallateve, ku nuk kishte njerëz dhe aty ka nisur t’i ushtrojë presion psikologjik, në mënyrë që të tregonte për lidhjen me vajzën e xhaxhait të tij. Pasi 16-vjeçari ka pranuar se e kishte ngacmuar seksualisht kushërirën e kushëririt, bashkëmoshatare me të, Altin çoku e ka spërkatur me benzinë dhe i ka vënë flakën. Ulërimat e 16-vjeçarit kanë tërhequr vëmendjen e banorëve të zonës, të cilët kanë ndërhyrë duke shuar flakët e duke e dërguar adoleshentin në spital. Ndërkohë, autori i krimit makabër është larguar nga vendi i ngjarjes pa u vënë re.

Tashmë policia ka siguruar edhe prova materiale në vendin e ngjarjes dhe ka ngritur ndaj 26-vjeçarit Altin çoku akuzën për tentativë vrasjeje me paramendim, në rrethana të cilësuara.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›