Një e përditshme shqiptare bën thirrje për vrasjen e gazetarit
E përditshmja shqiptare “Koha Jonë”, e parë nga vëzhguesit e pavarur si një botim afër kryeministrit, Sali Berisha, bëri thirrje për vrasjen e një gazetari kritik të qeverisë në editorialin e së martës.
Me përshkrime të detajuara, artikulli bënte thirrje për vrasjen e botuesit të së përditshmes “TemA”, Mero Baze, një gazetë që sulmon ose sulmohet nga Berisha thuajse përditë.
“Që, jo muri, por Merua të mos lëvizi, pa i rrezikuar jetën, i duhet ngulur në fyt një thikë e trashë, e ndryshkur. Pa narkozë që ta vër' në gjumë. Ta shohë gjithçka me syt' e vet”, - shkruhej në artikull.
“Çarja e kafkës mund të kryhet me disa mënyra; me përplasje pas muri, me çekiç, me qysqi', me shpërthim, me çpim, me sharrim.”
Shoqatat lokale të gazetarëve reaguan të alarmuara dhe i bënë thirrje qeverisë të distancohet nga artikulli.
“Ne jemi shumë të shqetësuar prej kërcënimit publik dhe përshkrimit horror për vrasjen imagjinare të gazetarit Mero Baze, botuar nga “Koha Jonë”, - thuhej në një deklaratë të përbashkët të Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë dhe Forumit për Mediet e Lira.
“Duke pasur parasysh presionin e madh të qeverisë shqiptare ndaj këtij gazetari, i cili arriti kulmin me bllokimin e mjediseve të gazetës dhe djegien e makinës para shtëpisë së tij, ky kërcënim i ri publik kundër tij nga një gazetë e afërt me qeverinë është një goditje e fuqishme ndaj shtypit të lirë dhe dhunim flagrant i etikës gazetareske ndaj një kolegu”, - deklaruan shoqatat.
Gazeta “TemA” është fokusuar te raportimi investigativ duke sulmuar me një sërë artikujsh zyrtarët për korrupsion dhe abuzime. Më 8 janar, policia e përzuri gazetën nga zyrat e saj në një godinë pronë e qeverisë, pavarësisht një urdhri të gjykatës kundër largimit.
Konflikti u nxit më 16 dhjetor, kur Ministria e Ekonomisë anuloi pa paralajmërim një kontratë 20-vjeçare që gazeta kishte për mjediset e saj në godinën pronë qeveritare, duke e detyruar të përditshmen të ankohej në gjykatë.
Qeveria tha se po e largonte gazetën nga mjediset e saj për arsye të sigurisë kombëtare, pa dhënë shpjegime për arsyet. Më 6 janar, gjykata e Tiranës e urdhëroi Ministrinë e Ekonomisë ta ndalonte procesin e largimit, por tri ditë më vonë policët rrethuan zyrat e “TemA-s” dhe përdorën forcën për të mos i lënë gazetarët të hynin.
“Rrethimi i papritur dhe arroganca e kryeministrit në përpjekje për të na mbyllur gojën, me sa duket nuk njeh kufij”, - deklaroi botuesi Mero Baze në një deklaratë për shtyp pas aksionit të policisë.
BMW e Bazes u dogj në vigjilje të Vitit të Ri, për të cilën Baze tha se ishte sulm, por policia e përshkroi si djegie nga një qark i shkurtër elektrik.
Ministria e Ekonomisë mohoi ekzistencën e motiveve politike në përzënien e gazetës dhe me një deklaratë pretendoi se nuk e kishte marrë kurrë urdhrin e gjykatës, ndërsa anulimi i kontratës ishte “i nevojshëm për detyrime publike”.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), me bazë në Nju-Jork reagoi ndaj bllokimit të zyrave të “TemA”-s prej qeverisë.
“Policia duhet të lejojnë menjëherë gazetarët e “TemA”-s të kthehen në zyra dhe të vazhdojnë punën”, - deklaroi Nina Ognianova, koordinatorja e programit të CPJ për Evropën dhe Azinë Qendrore, në një deklaratë më 11 janar.
“Në vend të sulmit ndaj gazetarëve, autoritetet duhet të hetojnë shpërthimin e makinës së botuesit Mero Baze kohët e fundit. Metoda të tilla frikësimi ndaj medieve kritike me qeverinë nuk janë në përputhje me rrugën demokratike që ka zgjedhur Shqipëria.”