Pas vjedhjes së pronave të kishës, sulmohen fretërit meshtarë
At Mikel Pllumaj O. F. M, meshtar në Kishën e Shën Ndout në Laç-Sebaste, është fyer dhe kërcënuar dje publikisht. Më poshtë po botojmë të plotë një artikull të tij dhe letrën shoqëruese për redaksinë e gazetës “TemA”
Letra: E nderuar redaksi, dua t’ju njoftoj se sot, më datë 24 shkurt 2009, rreth orës 09.00, jam kërcënuar fizikisht dhe fyer publikisht gjatë kremtimit të Meshës së Shenjtë brenda kishës. Jam përballur me persona të papërgjegjshëm, me kërcënime, fyerje dhe sharje, si rrjedhojë u krijua një panik te besimtarët duke u ndërprerë kremtimi liturgjik (Mesha e Shenjtë). Ky rast nuk është i pari. Ka ndodhur edhe disa herë të tjera ndaj fretërve të tjerë, duke i kërcënuar edhe ata me jetën e tyre. Për këto raste është lajmëruar policia, si dhe krejt instancat shtetërore, por nuk është marrë asnjë vendim. Në Shejtnoren e Shna Ndout në Laç Sebaste të Kurbinit vijnë me mijëra besimtarë, duke tejkaluar e gjysmë milioni njerëz që vijnë në raste të veçanta, krahas këtij shtegtimi të njerëzve drejt këtij vendi të shenjtë ndodhemi përballë një korrupsioni të paparë të gjykatës së Laçit, të kryetarit të bashkisë dhe të deputetit të Laçit ndaj kësaj shejtnoreje, të cilët, duke i mbrojtur ata persona, jo vetëm që kanë zaptuar tokën e Kishës duke bërë të pamundur mbarëvajtjen e riteve fetare dhe kërcënojnë Fretërit Meshtarë me vrasje.
Padrejtësia që po i bëhet Kishës së Shën Ndout në Laç-Sebaste
At Mikel Pllumaj
Gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri Kisha Katolike ka pësuar një ndër persekutimet më të egra, që konsistonte në dy drejtime: eliminimin fizik të pjesëtarëve të saj, pra vrasjen e shumë klerikëve, si dhe burgosjen e pjesës së tjetër dhe grabitjen e pronave që Kisha i kishte në zotërim para vitit 1945. Pasi ra komunizmi, u mendua se gjërat do të rregulloheshin dhe se do të ktheheshin të gjitha pronat e grabitura nga shteti komunist. Kisha Katolike mbas vitit 1990 doli e shkatërruar krejtësisht dhe pa asnjë pronësi të veten. Duke parë këtë panoramë të dhimbshme që gjendej kisha, të krijohej përshtypja se prania e Kishës Katolike në Shqipëri kishte ardhur për herë të parë në vitin 1990. Në fakt, Kisha katolike është në Shqipëri që prej dymijë vjetësh, që në kohën e Shën Palit, duke i rezistuar luftërave dhe pushtimeve më të ndryshme deri te jetesa e saj nën dhe gjatë diktaturës më të egër dhe më çnjerëzore që njohu Shqipëria dhe bota. Pas shembjes së komunizmit ato pak klerikë shqiptarë që kishin mbetur nga persekutimi famëkeq komunist u përhapën nëpër territoret e Shqipërisë duke kërkuar pronat e Kishës Katolike që në qindra shekuj e deri më 1945 i kishte pas të vetat. Që në vitet e para Kisha Katolike hasi në rezistencë të paparë nga persona të ndryshëm, klane të ndryshme, si dhe nga pushtetarë të ndryshëm, të cilët bllokonin, edhe me dhunë, për të marrë pronat e veta nga Provinca Françeskane Shqiptare që është Ent juridik brenda Kishës Katolike.
Më është besuar detyra e përkujdesjes për pronat, prej datës 15/01/2008, nga Provinca Françeskane Shqiptare “Zoja Nunciatë ”. Me gëzim fillova të merrem me çështjen e pronës së kishave që i përkasin këtij enti kishtar që për gati tetëqind vjet i dha vendit tonë kontribute të jashtëzakonshme në shumë fusha duke bërë sakrifica shume të mëdha.
Sot, ky Ent-Kishtar prej, t’cilit kanë dalë njerëz të mëdhenj, si për shembull Gjergj Fishta, P. Anton Harapi, P. Gjon Shllaku, P. Justin Rrota, P. Donat Kurti, P. Benedikt Dema, P. Bernardin Palaj, P. Shtjefën Gjeçovi - ky edhe pati shërbyer në këtë Shejtnore prej vitit 1900- 1902.
Sa për një freskim historik të memories, të mos harrojmë se Kisha e Shën Ndout në Laç daton që në shekullin e XIV. Themeluesi i arkeologjisë shqiptare, At Shtjefen Gjeçovi, i ka lënë të shkruara të gjitha kufijtë e pronësisë që i përkasin Kishës së Shën Ndout në Laç-Sebaste. Këto dokumente gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar në Tiranë. Këtij vargu kolosësh i shtohet edhe At. Zef Pllumi që iku me brengë të madhe në shpirt për situatën e këtyne tetëmbëdhjetë vjetëve të fundit të tranzicionit demokratik në Shqipëri, ku shpresonte në ndonjë përmirësim, por për të ishte nji zhgënjim i radhës, pse demokracia dukej ende larg në sfondin e dëshirave të shqiptarëve. Në fillimet e viteve nëntëdhjetë At Zef Pllumi filloi rishtas ndërtimin e Shejtnores që ishte shkatërruar krejtësisht.
Ky Ent-Kishtar po trajtohet sot në mënyrë shumë të padrejtë nga disa instanca shtetërore. Konkretisht, nga gjykatat që në shumicën e rasteve janë t’kushtëzuara nga presione deputetësh e kryetarë bashkish, si dhe nga korrupsioni që ekziston brenda tyre.
Vështirësitë ma të mëdha për mua kanë qenë me pronat e Kishës së Shna Ndout në Laç-Sebaste. Prona për të cilën bahet fjalë vërtetohet me certifikatë pronësie e lëshueme nga ZRPP Kurbin në regjistrin e pasurive t’paluajtshme të saj me nr. pasurie 500.
Gjykata e Laçit e nxjerr Kishën e Shën Ndout në Laç pa të drejtë pronësie.
Së pari, dëshiroj të informoj mbarë publikun shqiptar në lidhje me disa probleme pronësie të Kishës së Shën Ndout në Laç-Sebaste, që tani tetëmbëdhjetë vjet nuk po marrin zgjidhje.
Së dyti, ky informacion do t’i drejtohet edhe të gjitha institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare që ndodhen në Shqipëri për monitorimin e mirëvajtjes së demokracisë.
Për këtë pronë që në janar 2008 e kemi hapur tri herë gjyqin me palën kundërshtare në Gjykatën e Kurbinit-Laç dhe që të tria herët kemi dalë pa sukses, vetëm e vetëm pse në Shqypni ligjin e ban Maliqi; nji herë ky gjyq i hapur nga ana e jonë u pushua për saktësim emri, herën tjetër u pushua nga gjyqtari Besnik Qira në mënyrën më të pabesë, duke gënjyer për orën, si dhe për vendin ku po bëhej gjyqi. Ne u lajmëruam nga spiker-folësja e kësaj gjykate se gjyqi do të bëhej në katin e dytë, por gjyqtari Besnik Qira e zhvilloi këtë seancë pushimi me avokatin e palës kundërshtare në nji sallë tjetër. Por, nuk vonuam dhe rihapëm edhe një herë gjyqin në një kohë shumë të shkurtër duke shpresuar në drejtësinë e shtetit shqiptar, si dhe në drejtësinë e gjykatës së Laçit dhe të drejtuesve të saj. Edhe në këtë rast mbetëm shumë të zhgënjyer. Sepse, më dt. 19/02/09. në orën 12.00 kryetari i kësaj gjykate, z. Alfred Gjoni, e shpalli vendimin sërish negativ. Kjo padrejtësi në lidhje me këtë pronë u pa edhe në vendimet e Policisë Ndërtimore, qoftë asaj rajonale, qoftë asaj në rang kombëtar, në mosekzekutimin e vendimeve të marra nga kjo instancë, për shkak se persona të veshur me pushtet ndërhynë që mos të ekzekutohen këto vendime. Provinca Françeskane Shqiptare “Zoja Nunciatë” nuk kërkon gjë tjetër përveç pronat e saj, ato prona që i ka të sajat për shumë shekuj veprimtarie në Shqipëri. Shejtnorja e Shën Ndout në Laç-Sebaste të Kurbinit është e njohur tashmë për shtegtimin e të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, jo vetëm brenda Shqipërie, por edhe jashtë kufijve të saj, e ka bërë këtë vend parësor për të gjithë. Moskthimi i këtyre pronave dhe përkatësisht i pronave të Kishës së Shën Ndou në Laç, do të thotë cenim i drejtpërdrejtë i lirisë fetare duke penguar mosfunksionin e saj.
E them me siguri të plotë se kurrë në histori Fretnit e vegjël të Shën Françeskut që veprojnë në Shqipëri nuk u ka ndodhë që të kërkojnë një gjë të padrejtë, e duket se gjykata e Laçit po na i qet fretnit si grabitës dhe pa të drejtë pronësie. Më të drejtë mund të themi se gjykata e Laçit (dhe shpresoj jo gjykatat e tjera shqiptare), ka mbetur në zbatimin e dekreteve të vitit 1945 e të vitit 1967. A mund të flasim për reforma në gjykata dhe drejtësi në këtë gjendje ku jemi? A mund të flasim për demokraci në Shqipëri ku janë në funksion dekretet e diktaturës komuniste? Ky veprim i gjykatës së Laçit a nuk nxjerr në pah së mentalitet i atyre që ia pa sherrin krejt vendi ynë vazhdon të ushtrojë trusni dhe të ketë autoritetin e saj?
Për këtë pronë të Kishës së Shën Ndout unë personalisht kërkova mbështetje për këtë të drejtë të mohuar padrejtësisht te çdo instancë shtetërore, por gjithmonë më janë dhënë vetëm premtime boshe dhe s’u arrit kurrë në asnjë konkluzion.
Po i rikthehem edhe njëherë rëndësisë së kësaj Shejtnoreje dhe të këtij Shejti që e duan të gjithë shqiptarët, të paktën ata me vullnet të mirë. Besoj se të gjithë e dimë pjesëmarrjen e turmave të njerëzve të panumërt që vijnë në këtë vend të shejtë, me kërkue mbështetje prej këtij vendi ku nderohet ky Shejt; mik i vërtetë i çdo njeriu. Dhe jam i bindur se nuk meriton të trajtohet në këtë mënyrë.
Kjo situatë me të cilën po përballohemi për këtë Kishë, por edhe shumë situata të pakënaqshme dhe shumë negative që mbarë populli shqiptar po i vuan, të çon te rrënjët e saj! Dihet se rrënjët e veta i ka të bazuara në një mentalitet komunist, që ne si popull po vuajmë me dal kaq shumë prej këtij ferri. Dhe si për ironi të fatit të gjithë sot vetëshpallen “demokratë” dhe përhapës të vlerave demokratike.