Rritja ekonomike poshtë 5%, ndryshon plani i të ardhurave të qeverisë
Ministria e Financave e vënë përpara faktit që rritja ekonomike në vend gjatë këtij viti do të jetë e shumta brenda kufirit 4% ka nisur të shqyrtojë ndryshimet e mundshme në planin e të ardhurave, pasi ato janë planifikuar nisur nga parashikimi për një rritje ekonomike mbi 6%. Zyrtarë të Ministrisë së Financave thanë dje se treguesit e rritjes ekonomike kanë nisur të dobësohen dhe kjo ka bërë të domosdoshme rishikimin e planit të të ardhurave. Pak kohë më parë administrata e përgjithshme e doganave i kërkoi Ministrisë së Financave që të ulte planin e të ardhurave të parashikuar për të ardhurat doganore, gjë që nuk u pranua nga Ministria e Financave. Në fakt, dokumenti që do të hartojë, të cilin e ka nisur tashmë, Ministria e Financave do të bëhet i vlefshëm, pasi ai të miratohet nga qeveria dhe më pas parlamenti. Ministria e Financave deri më tani është duke iu druajtur kundërshtimit të qeverisë për uljen e planit të të ardhurave dhe gjasat janë që plani i të ardhurave i ndryshuar të shkojë në parlament pas dy ose tre muajsh. Ministria e Financave do të ulë zërin e të ardhurave që vjen nga tatimi mbi fitimin dhe zërin e të ardhurave që vjen nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Zërat e tjerë do të mbeten të pandryshuar. Zyrtarë të Ministrisë së Financave thanë se këto ndryshime mund të shkojnë në parlament së bashku me ndryshimet e premtuara fiskale të uljes së nivelit të kontributeve nga 10 në 5% në qershor të këtij viti. Ministria e Financave e ka të qartë se ulja e planit të të ardhurave është domosdoshmëri, por kjo do të kërkojë korrektime në të gjithë buxhetin e shtetit dhe kjo ka pak gjasa të ndodhë para mbajtjes së zgjedhjeve. Ulja e planit të të ardhurave mund të çojë në thellim të deficitit, në rast se nuk do të ndryshohet edhe plani i shpenzimeve, pasi gjetja e burimeve të tjera të shpenzimeve është thuajse e pamundur. Ritmet e rritjes ekonomike të vendit pësuan një rënie të qartë gjatë pjesë së fundit të vitit që kaloi, ndërkohë që gjatë këtij viti kahja e tyre pritet të jetë më e thepisur. Fondi Monetar Ndërkombëtar tha vitin e shkuar se rritja ekonomike do të jetë në kufirin e 3,5 dhe 4%, ndërkohë që BERZH e llogariti deri në 5%. Këto janë ndër shifrat më optimiste për rritjen ekonomike të vendit gjatë këtij viti përjashtuar shifrat që paraqet qeveria. Dy ditë më parë qeveria shqiptare vlerësoi të dhënat e organizatës Global Insight si dëshmi e faktit që ekonomia shqiptare është me ritmin më të mirë në botë, por edhe kjo organizatë tha se rritja nuk do jetë më shumë se 5,2%. Për këto arsye Ministria e Financave është e detyruar të ndryshojë planin e të ardhurave dhe buxhetin e parashikuar mbi një rritje ekonomike më shumë se 6%.