Reagimi i Ambasadës Amerikane liron Çashkun nga qelia
Për incidentet që po shoqërojnë këto ditë Akademinë e Filmit “Marubi” ka reaguar edhe Ambasada Amerikane në Tiranë, ndërkohë që dhunën policore e kanë ndjekur nga afër 22 pedagogët europianë dhe amerikanë që japin kurse në Akademinë “Marubi”, si dhe ambasadat përkatëse. Si pasojë e rezistencës dy ditore ndaj kësaj dhune, rektori Kujtim Çashku dhe 5 studentët e tij janë shoqëruar dje me forcë në ambjentet e Komisariatit numër 4 të kryeqytetit, në orët e para të ditës. Kjo ka krijuar edhe panik në rrethin e studentëve. Studentja I.Korçari ka reaguar e trembur dhe e shqetësuar dje në orët e para të ditës duke pohuar për gazetën “TemA” se: “Gjendja është e frikshme. Policia hyri në akademi duke shkelur ligjin që thotë se “Policia nuk hyn dot në universitet”. Policia së bashku me drejtuesin e Albafilm, ushtruan dhunë mbi studentët, duke shkelur të drejtat e njeriut. Policia tërhoqi zvarrë Kujtim Çashkun, duke shkelur të drejtën e artit për të qenë. Policia po dhunon duke rrethuar me rrjeta “Marubin” duke shkelur pronën publike. Policia po na vret të gjithëve! Bashkohuni me ne! Ky ka qenë reagimi i saj dhe i shumë studentëve të tjerë në kohën që policia ka shoqëruar dje në komisariatin numër 4 në kryeqytet rektorin e Akademisë së Filmit “Marubi”, zotin Kujtim Çashku, djalin e tij si dhe 5 studentë të tjerë. Shqetësimi më i madh për ta, krijohet nga fakti se ata kanë investuar aty për të ardhmen e tyre, duke besuar tek një shkollë që ka bashkëpunime me shkolla të ndryshme europiane dhe është e integruar me nivelet ndërkombëtare. “Të investosh për një shkollë të së ardhmes është një sakrificë e madhe, barra e së cilës bie mbi familjet tona. Ndoshta dikush do të thoshte se ne nuk duhet të ishim këtu, por ajo që na vë përballë policisë është pasiguria që na ka krijuar gjithmonë shteti ynë për mbrojtjen e interesave tona. Na duhet të qëndrojmë për të mbrojtur një shkollë që e kemi ëndërruar, sepse gjatë studimit këtu kemi provuar që kjo shkollë është një lidhje e konceptit amerikan dhe atij evropian të shkollës së filmit. Shkolla që ne bëjmë na bënë homologë me të diplomuarit në vende të ndryshme të Europës, dhe na ka krijuar lidhje me shkolla që kanë sot reputacion shumë të madh, si në Francë, Kaliforni, Florida”, ka pohuar dje një nga studentët pas arrestimit të rektorit Çashku.
Edhe pas shoqërimeve, protestuesit nuk shpërndahen...
Ndërsa policia ka disa ditë që nuk lejon vazhdimin e mësimit në ambjentet e Akademisë, nxënësit që paguajnë për profile të ndryshme në këtë Akademi po protestojnë çdo ditë për këtë vendim të qeverisë. Shoqërimet në polici u bënë pas protestave që vazhdonin edhe ditën e djeshme në ambjentet e Akademisë së Filmit kundër vendimit të Këshillit të Ministrave për lirimin e ambjenteve të Akademisë private. Studentët nuk pranuan të lëshojnë ambjentet dhe policia vendosi shoqërimin e disa personave në polici për të shpërndarë më pas protestën. Nëse do të rrinin në ambjentet e policisë më shumë se 12 orë, ata rrezikonin të merrnin komunikimin për arrest në koicidencë të plotë me zanafillën e ngjarjeve dhe faktin që policia mban ende të rrethuar Akademinë e Filmit “Marubi” që të mos zhvillohet mësim në ambjentet e shkollës së filmit. Qëndresa e Rektorit të Akademisë Film “Marubi” dhe e studenteve dje para akademisë ishte bërë me shqetësimin dhe motivimin që të ruajnë mjediset, por edhe t’u qëndrojnë protestave deri në lirimin e ambjenteve nga policia. Kjo akademi bën pjesë sot në korpusin e akademive më të shquara në botë. Ajo është pjesë e Silect dhe që ditën e parë të këtij incidenti, 123 rektorë kanë marrë informacionin e plotë të rrahjes së rektorit të Akademisë së filmit në Shqipëri, informacionin e plotë të ndërhyrjes së policisë në korpusin e Akademisë dhe arrestimin e tij bashkë me studentët. Ndeshjen e policisë me pedagogë dhe studentët e kanë ndjekur nga afër 22 pedagogë europianë dhe amerikanë që japin kurse në Akademinë “Marubi”. Pas reagimeve të shumta në media, nuk vonoi dje dhe reagimi i ambasadës amerikane, i cili ka ndikuar edhe në lirimin e rektorit të “Marubit” në kohë. Nga zyra e shtypit të kësaj ambasade janë shprehur se situata po ndiqet me kujdes dhe duhen bërë përpjekje që të mos shkatërrohet e dhunohet stafi dhe mjediset e shkollës së filmit “Marubi”. Përfaqësia diplomatike amerikane në Tiranë ka premtuar se do të nxitë palët të negociojnë dhe njëkohësisht të ruajnë qetësinë. Mediat kanë pasqyruar dje edhe reagimin e rektorit të Akademisë Film “Marubi” që ndodhej në orët e para të ditës në polici, i cili ka bërë thirrje nëpërmjet një interviste telefonike me Tv News24 që të mos dëmtohet Akademia që kanë krijuar artistët për zhvillimin e artit shqiptar. Çashku që nga Komisariati numër 4 shpjegoi se po tentohet të mbyllet Akademia. Ai kërkoi nga policia të mos dëmtojë objektet antike në oborrin e shkollës: “U bëj thirrje autoriteteve të mos dëmtojnë një institucion të shenjtë. Pango e Ruli të përmbahen dhe të mos bëjnë deklarata që acarojnë akoma më shumë situatën. Kërkoj të jemi krenarë për këtë shkollë që kanë krijuar artistët”. Çashku tha se gjatë kohës që ndodhej në polici ndaj tij atje nuk është ushtruar dhunë, por e kundërta ka ndodhur me studentët që ndodhen në komisariat. “Ndaj personit tim nuk është ushtruar asnjë lloj dhune, kurse ndaj studentëve po”.
Çashku tha në përfundim të intervistës së tij se beson se çështja e “Marubit” do mund të zgjidhet dhe shkolla e tij të mos të mbyllet. “Unë besoj tek e ardhmja dhe shpresoj ta shoh Shqipërinë të zhvilluar”, tha ai. Çashkun e kanë përkrahur dje edhe dy deputetë të Partisë Socialiste; Pirro Lutaj e Cipa, si dhe Erion Veliaj, të cilët reaguan kundër ndalimit të Çashkut duke e konsideruar shoqërimin e tij në polici si një akt të dhunshëm dhe të patolerushëm. Ata janë nisur menjëherë në drejtim të Komisariati numër 4 në kryeqytet ku ndodhej rektori Kujtim Cashku dhe 5 studentët. “Sot nuk është koha e dhunës, e tërheqjes zvarrë të artistëve, por koha e komunikimit dhe negocimit”, tha Lutaj për mediat. Më në fund, rektori i Akademisë së Filmit “Marubi” është liruar nga policia dhe bashkë me të dhe 5 studentët. Çashku e ka dalë nga komisariati rreth orës 13:40 minuta. Në komisariat pohojnë se ndaj Çashkut nuk u pre një urdhër arresti dhe ai është i lirë së bashku me studentët që protestuan ndaj veprimeve të policisë ndaj shkollës së artit.
Konflikti Çashku-Pango
Rektori Kujtim Çashku, akuzon qeverinë dhe ministrin e Kulturës për presion të qëllimshëm dhe mungesë vizioni për kulturën. Çashku pohon se po mblidhen firmat nga personalitetet shqiptare por edhe të huaja të artit për t’i dërguar tashmë peticionin Presidentit Topi dhe kryeministrit Berisha për situatën e krijuar. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave Akademia e filmit “Marubi”, duhet që të lironte ambjentet mesditën e së shtunës. Kundërshtimi i pedagogëve dhe studentëve ka çuar këto ditë në konfrontimin mes tyre dhe forcave të policisë, të cilat kanë ndërhyrë për t’i larguar ata nga ambjentet e Kinostudios. Ndërsa dje Ministri Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z.Ylli Pango ka thirrur një konferencë për shtyp mbi konfliktin më të nxehtë me shtetin të Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Ministri Pango u shpreh se “problemi gjen zgjidhje vetëm duke zbatuar detyrimet ligjore”. Akademia “Marubi”, nuk ka pse të largohet nga ambjentet që përfiton në ish-Kinostudio, por duhet të paguajë qeranë për godinën me sipërfaqe funksionale prej 1822 metra katrorë, jashtë 200 metrave, të cilat vite më parë janë falur për këtë subjekt”, tha ai. Ministri Pango e akuzoi rektorin e kësaj shkolle që “ai ka refuzon të paguajë qeranë, madje dhe të lëshojë ambjentet e tjera, me të cilat ai ka abuzuar, duke zënë një sipërfaqe rreth 4000 metra katrorë”. Sipas ministrit Pango subjekti privat nuk ka paguar asnjëherë asnjë detyrim ndaj shtetit për periudhën e përdorimit të këtyre ambjenteve nga data 4 shkurt 2005, deri në 1 shkurt 2009. Ai shtoi se “Marubi” ka uzurpuar edhe 2.924 metra katrorë sipërfaqe jashtë godinës që kërkon t’i përdorë për interes privat”.
Përplasjet me ligjin, shtetin, “Alba Film”-in dhe “Marubi”-in
Drejtori i kompanisë shtetërore “Alba Film”, duke u bazuar në shkresat zyrtare të katër viteve të fundit akuzon Akademinë “Marubi” për zaptim prone në shkelje të ligjit. “Alba Film” pretendon se “Kujtim Çashku, si drejtues i “Ora Film. shpk”, nuk u mjaftua vetëm me këtë sipërfaqe të dhënë nga VKM-ja, por në mënyrë të paligjshme pushtoi të gjithë territorin e “Alba Film”. Ndërsa rektori Çashku e motivon insistimin e tij me licensimin e një kontrate dhjetëvjeçare të shtetit pa qira, por sipas tij shteti përfiton: “Jo se është dhënë falas. Ajo është dhënë në përdorim për 10 vjet dhe mbetet pronë e shtetit dhe investimet tona e të partnerëve tanë i mbeten shtetit shqiptar. Pra 100% të aksioneve janë të shtetit shqiptar, i cili ka detyrë të ruajë në mënyrë fanatike destinacionin e këtij korpusi. Vizioni ynë ka qenë që shkolla të shndërrohet në një model që e ka shfrytëzuar bota dhe ka dhënë rezultate”, ka pohuar Çashku kur u çel Shkolla e Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Çashku ka kërkuar dhe gjetur partnerë të huaj për të investuar në këtë godinë, dhe sipas tij interesi i shtetit ka qenë të rikonstruktohet kjo godinë me pamundësinë që ai kishte për të hedhur para në tërësinë e korpusit. “Shkolla e filmit nuk ka qenë as vullnet i një individi të vetëm, as i një qeverie, por vullnet i kohës”, tha Çashku. Qeverinë dhe ministrat e saj Çashku i akuzon se kanë një koncept të ngushtë, jo vizionar lidhur me të gjithë politikën për mbajtjen gjallë të institucioneve, siç janë institucionet kulturore në tërësi.
Aktualisht konflikti vazhdon në mjediset e shkollës “Marubi”, me protestat e rektorit, pedagogëve dhe studentëve. “Shkolla ka lulëzuar falë taksapaguesve të vendeve perëndimorë, pa prekur arkën e shtetit shqiptar, pohon Çashku. E kundërta, gjysmë milioni euro të investuara në Albafilm, në mjedisin ku është ngritur Akademia e filmit dhe në lulishten e cila ka një kinoteatër ku shumë shpejt do të bëhet festivali ndërkombëtar i të drejtave të njeriut, faktuan besueshmërinë e këtij projekti”, shtoi ai. “Sot jemi në vitin 2009, pasi qeveria shqiptare, në këtë rast ministria e arsimit, e renditi mes universiteteve të akredituara të cilat janë vetëm katër. Ky akreditim u bë në sipërfaqen ku është investuar gjatë këtyre viteve ajo para e taksapaguesve perëndimorë. Ndaj dhe u konsiderua si model perëndimor dhe nga agjencia e akreditimit dhe në të njëjtën kohë nga Ministria e arsimit dhe shkencës”, argumenton Çashku.
Më në fund: thelbi i këtij konflikti është se askush nuk di të sillet dhe të bëj një projket të saktë brenda një strukture shtetërore, ku ministritë përkatëse nuk koordinohen në lidhje me përgjegjësitë e tyre.
Insistimi i Cashkut: Pse është tragjike?
Me këtë dua të them sesi i qëndroja idesë se shqiptarët duhet të kuptojnë se historia e një vendi bëhet gur-gur, pak nga pak, gjë që na trashëgon kështjellat e të parëve tanë, apo jo? Kemi një kohë mesjetare zero që nuk rezulton askërkund, siç është Mesjeta, me perandorinë otomane. Të paktën pas kësaj periudhe, në epokat dhe kohët që brezi para nesh dhe yni jetuam, po krijonim edhe ne disa gurë të rëndësishëm që do të shërbenin për këtë pasuri kulturore, e cila ishte e rëndësishme për vendin tonë, për t’i dhënë identitetin që ne ia pretendojmë shoqërisë dhe vetes sonë. Kjo nuk ka gjetur përligjje. Nuk gjeti përligjje dhe sot jemi në një situtatë krejtësisht tjetër, e cila në një farë kuptimi është tragjike. Pse është tragjike? Jo për çka ndodhi sivjet apo në vitin 2008. Është tragjike për çfarë nuk ndodhi për 17 vjet rresht. Për 17 vjet rresht Kinostudio u robërua, u vodh, u shkatërrua, u shit për hekur në Kombinatin Metalurgjik, u mbush me lavazhe, garazhe, makina funerale. Interesit publik iu mohua prej 17 vjetësh e drejta e rivitalizimit, e rigjenerimit të gjithë kësaj pasurie që ekzistonte atje, çka do të thotë që lihej të rrënohej me qëllimin që më vonë të ngriheshin blloqe pallatesh. U la të rrënohej sepse u hodh ideja që të bëhej qytet biznesi. Dhe duke ndjerë gjithë këto kërcënime, atëherë unë pyeta veten se ç’më mbetej të bëja: të shpëtoj ç’mund të shpëtoj dhe pata idenë, duke braktisur kështu idenë e qytetit të artit, të ngrija shkollën e parë të filmit në Shqipëri, gjë që nuk e kemi patur në rang universitar asnjëherë në historinë e vendit tonë, pra në historinë arsimore kulturore të vendit tonë. Dhe të them të vërtetën, hasa një rezistencë shumë të madhe, sepse natyrisht nuk vinte njësh me planet për qytet-biznesin, nuk vinte njësh me planet për të ngritur blloqe pallatesh. Por, unë i kthehesha konceptit të kinematografisë me ngulm….
Ne duhet të bëjmë një herë e mirë dallimin mes konceptit të shkollës publike dhe asaj shtetërore. Ne nuk kemi shkolla publike, por vetëm shtetërore, sikurse kemi një televizion shtetëor, por jo një televizion publik. Pra duhet të shquajmë një herë e mirë se ç’është gjëja publike. Gjëja publike mund të ketë një administrim privat, por ka produkt dhe destin publik. Kjo duhet kuptuar. Ndryshe, nëse ne kemi perceptime të gabuara gjejmë zgjidhje të gabuara. Fati i keq që sot e gjithë ditën, edhe në qeverinë aktuale, kemi të njëjtin perceptim të gabuar. …
Kështu që ajo ç’po ndodh, nuk është gjë tjetër vetëm një konflikt mentalitetesh të ndryshme, vizionesh të ndryshme. Madje mund të them se vlerësimi i pasurisë kombëtare po bëhet sipas një pikëpamjeje krejtësisht të gabuar. Le të kuptojmë dhe diçka: për një komb, rëndësinë më të madhe nuk e kanë asetet e ngurta, tullat, as paraja, por asetet intelektuale. Po të shfrytëzonim kapacitetet intelektuale të shoqërisë sonë, ekonomia do të ishte në një stad tjetër, kultura dhe emancipimi shqiptar gjithashtu. Nuk do të mbetej asgjë në dorë të njerëzve që tek drejtojnë fatet e shoqërisë nën emrin e politikanëve, e mjerojnë atë dhe e lënë në një krizë permanente. Kështu që për mua është krejt e patolerueshme çka ndodh sot. Si rektor, si njeri që punoj në kinematografi, si njeri që ia kam kushtuar jetën kinematografisë së bashku me pedagogë e kineastë që punojnë në akademinë Marubi, bashkë me studentët tanë, të goditem me shkelma. Një akt i tillë për mua është barbar dhe jo më kot e kam quajtur akt antiqytetar.