E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja në spital, dyshime për virus të rrezikshëm

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Vdekja në rrethana misterioze e 22-vjeçares vë në alarm mjekët e Vlorës. Fakti që Rajmonda Bleta ndërroi jetë në një kohë kaq të shkurtër, pas ankesës për temperaturë të lartë, është vlerësuar nga bluzat e bardha si një rast i rrezikshëm. Ata dyshojnë për ndonjë virus vdekjeprurës, të pazbuluar më parë. Kjo bën që vetë mjekët t'u frikësohen rasteve të tjera, nëse sëmundja është ngjitëse. Gjithsesi, deri në përfundimin e analizave në laboratorët e Tiranës, bluzat e bardha nuk japin ndonjë rezultat konkret për shkaqet e kësaj ngjarjeje. Dje në spitalin e Vlorës, mjekët kanë nisur një ditë pune të zakonshme, ndonëse kryefjala e ditës ndërmjet tyre kanë qenë konsultimet bazuar në njohuritë e tyre shkencore për shkakun e vdekjes së nuses së re. Nga konsultat ndërmjet mjekëve, dyshimi më i fortë i tyre ka të bëjë pikërisht me ndonjë virus vdekjeprurës. Dje në spital u bllokua edhe kartela e pacientes, si dhe regjistri i shtrimit. Në to do të kontrollohen imtësisht diagnoza e përcaktuar paraprakisht nga mjekët që i shërbyen viktimës. Gjithashtu, do të mbahet një raport edhe në lidhje me mjekimin e kryer, që nga koha e shtrimit e deri në momentin e vdekjes. Në to do të studiohet nëse i janë bërë mjekimet e nevojshme Rajmonda Bletës apo shkak i vdekjes së saj është gabimi në dhënien e injektimit nga mjekët dhe infermieret, ashtu sikurse pretendojnë edhe familjarët e viktimës. Sipas drejtorit të spitalit, Luter Nuraj, për të përcaktuar shkakun e vdekjes së Rajmonda Bletës do të pritet përfundimi i analizave nga laboratori i Tiranës. Dje, mjekët që kanë ndjekur 22-vjeçaren gjatë shtrimit të saj në spital u shprehën se janë të pafajshëm për vdekjen e saj. Sipas tyre, viktimës i janë bërë të gjitha mjekimet, duke u bazuar në temperaturën që ajo kishte. Ata shprehën keqardhje për fatin e saj të keq, ndërsa sipas tyre shpëtimi i saj ishte i pamundur dhe se nuk bëhet fjalë për ndonjë mjekim të gabuar. Drejtori Nuraj u shpreh se po kryhet një analizë e të gjithë procedurave të mjekimit të 22-vjeçares, si dhe ecurinë e saj hap pa hapi që nga shtrimi e derisa ndërroi jetë. Analizat paraprake tregojnë se vdekja ka ardhur nga temperatura e lartë, ndoshta e pasuar nga ndonjë goditje në zemër apo në tru. "Ajo që më shqetëson më shumë, - tha Nuraj, - është koha e shkurtër e vdekjes së vajzës. Kjo gjë është për t'u vlerësuar si një rast i rrezikshëm, sepse dhe mund të kemi të bëjmë me ndonjë virus vdekjeprurës i pazbuluar, gjë që rrit frikën e ngjitjes tek të tjerët". Bashkëshorti i 22-vjeçares, Ramazan Bleta, si dhe prindërit e viktimës kanë depozituar një kallëzim në policinë e Vlorës. Ata kërkojnë hetime për këtë ngjarje, duke bërë përgjegjës mjekët për vdekjen e Rajmondës. Dyshimet e tyre hidhen mbi faktin se e reja vdiq pas bërjes së një injeksioni të gabuar në krah. Policia bëri të ditur se ka nisur hetimet, por dosja ende nuk i ka kaluar Prokurorisë derisa të bëhen veprimet me kartelën dhe regjistrin e urgjencës, për të studiuar edhe mjekimet që i janë bërë viktimës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›