Vajtimi i të burgosurit
I burgosuri në birucë nuk orientohej dot, se kur mund të ishte mesi i ditës, kur radioja do të ndërpriste muzikën funebër dhe do të njoftonte, se cili ish ai që pat vdekur. Po, nga ca urdhëra të shkëputur të rojave, e kuptoi se ai çast duhej të ishte i afërt. I nxori këmbët nga uji, i mblodhi mbi karrige dhe mprehu dëgjimin.
Shokët duhet të ishin mbledhur nën altoparlantët. Kujtimi e merrte me mend se sa kureshtarë ishin bërë dhe ata.
Muzika u ndërpre.
Pjesa muzikore nuk mbaroi, ajo u ndërpre. U këput.
Shurdhëria ishte bërë e bukur.
- Ju flet Tirana! Po japim emisionin e lajmeve. Komunikatë e Komitetit Qendror...
Njeriu në birucën me ujë nuk po merrte frymë. Ai mezi po priste të mbaronte lista e atyre organizmave, që për të dhënë komunikatën, rreshtoheshin me Komitetin Qendror.
- Me pikëllim të thellë, njoftojmë, se, sot, duke u gdhirë njëmbëdhjetë prill, njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetepesë, pas një sëmundjeje të rëndë, vdiq biri i lavdishëm i popullit tonë, shoku Enver Hoxha...
Kujtimit iu errën sytë, lëshoi këmbët në ujin e birucës dhe u mbajt me të dy duart pas karriges prej hekuri për të mos u plandosur në dyshemenë e përmbytur.
Komunikata vazhdonte por i burgosur nuk po e dëgjonte më.
U zbulua enigma: kishte vdekur Enver Hoxha!
Kujtim Gjyzari nisi të qajë në heshtje. Dhe qau kështu për një kohë të gjatë. Mbase një orë. Mbase dy. Solli ndërmend babanë, nënën. Të dy ata kishin vdekur në burg. Pastaj kujtoi të tjerë, që patën vdekur në burg e që tok me prindërit e tij do të deshte t’i kishte këtu në këto çaste, kur në jetët njerëzore hiqen vija të trasha kufijsh kohorë. Kujtoi Bestar Melon. Kujtoi Gavrosh Shqerrën.... Kish shumë për të kujtuar dhe përfytyrimet e tyre, si shkëmbinj me rropamë, binin në pusin e madh të lotëve dhe shkaktonin dallgët që vërshonin e ngjanin sikur do të rrisnin ujin që mbulonte birucën.
Pastaj ai kujtoi dhe një njeri tjetër. Në hutimin fillestar e pat harruar, që ta bashkonte me listën e të parëve. Solli në kujtesë një djalë të dashur, gjashtëmbëdhjetë vjeçar, një qenie të brishtë, që, në çastin kur pat lindur, askush nuk pat mundur t’ia parathoshte, se po lindte për një jetë të gjatë burgu. Burg pa i bërë keq askujt. E pa i bërë askujt as mirë. Thjesht ai nuk pati kohë të bënte asgjë. Ai, thjesht, kish gjalluar, si gjallojnë ca insekte që i shohim kur heqim një bllok betoni, a një tra hekuri, të lënë në një vend, që kushedi se kur.
Mbyturazi, Kujtimi e ndjente se sot mund të quhej dita që i kishin hequr trarin, një tra të mbetur mbi të, shumë, shumë gjatë. Por kjo tani nuk e gëzonte aspak. Pas komunikatës, ai ndjeu trishtimin më të madh që pat ndjerë ndonjëherë dhe pusi i lotëve të tij dukej tani si i pashterrshëm. Ai e pranonte mundësinë, që në mos të nesërmen, pas një muaji, pas një viti, pas dy, do ta lëshonin, por nuk e kuptonte dot përse nuk gëzohej. Ai kish pritur vite me radhë ta lironin e tani me gojë të hidhur po vinte re se, pritjet për lirinë kishin qenë më të bukura se vetë liria. Tani, pritja çuditërisht kish humbur bukurinë. Kujtimi u tmerrua kur e kuptoi se ai nuk e desh më lirinë aq sa e kish dashur vite më parë, aq sa e kish dashur dje, aq sa e kish dashur para ca orësh, kur priste të merrte vesh se cilin përcillte kjo muzikë. Ai kish frikë të dilte. Mamaja nuk ishte më. Babai gjithashtu. Motrat vuanin dënimin dhe ato. Vëllezërit... Bëheshin mbi tridhjetë vitet që ai nuk dinte në cilin cep të botës u rrahin barqet atyre. Ai nuk kishte më njeri jashtë mureve të burgut. Pastaj, ai kishte frikë të ecte vetëm. Ai u trembej njerëzve. Dhe, e ndiente veten të vrarë, të pushkatuar, njësoj si Gavroshi, si Bestari... Veçse ky i pushkatuar kish mbetur i rrëzuar, por i gjallë. Ish nga ata të pushkatuarit që marrin frymë në fund të gropës, që nuk i ka prekur asnjë nga plumbat, por ndjejnë sipër një mal me kufoma.
Pas disa orësh ai vuri re se muzika kishte rifilluar. As muzika nuk ishte e bukur sa kishte qenë aty më parë, gjatë tërë asaj paradite.
Në birucë u fut polici që i solli bukën. Polici nuk ishte arrogant si herët e tjera. Ishte i heshtur dhe, nga ca lëvizje të pakontrolluara, dukej që ish bërë edhe i sjellshëm.
Më pas, për habinë e Kujtimit, uji i birucës kish shterrur. Me sa dukej kishin hapur saraçineskën e poshtme dhe kanali kish përpirë të gjithë ujin e ndotur të birucës. Kujtimi buzëqeshi kur përfytyroi që edhe lotët e tij të derdhur me orë të tëra kishin shkuar me ujin.
Edhe nata e re që mbuloi burgun, nuk qe e zonja ti sillte pak gjumë Kujtimit. Ishte nata e dytë pa gjumë kjo. Muzika qe ndalur në orën dhjetë, pas lajmeve, sikurse pushonte përherë. Dhe në mëngjes, në orën pesë, rifilloi, ashtu e mbytur, e rëndë.
Në një çast, dera u hap dhe i uroi mëngjesin, ashtu si nuk e kishte bërë për tridhjetë e dy vjet rresht.
- Hajde, dil që këtej,- i tha. Të kërkon operativi.
Roja nuk i vuri hekurat. E shoqëroi për në zyrën e Sigurimit, ku e kërkonin, dhe, te dera e zyrës trokiti me kujdes.
- Hyr! – ia bëri që brenda operativi me një ngrohtësi të papritur.
“Si mundet një vdekje të sjellë kaq ndryshime të menjëhershme?!” – vrau mendjen Gjyzari. “Më duket vdekja në ëndërr.”
Kujtimi u ul në atë karrigen që e patën vënë para se ta dërgonin në birucë. Në këtë karrige qe ulur edhe atëherë, kur operativi i vuri shkelmin në gjoks dhe e përmbysi praptazi.
Njeriu i pushtetshëm i zgjati një cigare por Kujtimi nuk e mori.
- Të kishin parë duke qarë, - tha operativi ndërsa ndizte cigaren e tij.
- Kush?
- Roja. Nga penxherka e fshehtë e portës. Ai kish thirrur pastaj edhe dy shokë të tjerë dhe fshehurazi të kishin vëzhguar që të tre.
Kujtimi ia nguli sytë duarve të tij të palidhura dhe nuk nxori zë. Operativi vazhdoi të thithte cigaren dhe të bashkonte heshtjen e tij me atë të Kujtimit.
Ishte po oficeri që e prishi.
- Është qarë shumë në të gjithë vendin. Nga Tirana kanë ardhur udhëzime që të mblidhen tërë vajet, tërë vjershat, tërë letrat e ngushëllimit, tërë ngjarjet prekëse, të jashtëzakonshme, që lidhen me këtë vdekje të madhe.
Kujtimi nuk dinte se ç’të thosh për këto gjëra që i tregonte operativi me atë zë të butë. Ai nuk e kuptonte dot përse ia thoshin këto. Dhe, në fund të fundit, përse e kishin thirrur këtu?
- Dhe lotët e tu, aty, ku nuk të shihte njeri, ishin një gjë e jashtëzakonshme, e bukur, që ne kemi vendosur të raportojmë. Dhe dhe sot kanë qarë disa nga të burgosurit, por ajo u ka ndodhur nga një dëshirë për tu dukur, për t’i parë ne. Logjika thotë që ata duhet të gëzoheshin.
Tjetri e dëgjonte oficerin me vëmendje dhe besonte në ato që thosh. Por ende kish dëshirë të zbulonte shkakun se përse po ia tregonin.
- Kurse vajtimi yt në vetmi, - vazhdoi operativi – ish i mbyllur, pa përpjekje për tu parë, se nuk kish kush të ta shihte, mes katër mureve. Ish një vajtim, që, siç më thanë, kish vazhduar me orë. Ish tjetër gjë ai i yti! Unë, sinqerisht, vetëm tani e besoj, se ëndrra për të cilën të futa në birucë, paska qenë e sinqertë, pa pikë urrejtjeje. Përkundrazi. Ne do t’ia raportojmë qendrës lotët e tu të ngrohtë për shokun Enver. Gjëja më e rrallë në tërë burgjet tona! Nuk e kam në dorë unë, por ama, jam i sigurtë, që falja jote duhet të jetë punë ditësh.
Kujtim Gjyzarit i erdhi inat me veten, që e kish kuptuar aq vonë oficerin.
- Shikoni, zoti operativ, nuk di a keni dëgjuar historinë time me birucat, se si e nisa burgun dhe përse më ndëshkonin. Shumë vetë e dinë atë histori. Unë nuk kam ndryshuar shumë që atëherë.
- Nuk po të kuptoj, - tha operativi.
Kujtimi mori frymë thellë.
- Nuk qava për Enver Hoxhën! Dhe duke përfituar nga hutimi i oficerit, shtoi: - Dhe për ëndrrën, mua më vjen turp që e pashë ashtu. Dhe që e tregova.
Ulërima e operativit u dëgjua në tërë burgun.
- Në birucë! Egërsirë! Gëzohuni, por mendoni se jeta juaj do të bëhet më e bukur pas vdekjes së tij! Do ta shikoni! Në birucë! Menjëherë! Roje!
Kujtim Gjyzarin e plasën përsëri në birucë.
Pas pak, dikush hapi sariçineskën dhe dalëngadalë uji në birucë arriti në nivelin e kërcijve të të burgosurit.
Kujtimi vetë nuk i shtoi më asnjë pikë nga lotët e tij.
Radioja vazhdonte të jepte muzikë funebre.
Marrë nga “Vdekja e Enver Hoxhës”. Titulli redaksional