Kujdes nga “Gërdeci” në arsim!
Mënyra si po procedohet në lidhje me tekstet shkollore ka shkaktuar shumë të pakënaqur në radhët e konsumatorëve të këtyre pseudoteksteve, në të cilat programet edukative janë inekzistente. I vetmi edukim që mund të marrësh nga këto libra të përpiluar nga “stafe akademikësh” është sesi të mësosh që të kthehesh në një racist i pastër. Tekstshkruajtësit e këtyre materialeve mësimore nuk janë të vetëdijshëm për faktin se shoqëria shqiptare është heterogjene dhe se në vendin tonë jetojnë bashkë me ne edhe minoritete dhe komunitete të ndryshme. Dhe, nëse ne do vazhdojmë të mësojmë (nga këto tekste informale), se njëri prej minoriteteve që jeton në Shqipëri quhet “gabel”, atëherë mund të themi se komuniteti “rom” është larguar njëherë e përgjithmonë nga “toka jonë”. Nëse Pollo nuk mund të krijojë një grup ekspertësh që të kryejë kontrollet e këtyre teksteve shkollore, që minojnë dijen, atëherë bën mirë që në programin e tij për reformë në arsim të rendisë në vend të parë të listës së shkarkimeve, emrin e tij. Nëse ne vazhdojmë diskriminimin ndaj këtij minoriteti, atëherë me ç’fytyrë i kërkojmë llogari Vasil Bollanos, që po shkakton një masakër informaliteti në Himarë?! Madje, greqizimi i identitetit të njeriut të parë që krijoi shtetin shqiptar mund të na futet një ditë dhe në tekstet e abetares. Pra, nëse ne nuk mësojmë identitetin real të njerëzve që bashkëjetojnë në këtë realitet kuturesk shqiptar, atëherë ç’pritet të ndodhë me brezat e ardhshëm? E kujt do jetë Shqipëria? Së dyti, akoma nuk është bërë e qartë, pse duhej të krijohej një sistem rimbursimi për tekstet shkollore, kur shumë mirë ato që në fillim duhet të shiteshin me koston reale dhe jo t’i detyrosh njerëzit që të mblidhen dy herë brenda një sezoni arsimor, duke krijuar radha të pafundme, që të kujtojnë kohën e “tollonave” të Ramiz Alisë.
Por kjo ndoshta është e keqja më e vogël që mund të ndodhë me arsimin në këtë vend. U pataksa një ditë, teksa dëgjoja një mikun tim tek bënte me dije se brenda një dite, pronari i një prej universiteteve më të mëdha private kishte shpërndarë rreth 800 diploma për studentët që frekuentonin institucionin e tij. Nga një llogari e thjeshtë më rezultoi se aq pará sa ka marrë në një ditë ky pronar, nuk i merr universiteti i Tiranës ndoshta në 5 vjet. Nuk dua t’i paragjykoj aspak këto lloj universitetesh, pasi tek-tuk gjenden nga ata që janë cilësorë dhe kanë stafe të përgatitura pedagogësh. Por ajo që dua të shpreh me këtë, është fakti që nga auditoret e këtyre universiteteve piramidalë po del një armatë e tërë studentësh, ku pjesa më e madhe e tyre, mbase dhe analfabetë, pritet të zaptojnë institucionet shtetërore, pasi, sipas konceptit piramidal të ushqyer nga Pollo, ata “janë intelektualë dhe kanë investuar për të ardhmen e tyre!” Është për të ardhur keq, që ndonjë pronar universiteti i mohon të drejtën e bursës një nxënësi që e meriton vërtet për të investuar në atë çka jep dhe e koncepton universitetin si sponsor për “Kafazin e Artë” apo për “Big Brother”, “Top Select” etj. Hapin ekspozita, thërrasin ministra e masonë për referate, duke e konceptuar universitetin më shumë si një cirk shëtitës sesa si një institucion ku mund të merret dije. Në parkinget e tyre gjen më shumë “BMW X5” apo Mercedes”-ë se te QTU, duke i kthyer këto institucione më shumë në panaire dhe demonstrime force. Të krijohet ideja se ai që ka më shumë pará, e meriton vërtet diplomën. Një dëshmi e injorancës në Kuvendin e Shqipërisë, që nuk dinte as të shkruante në kompjuter, me titullin “deputet”, pra i zgjedhur nga populli dhe që e vetmja herë që u vu në vëmendjen mediatike, ishte kur rrahu një arbitër, kishte tri diploma në xhep, një për Financë, një në Sociologji dhe të fundit në Juridik. Në rast se deri dje kishim një fenomen informal, ku nxënësit mund të merrnin diplomat duke paguar, sot e kemi formal, dhe e gjitha kjo dhuratë nga ministri Pollo. Paratë që këta studentë kanë paguar në një vit krijojnë te pronarët e tyre një buxhet, që universitetet publike nuk i mbledhin për pesë apo dhjetë vjet. Aq shumë është abuzuar me këtë fenomen, sa një analist i njohur për rajonin e Ballkanit, Gabriel Partosh, krahas shqetësimit për reformën zgjedhore dhe korrupsionin, rendiste si shqetësimin kryesor dhënien e diplomave false dhe shtimin e injorantëve të “diplomuar” në administratën shtetërore. Imagjinoni në një të ardhme njerëz që s’kanë mbaruar ende shkollën e mesme, që kapardisen në zyrat e shtetit, që rendisin CV-të e shkollimit në këto piramida, që si në asnjë vend tjetër të botës lulëzuan në Shqipëri. Armatë e tërë injorantësh, të diplomuar në epokën ‘Pollo’ me “BMW X5” që ryshfetin e ligjshëm që kanë dhënë për pronarët e universiteteve e konsiderojnë si një investim për të ardhmen. Është për t’u habitur se, pavarësisht korrupsionit të ish-ministrave socialistë në tendera a ku di unë tjetër, sërish ata e kishin moralin sa të mos cenonin në këtë mënyrë arsimin e lartë në vend. Po, me sa duket, fenomeni ‘Pollo’ është nga më të këqinjtë që mund të ketë njohur ky vend dhe në këtë rast s’na mbetet tjetër veç të themi: “Ruajna Zot, se s’dinë se ç’bëjnë!”
Në emër të reformës në arsim, Pollo ka miratuar pak ditë më parë dhe programin për shërbimin e psikologëve në çdo shkollë apo institucion, pasi ata funksiononin si shërbim eksperimental. Mbase për Pollon, emrin e “reformave të mëdha”, do të ishte më frytdhënëse që t’i përdorë këta psikologë shkollash si këshilltarë të tij, sepse që nga koha kur ai ndodhet në dikasterin më të lartë edukativ, duket se ka menduar për ta shndërruar atë në një institucion që të ngjan me fenomenin “Gërdec” në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ata pronarë universitetesh nuk janë gjë tjetër vetëm se Delijorgjët e Arsimit, me “ufot” që nxjerrin nga auditorët e tyre. Ajo që po bën Pollanoja, mbase nuk do të ketë atë shpërthimin e tmerrshëm të Gërdecit në aspektin fizik të çështjes, por pasojat e kësaj të ashtuquajture “reformë” do të pasohen nga brezi në brez dhe do hapin kraterin më të madh në historinë e këtij vendi. Elias Kaneti në librin e tij “Masa dhe Pushteti” do ta kishte përmbledhur thelbin e reformës në arsim duke thënë: “Asgjë nuk i ka përkitur më shumë një njeriu sesa diçka që është shndërruar në jashtëqitje”. Kështu, demontimi i dijes do pasohet me demontimin inteligjencës së shqiptarëve. Racizmi dhe analfabetizmi do jenë në piedestalin e tyre më të madh dhe dhuratë më të keqe Pollo nuk kishte si i bënte këtij vendi.