E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Përputhja me Kushtetutën? Do të flas me dekret për SHISH

“Kriza të zgjidhet, përndryshe kemi ditë të zymta”

Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, ka deklaruar se do ta dekretojë ligjin mbi Shërbimin Informativ Shtetëror vetëm nëse ai do të jetë në përputhje me Kushtetutën. Gjatë një interviste në televizionin “News 24”, pikërisht në emisionin “Pesë pyetje nga Babaramo”, kreu i shtetit shqiptar, ka deklaruar se “Mesazhi i Presidentit vjen gjithmonë në momentin kur ka të depozituar zyrtarisht ligjin e miratuar në Parlament. Pra, Presidenti flet me dekret dhe do të ishte gabim që unë të merrja një pozicion paragjykues për cilindo ligj, qoftë dhe për një ligj që po debatohet në strukturat parlamentare, po debatohet në media, ka prononcime. Pozicioni i Presidentit është në funksion të gjykimit që Presidenti i Republikës do i bëjë lidhur me përputhshmërinë e ligjit në momentin kur depozitohet në Presidencë”.

Kriza

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dhënë një mesazh të qartë dhe të fortë ndaj politikës shqiptare, duke bërë thirrje për një marrëveshje në Parlament mes mazhorancës e opozitës, madje ka lëshuar edhe një paralajmërim që mosarritja e tij mund të sjellë dëme për vendin. Gjatë intervistës, kreu i shtetit shqiptar, ka deklaruar se “Do të jetë një ditë shumë e zymtë momenti, kur nuk do të ketë debat politik, pasi askush nuk duhet të trembet nga debati politik. Uroj që ky debat politik të ketë sa më shumë argumente dhe pas debateve politike, patjetër që duhet të precipitojnë zgjidhje, përndryshe ne futemi në një rreth vicioz, shkëmbejmë akuza, nuk dalim në zgjidhje dhe njerëzit ju siguroj që janë gjithmonë në pritje të zgjidhjeve, të cilat janë të tilla që kanë të bëjnë me interesat e tyre dhe interesat janë nga më të larmishmet, interesat janë për një qetësi, për një stabilitet politik, interesat janë për një rritje të mirëqenies ekonomike, interesat e njerëzve janë për të lëvizur të lirë, pra, për të përfituar atë që vendet ku ne mendojmë të aderojmë, vendet e Bashkimit Europian i kanë arritur prej vitesh, i gëzojnë”. Presidenti Topi, duke detajuar mesazhin e tij ka vënë përgjegjësinë mbi shpatullat e asaj që e ka, pra klasës politike, duke i kërkuar që duhet ta zgjidhë krizën, pasi njerëzit janë në pritje të zhbllokimit të situatës. “Dëshiroj të them që cikli i jetës, cikli biologjik është i tillë që duhet të bëjë që të gëzojnë edhe ata njerëz, të cilët kanë përjetuar dekada në izolim, kanë dëshirë që në vitet që i kanë mbetur ta gëzojnë lirinë, demokracinë, jo thjesht në retorika verbale, por ta gëzojnë realisht dhe akoma më shumë, të mendojnë edhe për fëmijët e tyre, që kërkojnë të jetojnë në një vend, që i ka të gjitha kushtet për të qenë një vend me begati ekonomike, një vend që nuk ka nevojë që ta ripërsëris, që është në qendër të Europës, që domosdoshmërisht kërkon një klimë politike bashkëpunuese, që kërkon patjetër të realizojë reformat më thelbësore, që çdo njeri do ta bënte të lumtur në vullnetin e gjithsecilit, por edhe me mundin personal të gjithsecilit”.

Gjykatat

Presidenti Topi ka folur edhe për procesin e rinovimit të vendeve vakante në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Kreu i shtetit ka theksuar se e ka vonuar emërimin e tyre, pasi ka pritur një zgjidhje të krizës dhe rikthimin e jetës normale në Parlament. “Kam dashur që anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe ata që do të vijnë më prapa, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që nga nëntë, janë gjashtë, kanë një kohëzgjatje nëntëvjeçare, është një ndërmarrje shumë e rëndësishme, do të doja të zgjidhen nga një Parlament ku të jenë të pranishëm të gjithë”, theksoi Topi. Ndërkohë, duke folur për procesin e konsultimit, Presidenti tha se “është shumë e rëndësishme që të jenë zgjedhje shumë cilësore, mundësisht të pakontestuara dhe të japin shansin dhe sigurinë që do të drejtojnë dy institucione shumë të rëndësishme që do të japin drejtësi për një kohë relativisht të gjatë. Janë nëntë vjet. Nëntë vjet nuk janë pak. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë kanë një kohëzgjatje prej nëntë vjetësh, ndërkohë që cikli i një mazhorance është katërvjeçar, cikli i një Presidenti është pesëvjeçar, ndërsa këto gjykata të rëndësishme kanë një cikël nëntëvjeçar. Pra, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm, duhet të arrijmë në finalen e një procesi që nuk duhet të ketë kontestime”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›