Një festival ndërkombëtar filmi në qytetin pa kinema
Nga Sheila Johnston
Një herë e një kohë - dhe për një kohë të gjatë nën vijën e rreptë marksiste të Enver Hoxhës – kinemaja botërore prezantohej në Shqipëri nga Norman Uisdom (Norman Wisdom). Sot, 26 vjet pas vdekjes së Hoxhës dhe 21 vjet pas rënies së komunizmit, pikërisht Durrësi, qyteti i dytë më i rëndësishëm në Shqipëri, ka pritur një Festival Ndërkombëtar të Filmit, ku të ftuar ishin Frencis Ford Kopola (Francis Ford Coppola), Jiri Menzeland (Jiří Menzeland) dhe Klaudia Kardinale (Claudia Cardinale). Kohët kanë ndryshuar dhe kjo duket. Shqipëria ka dalë nga izolimi i saj fatkeq e veshur me petkun e sofistikuar të tipit “glamour” (magjepsës). Edhe pse kjo nuk ka ndodhur aq shpejt sa bota kishte shpresuar.
Nën hijen e “Gladiadorit të Artë”, që është dhe emblema e këtij Festivali, në postera shkruhej “Art është mbiemri i qytetit tim”. Ky Festival është ideuar edhe për të promovuar imazhin e një qyteti bregdetar si Durrësi edhe pse një notë pasigurie u vu re në tonin e kryetarit të Bashkisë, Vangjush Dako, i cili i bënte thirrje shtetit për mbështetje financiare të Festivalit. Thoma Logoreci, një shqiptaro-amerikan veteran i kinemasë, i martuar me amerikane, jeton në Durrës që prej 7 vitesh. Ai është pak më i sertë në fjalët e tij. Ai e përshkruan skenën artistike me një fjalë: “e zymtë”. Ajo që na shfaqet si kulturë, thotë ai, janë 70 kanale mediokre televizioni (ku çdo fshat ka kanalin e vet) që pompojnë publikun me lajme lokale në çdo minutë dhe muzikë komerciale që e dëgjon në çdo cep të qytetit të Durrësit si dhe në resortet turistike në plazh, me qëllim për të tërhequr një numër të madh turistësh. Një lloj muzikë që të shurdhon veshët e të rikthen në vitet ’80, kur ishte moda e Euro-diskove. Asnjë nuk ndalet të promovojë historinë e këtij qyteti që nga lashtësia e deri në kohët moderne”- thotë Thomai.
Enver Hoxha mund të ketë vdekur, por fantazma e tij është ende gjallë. Në Durrës disa i referohen atij thjesht me “diktatori”. As emrin nuk duan t’ia zënë me gojë. Rënia katastrofike e vendit pas skemave piramidale, të cilat shkatërruan ekonominë në vitin 1997, nuk e ka ndihmuar këtë vend e sigurisht as grushti i shteti që pasoi. “Mbi 20 vjet pas rënies së komunizmit Shqipëria është ende një vend në tranzicion”- shton Logoreci duke psherëtirë.
Durrësi në ditët e Festivalit
Filmat e Festivalit u shfaqen në ekranin e improvizuar të vendosur në një qendër kulturore dhe në një tjetër ekran të vendosur në Amfiteatrin Antik të Durrësit, një xhevahir i trashëgimisë së këtij qyteti, që thuhet se është struktura më e madhe e zbuluar e një amfiteatri në Ballkan dhe kandidat potent për t’u përfshirë në programin e Mbrojtjes së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Por Amfiteatri i Durrësit nuk është aspak një arenë e mirëmbajtur. Për të shkuar atje s’ka rrugë, por duhet të kalosh përmes barishteve, pastaj pikiatë poshtë një rrugice të errët, gjithashtu dhe kjo mbuluar me barishte, e duke anashkaluar rrënojat që janë në një distancë shumë të afërt me Unazën dhe shtëpitë moderne të qytetit. Ndërkohë që shfaqeshin filma, fenerët e makinave luksoze që kalonin rrugës ndriçonin arenën, ndërsa vendësit hipur mbi biçikleta shkonin drejt punës së përditshme. Fiks në orën 9.00 të mëngjesit nga një xhami aty pranë lëshohej “muzika” e përditshme.
Nën diktaturë qindra filma realizoheshin brenda një viti. Sot nuk realizohen më shumë se 1-2 filma në vit dhe ndonjëherë edhe fare. “Amnistia”, një prej tyre, bazuar në një dramë bashkëkohore, ngjalli interes dhe pati sukses në disa Festivale Ndërkombëtare. Në Shqipëri, në fakt, janë dy shkolla kinemaje nga ku diplomohen studentë të cilët shpresojnë se një ditë do të jenë pjesë e festivaleve, edhe pse e ardhmja e tyre nuk është aq e pashpresë, beson Nik Pawell, një producent i njohur britanik, i cili drejton një shkollë filmi dhe televizioni. E rreth kësaj çështjeje, tashmë që kufijtë dhe përkatësitë janë fluide, ju nevojitet të mendoni përtej kufijve kombëtarë, - u thotë Powell studentëve të filmit. Dhe Shqipëria duket se është pozicionuar shumë mirë si një co-production në fushën e kinematografisë, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit.
Në kërkim të botës
Ndryshimi është paksa i vonuar pas sundimit 40-vjeçar me dorë të hekurt nga Enver Hoxha. Megjithatë, sipas Ismail Kadaresë, shkrimtari më i njohur shqiptar, Perëndimi është pjesërisht fajtor për dekadat e gjata në karantinë të vendit. “Perëndimi e fali Titon dhe e ndihmoi Jugosllavinë, por nuk fali dot Enver Hoxhën”- i thoshte Kadare gazetarit të “The Independent” në një intervistë të vitit 1999. “Kur Enver Hoxha prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik në vitin 1962, ai ishte i gatshëm t’i kthehej Europës, por e refuzuan, kështu që bëri një aleancë absurde dhe jetëshkurtër me Kinën” - vazhdon Kadare. “Dhe kur gjithçka shkoi keq, ai ndërtoi mijëra bunkerë, të cilët, edhe pse e dinte që ishin të padobishëm krijuan një psikozë frike. Shqipëria vuajti më shumë se çdo vend tjetër i Europës Lindore”. E në kërkim të botës jashtë tyre, njerëzit do të sajonin antena për t’i vënë në kulmet më të larta të tarracave të shtëpive të tyre, me shpresën se do të mund të thithnin ndonjë valë nga kanalet e televizioneve italiane apo jugosllave (duke i hequr sigurisht ato nga tarraca para agimit). Sër Norman, thuhet se ishte i vetmi aktor perëndimor, filmat e të cilit u lejuan të shfaqeshin në atë kohë. Tirana i dha atij çmimin “Liria e qytetit” në vitin 1995. Ndërkohë, kur ai vdiq, në vitin 2010, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i shkruante familjes së aktorit: “Jam i dëshpëruar për humbjen e një prej aktorëve më të mëdhenj të komedisë botërore, një aktor veçanërisht i preferuar për publikun shqiptar dhe një nga miqtë më të dashur të kombit tonë”. Festivali në Durrës, ndërkohë, zhvillohej nën tymin e smogut dhe ndriçimin “glamour” edhe pse me një buxhet të vogël. E, si për ironi, “Gladiatori i Artë” shkon për një film që flet për një tjetër diktator.
Udhëtimi në Tiranë
Në autostradë përballemi me një re pafund gazrash dhe zhurmash, që shkaktohen nga një trafik tejet i rënduar. Dikur nëpër rrugët e qyteteve shihje pak makina, pasi Hoxha nuk lejonte makina private, ndërsa sot një familje mund të ketë 2-3 makina në përdorim. Po shkojmë drejt Tiranës, kryeqyteti më i ndotur në Europë. Rreth nesh në vend të bunkerëve të dikurshëm janë ngritur pallate shumëkatëshe që ndahen njëri nga tjetri nga një korridor i ngushtë që shërben si oborr. Më përpara dy qytete larg, Durrësi dhe Tirana të ndarë mes tyre nga 35 kilometra rrugë, shumë shpejt do të shkrihen në një, kështu beson regjisori Kujtim Çashku, ku një prej filmave të tij është edhe ‘Kolonel Bunker’ (1998). Çashku dëshiron të na tregojë për shkollën e parë të filmit, krijuar prej tij në vitin 2004. Akademia e Filmit dhe Multimedia Marubi (që mban emrin e fotografit të shek të 19-të, Pietro Marubi) është vendosur mes Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Arkivit të Filmit, në ata pak metra katrorë të qytetit që kanë mbetur ende të gjelbëruara. Mbjellë me pemë ulliri dhe pishe, kopshti i tij paqësor është zbukuruar me vepra arti të studentëve të akademisë, rrethuar me tela me gjemba, në kujtim të një kohe “të zymtë” për këtë shkollë….
Sërish në Durrës
Duke u rikthyer sërish në Durrës, nën drejtimin artistik të Anila Varfit (e cila është dhe bashkëshortja e nënkryetarit), festivali, veshur me petkun “glamour”, pati një rrugëtim të shkurtër, ai u organizua nga data 27 gusht -2 shtator me një buxhet të vogël. Regjisori Kopola për rreth 2 ore iu rrëfye studentëve të filmit, duke kujtuar eksperiencën e parë në Jugosllavi si asistent i ri në një nga filmat e Roger Corman-it, ku ishte habitur nga vendi “kështjellë” përtej kufirit. Mrekullisht, një lidhje me Shqipërinë, dikush gjeti edhe për Klaudia Kardinalen gjithashtu: në natën finale ajo u prezantua me një film të Federiko Felinit (Federico Fellini). Ishte një nga filmat e preferuar të Enver Hoxhës (ashtu si shumë diktatorë, ai ishte adhurues i kinemasë dhe zotëronte kryeveprën e Felinit), por që nuk ishte shfaqur kurrë më parë për publikun shqiptar. Ndoshta është një rastësi e bukur, por “Gladiatori i Artë” i Festivalit shkoi për filmin Vincere (Të fitosh), një film kushtuar pikërisht Benito Musolinit.
Përgatiti: A.Tuci (marrë me shkurtime nga Arts Desk).