E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzat për ryshfet? Gjunkshi: Me letra anonime goditet kushdo

SHKRUAN: Habjon Hasani 07-09-2011 10:56

Letra e pa firmosur e një grupi komandosh ka futur emrin e shefit të ri të Shtabit të Ushtrisë, Xhemal Gjunkshi, në dosjen “Wikileaks” për Shqipërinë. Përmes kësaj letre, të zbardhur në një kabllogram të ish-ambasadorit Withers, shefi i Shtabit akuzohej se merrte deri në 7 mijë dollarë ryshfet nga një komando që nisej në mision. Por shefi i Shtabit, Gjunkshi, pohon për gazetën MAPO se është absurde të komentojë akuzat që vijnë nga letrat anonime. “Nuk më ngelet veçse t’i injoroj letrat anonime. Unë nuk mund të komentoj apo të reagoj ndaj letrave anonime, që mund t’i jenë dërguar ambasadës amerikane”, - thotë shefi i Shtabit, duke hedhur kësisoj poshtë zërat për përfshirjen e tij në afera korruptive. Kabllogramin e nisur drejt Washingtonit për të nga ish-ambasadori Withers, Gjunkshi e cilëson si të pabazë dhe të pavlerë për t’i kushtuar rëndësi. “Me letra anonime mund të thuhet gjithçka kundër gjithkujt, kështu që do ishte e kotë t’u kushtoje rëndësi”, - i tha dje kreu i Shtabit të Përgjithshëm MAPO-s. Megjithëse indiferent ndaj kabllogrameve të Wikileaks, kreu i Shtabit pohon se është i hapur ndaj hetimeve, nëse dikush do t’i drejtohej organeve të drejtësisë. Sipas kolonel Gjunkshit, cilido person apo zyrtar shtetëror që ka për të denoncuar një akt korruptiv apo është në dijeni të një akti korruptiv, vë në lëvizje organet hetimore dhe ligjzbatuese të drejtësisë dhe nuk dërgon letra anonime. “Cilido person në moshë madhore që ka për të denoncuar një akt të paligjshëm, e di shumë mirë sesi veprohet dhe se ku duhet të drejtohet. Unë nuk kam çfarë të reagoj ndaj akuzave të bëra në ajër, me autorësi të paqartë. Qoftë nga pikëpamja morale, qoftë nga pikëpamja ligjore, unë jam tërësisht indiferent ndaj këtyre letrave anonime. Ka ligje dhe rregulla administrata dhe shteti në tërësi, që përcaktojnë qartazi se si dhe ku duhet të drejtohesh, nëse ke një rast korruptiv për të denoncuar”, - iu përgjigj dje akuzave Shefi i Shtabit të Ushtrisë. Emri i shefit të Shtabit, kolonel Xhemal Gjunkshi, u lakua në një kabllogram që ish-ambasadori amerikan Xhon Withers i ka dërguar Departamentit të Shtetit në nëntor të vitit 2008. Sipas kabllogramit, një grup oficerësh kishin dërguar një letër të pafirmosur në disa institucione të larta shtetërore dhe në Ambasadën Amerikane, ku denonconin Gjunkshin, në atë kohë komandat i regjimentit të komandove në Zall-Herr, se merrte ryshfet për të emëruar ushtarakët në misionet paqeruajtëse jashtë shtetit, kryesisht Irak. “Pagesa e ryshfetit që një ushtarak duhet të paguajë për të shkuar në Irak është 7 mijë dollarë, gati gjysma e shpërblimit që ata do të merrnin për një periudhë 6-mujore qëndrimi atje”, -thuhet në kabllogramin e ish-ambasadorit Withers. Grupi i komandove që ka akuzuar kolonel Gjunkshin, përmes një letre konfidenciale, kanë vënë në dijeni për këtë aferë drejtuesit më të lartë të qeverisë. Në letër shefi aktual i shtabit akuzohej jo vetëm për ryshfete në përcaktimin e komandove që shkonin me misione jashtë shtetit, por edhe si i përfshirë në skema të tjera korruptive. Siç citon edhe kabllogrami, oficerët madje kanë kërcënuar se do ia dërgojnë letrën edhe gazetës prestigjioze “New York Times”, e cila në atë kohë ishte bërë mjaft e njohur në Shqipëri për shkak të investigimeve mbi korrupsionin në ngjarjen e Gërdecit. Ambasada shkruan se praktika e ryshfeteve në misionet paqeruajtëse nuk është e re për ushtrinë shqiptare dhe pasojat e saj janë se në misionet komando jashtë po dërgohen edhe njerëz të pa trajnuar. Nga ana e tij, shefi i Shtabit dje në një prononcim për MAPO-n injoroi tërësisht këto letra konfidenciale, dërguar institucioneve, duke i konsideruar “letra anonime” që, sipas tij, nuk mbartin seriozitetin dhe besueshmërinë e duhur për të merituar një reagim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›