E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurset, dalin pikët për Arkitekturën dhe Urbanistikën

SHKRUAN: Jonida Tashi 07-09-2011 13:00

Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit shpall rezultatet e konkursit për degët Arkitekturë dhe Urbanist. Pas mbylljes së fazës së konkurseve, ditën e hënë të kësaj jave, një komision i posaçëm në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit ka bërë vlerësimin e të gjithë kandidatëve për të tria seancat, duke nxjerrë edhe pikët përkatëse për secilën prej tyre, si dhe totalin e pikëve që ka marrë çdo maturant. Tashmë, rezultatet e konkurseve janë dërguar në Agjencinë Kombëtare të Provimeve, specialistët e së cilës do të përcaktojnë edhe fituesit e universiteteve. Gjithsesi, para daljes së këtyre rezultateve, MASH ka përcaktuar pikët që do t’u duhen maturantëve për t’u shpallur fitues në degët e studimit me konkurs pranimi. Kështu, për dy degët me konkurs të Universitetit Politeknik të Tiranës, Arkitekt dhe Urbanist, kjo e fundit do të ofrohet për herë të parë gjatë vitit të ri akademik, Matura do të zërë 40% të pikëve totale, ndërsa konkursi 60%. Pikët maksimale që duhet të marrë një maturant në konkursin për Arkitekt dhe Urbanist janë 65. Në konkursin e pranimeve për programet e studimit “Arkitekturë-Arkitekt” dhe “Arkitekturë-Urbanist” kanë marrë pjesë rreth 500 maturantë, ndërsa numri i kuotave të miratuara nga qeveria për këto dy degë është 120. Për vitin e ri akademik në degën e Arkitekturës do të pranohen 80 kandidatë, ndërsa për Urbanist 40 të tillë. Tarifa e studimit për këto dy degë do të jetë e njëjtë dhe vlera e saj kap shifrën 31 900 lekë.

Fituesit

Fituesit e universiteteve do të shpallen në datën 11 shtator, që përkon me ditën e diel të kësaj jave. Ky afat bëhet i ditur nga drejtori i pranimeve në Agjencinë Kombëtare të Pranimeve, Arben Fagu, i cili sqaron të gjitha detajet rreth shpalljes së fituesve si student në universitete, ndërkohë që këshillon maturantët që të kryejnë regjistrimet e para në degët që ata kanë fituar, pasin në të kundërt, dalin jashtë sistemit, duke humbur kështu të drejtën e studimeve. “Lista paraprake shpallet në website-in e Ministrisë së Arsimit, në datën 11 shtator. Maturantët duhet menjëherë të marrin masa për regjistrimin, të shkojnë në universitet të bëjnë rregjistrimin dhe të marrin me vete të gjitha dokumentet që kërkohen për këtë rast dhe, për më tepër, që ka një pagesë, një tarifë 1550 lekë”, - pohon drejtori i pranimeve në universitete. Ndërkaq, ai sqaron se në datën 23 shtator do të shpallen listat përfundimtare të fituesve, pas plotësimit të kuotave bosh. “Duke krijuar këto vendet vakante, vende boshe, ai ngjitet në listën përfundimtare më sipër. Pra, sistemi punon në mënyrë të tillë që, nëse ti ke marrë një preferencë të katërt në renditje në listën paraprake, mund të shkosh në vend të tretë, të dytë apo të parë, në listën përfundimtare. Varet sa fatlum je”, - thotë Fagu. Këtë vit, ndryshe nga ato të kaluarat, nuk do të ketë shpërndarje kuotash nga një fakultet në tjetrin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›