Një festival për romët në Prishtinë
Është mbajtur i pari festival i bërë nga romët dhe për romët, "Rrolling Film Festival". Ky festival është një përpjekje e përbashkët e krijuesve të filmit që, përmes syrit të tretë, kamerës, të sjellin morinë e rrëfimeve dhe të pamjeve të një komuniteti, i cili, për shkaqe të ndryshme, në vitet e pasluftës ka qenë i margjinalizuar. Sipas ministrit kosovar të Kulturës, Valton Beqiri, i pranishëm në këtë aktivitet, organizimi i këtij festivali është edhe "shprehje e dëshirës tonë të përbashkët për ta trajtuar në mënyrë të hapur dhe në këndvështrim kritik qëndrimin dhe trajtimin shpesh paragjykues ndaj komunitetit rom". Një pjesë e konsiderueshme e filmave të këtij edicioni, që u mbyll më 21 tetor, ishin krijuar nga vetë romët, ndërkohë që disa filma të tjerë nga kineastë me përkatësi jo-rome.