E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një fillim i jashtëzakonshëm

Duket e jashtëzakonshme se çka mund të arrijnë njerëzit, kur ata zgjedhin të veprojnë me përgjegjësi. Politika britanike posa e tregoi një shembull të këtillë të fuqishëm.
Duke mos humbur kohë, më 6 maj, britanikët dolën në votime në zgjedhjet e përgjithshme. Të nesërmen ishte e qartë se asnjë parti nuk do ta kishte shumicën në Parlamentin me 650 vende. Konservatorët do të jenë grupi më i madh me 306 vende, partia e dytë do të jetë ajo laburiste me 258 mandate dhe në vendin e tretë mbeten liberalë-demokratët me 57 vende. Kishte edhe disa grupe më të vogla të partive rajonale me vende deputetësh në përbërjen e re të Parlamentit.

Lideri i Partisë Konservatore, David Cameron, u ballafaqua me mundësinë e përpjekjes për formimin e qeverisë së pakicës apo koalicion të ndërlikuar me partitë rajonale. Asnjëra nga këto mundësi nuk premtonte stabilitet. Koalicioni me laburistët ose liberalë-demokratët do të krijonte një shumicë të fuqishme për qeverisje, por britanikët nuk kanë pasur qeveri të koalicionit prej vitit 1945 dhe atë nuk e konsiderojnë si diçka normale.

Megjithatë, z. Cameron dhe lideri i liberalë-demokratëve, Nick Clegg, vepruan shpejt dhe me përgjegjësi në interes kombëtar. Ata e dinin se çfarë mundësish dhe opsionesh kishin dhe nuk humbën kohë lidhur me këtë çështje të rëndësishme, që i bashkonte dhe i ndante të dy partitë e tyre. Së shpejti ata e krijuan marrëveshjen për koalicion dhe bllokun votues prej 365 anëtarëve të Parlamentit. Më 11 maj, Mbretëresha zyrtarisht kërkoi nga lideri David Cameron ta formojë qeverinë si kryeministër. Pas dy ditësh, kabineti u takua për të parën herë... vetëm një javë nga dita e zgjedhjeve! Qeveria stabile është e rëndësishme, pasi autoriteti legjislativ dhe ekzekutiv janë të bashkuar në mënyrë efektive në sistemin britanik, që historikisht ishte i njohur si “sekret efecient” i rendit kushtetues britanik. Qeveria mund të detyrohet të tërhiqet me votë parlamentare, apo kryeministri mund të kërkojë shpërndarjen e Parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja kurdo që ai të dëshirojë, megjithëse ai këtë duhet ta bëjë së paku çdo pesë vjet. Por, në thelb qeveria stabile, me shumicë parlamentare, është e sigurt për pesë vjet, së paku në teori.

Udhëheqësit Cameron dhe Clegg me të shpejtë i zgjodhën çështjet e rëndësishme për kabinetin e tyre prej 18 konservarotësh dhe 5 liberalë-demokratësh. Çështja qendrore për liberal/demokratët - dhe çmimi i tyre për bashkim në koalicion – ishte ndryshimi i sistemit zgjedhor. Hapat e parë do të ndërmerren së shpejti drejt reformës elektorale, që synon ndryshimin e sistemit ekzistues nga varianti që fituesi e merr gjithë pushtetin në secilin distrikt zgjedhor, e deri në diçka që më tepër i përngjan përfaqësimit proporcional. Sistemi aktual favorizon pushtetin dypartiak të konservatorëve dhe laburistëve, ndërsa partia më e vogël, liberalë-demokratët, insistoi që përfaqësimi proporcional të paraqitej duke u dhënë atyre më tepër vende në Parlament. Zoti Cameron e dinte shumë mirë se ky ishte çmimi që duhej ta paguante për koalicion stabil dhe ai e pagoi atë pa humbur kohë. Liberalë-demokratët po ashtu duket se e arritën dëshirën e tyre për reformë, e cila do ta fiksonte mandatin e Parlamentit në vetëm pesë vjet pa zgjedhje të parakohshme, me përjashtim në rastin kur qeveria e humb votëbesimin në çështje madhore.

Në shkëmbim, liberalë-demokratët është dashur të pajtohen për një kufizim vjetor të emigrimit dhe për një qëndrim më të ashpër ndaj BE-së. Por, ata po ashtu e dinin mirë se duhej paguar një çmim për të qenë pjesë e qeverisë së re dhe ata e paguan atë. Të dyja partitë e dinin se zvogëlimi i deficitit të shpenzimeve të qeverisë dhe përmirësimi i ekonomisë duhet të jenë në krye të listës së prioriteteve të tyre dhe mbledhja e parë e kabinetit u fokusua në këto çështje. Ministrat u pajtuan për zvogëlimin prej 5 për qind të pagave të tyre dhe ngrirje 5-vjeçare të pagave. Deficiti buxhetor qëndron në afro 12 për qind GDP-së, që është i ngjashëm me atë të Greqisë. Kur të shpallet buxheti i ri më 20 qershor, mund të presim shkurtime në afro 6 miliardë euro. Qeveria e re posa e ka filluar punën e saj. Ka probleme të mëdha përpara, që nuk do të jenë të lehta, për faktin se ky është një kabinet shumë i ri (sipas standardeve britanike) me pak ministra me përvojë. Pra, përjashtim bëjnë Kenneth Clarke në drejtësi dhe William Hague në Ministrinë e Jashtme. Zoti Hague është konservator parimor me një skepticizëm të shëndoshë ndaj BE-së. Ai mund të pritet se do të shtrojë pyetje të ashpra nëse Berlini dhe Parisi përpiqen për të marrë më tepër autoritet për burokratët e pazgjedhur në Bruksel nga shtetet anëtare, me qeveritë e tyre të zgjedhura në mënyrë demokratike.

Sjellja me përgjegjësi e liderëve politikë britanikë meriton të admirohet dhe të lavdërohet. Këtu nuk mendohet vetëm në liderët Cameron dhe Clegg, por po ashtu edhe në ish-kryeministrin Gordon Brown, i cili e diti se humbi dhe u largua nga zyra në mënyrë dinjitoze. Ai nuk u përpoq të mbetet në pushtet, të cilin tashmë e humbi. Për fat të keq, ka shumë shembuj të sjelljes më pak përgjegjëse në mbarë botën. Në vendin tim, në SHBA, ku po thuajse çdo herë kur presidenti përpiqet ta emërojë zyrtarin e kabinetit, gjyqtarin apo ambasadorin, duhet të bëjë një luftë partiake me anëtarët e opozitës në Kongres. Siç thoshte Mao Ce Duni, “politika është në komandë” e jo ndjenjë patriotike e detyrës. Në Gjermani kemi parë që guvernatorët shtetërorë, që kishin humbur, luftuan me javë për të mbetur në zyrë, megjithëqë ishte e qartë për çdonjërin se zgjedhësit kishin votuar për ndryshime. Në Shqipëri, një bojkot opozitar po ndodh për disa muaj dhe nuk shihet përfundimi i tij. Në Meksikë, opozita për një kohë të gjatë është përpjekur për ta ndalur jetën publike në kryeqytet, pasi kandidati opozitar humbi në zgjedhjet presidenciale në vitin 2006.

Me gjasë, rasti më i rëndësishëm, që paraqet kontrast me sjelljen e liderëve britanikë, Cameron dhe Clegg, është ai me luftën e fshehtë politike të presidentit francez, Nicolas Sarkozy, dhe i të tjerëve që janë të angazhuar në garën dramatike të autoritetit lidhur me të ardhmen e euro-grupit. (Patrick Moore)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›