Një fillim i ri

Kinemaja ABC ka hyrë në një fazë të re, në atë të digjitalizimit dhe të shfaqjes së filmave 3D. Pas një pauze njëmujore, pauzë kjo e bërë për shkak të punimeve për vendosjen e teknologjisë së re, udhëheqësit e kinemasë e mbajtën premtimin që e kishin dhënë. E sollën filmin e parë në 3D dhe thanë se do të vazhdojnë me sjelljen e premierave botërore të këtij formati.
Përmes një komunikate, në të cilën vlerësohej puna që është bërë për sjelljen e kësaj teknologjie, kompania ‘Genci’, e cila menaxhon me kinemanë, thekson se përmes formatit të ri do ta bëjnë botën e filmit një pjesë të rëndësishme të jetës së qytetarëve.
“Po shënojmë pra sot një fillim të ri, në një mënyrë të re dhe në hap me zhvillimin teknik e teknologjik në botë”, thuhet midis tjerash në këtë komunikatë.
Për udhëheqësit dhe për stafin e kinemasë si dhe për ata që kanë rrugëtuar me këtë kinema gjatë këtyre 12 vjetëve, po hapet një faqe e re dhe një mundësi më e madhe e zhvillimit. Kinemaja ABC, siç thuhet në komunikatë, prej sot po inkuadrohet në botën e zhvilluar të kinematografisë duke ofruar një mundësi më të madhe për shikuesit e saj përmes shfaqjes së filmave në formatin 3D.
“Ky është hap i madh përpara brenda pak vitesh, për kinemanë e qytetit, që vazhdon të jetë e vetmja në gjithë Kosovën dhe për Kosovën, një hap i ndërmarrë nga vetë kompania jonë. Ky është një sukses yni dhe ne besojmë fuqishëm se do të vazhdojmë të jemi në hap me shikuesin dhe me kërkesat e nevojat e tij. Me këtë ndryshim që po ndodh, po ndërtojmë një marrëdhënie të re dhe të fuqishme me shikuesin tonë, duke përmbushur nevojat e tij, në domosdoshmëri të kohës dhe duke e modernizuar kinemanë e qytetit”, thuhet po aty.
Ata besojnë se formati 3D do të ndihmojë në rikthimin e shikuesve në sallë, do të ndryshojë përcepcionin për filmin dhe do të zvogëlojë pengesat që i janë bërë kinematografisë dhe kinemasë në përgjithësi.
Rritja e shikuesve vërehej edhe në shfaqjen për media të filmit ‘The Amazing Spiderman’. Numri i tyre ishte dukshëm më i madh se herëve të tjera kur shfaqej ndonjë premierë.
Miradije Vllahiu, menaxhere në kompaninë ‘Genci’, u shpreh për Express se që nga sot ne jemi pjesë e botës së zhvilluar kinematografike, duke iu ofruar shikuesve tanë shfaqjen e filmave në një format 3D.
“Duke konsideruar se ka qenë kërkesë e kohës dhe domosdoshmëri, duke pasur mbështetje edhe nga distributorët tanë qendror nga Zagrebi, kemi gjetur një formë të bashkëpunimit dhe e kemi sjellë këtë teknologji si një ofertë dhe një mundësi më tepër për shikuesit tanë”, tha ajo.
Vllahiu shtoi se kinemaja ABC që nga sot është në njëfarë forme të digjitalizimit, shfaq filmin ‘Total Recall’ që do të jetë në formatin digjital, ndërsa filmin ‘Amazing Spiderman’ në tri termine që është në formatin 3D. Ajo tregoi se do të ruajnë edhe traditën e filmave në 35 milimetërsh, pasi që pritet shumë shpejt të rinovohet edhe kinemaja ABC1 për të vazhduar shfaqjen e filmave që janë në 35 milimetër.
Ajo tregoi se interesimi i publikut është rritur. “Ka pasur interesim dhe ka interesim dhe ne presim që nga nesër salla do të jetë përplot. Janë tri shfaqje të filmit ‘Spiderman’ në orën 14:00, 17:00 dhe në orën 19:30, ndërsa në orën 22:00 shfaqet ‘Total Recall’. Të dytë janë filma aksion, aventurë, fantastiko-shkencor, njëri në teknologjinë digjitale, ndërsa tjetri në teknologjinë 3D”, tha ajo.
Vllahiu shtoi se do të sjellin filmat më të ri që do të shfaqen nëpër botë.
“Tradita e sjelljes së filmave premierë botërore dhe gjitha realizimet e fundit vijnë si rezultat i bashkëpunimit me distributorë tanë nga rajoni. Duke konsideruar se ka qenë e domosdoshme dhe kërkesë e kohës, mbijetesës dhe luftës nga dukuria e piraterisë, si rezultat i zhvillimeve të fundit të teknologjisë 3D, synim i joni dhe strategji e jona, apo vizion i joni është që të krijojmë kushte për të rritur numrin e shikuesve. Ne besojmë që do të arrijmë që të plotësojmë nevojat dhe kërkesat e tyre dhe ata do t’i qasen kinemasë në numrin e duhur”, u shpreh ajo, duke shtuar se do të jenë në një hap me kohën.
Premiera e filmit “The Amazing Spiderman” në 3D, do të shfaqet të enjten, dhe si për këtë, ashtu edhe për të gjithë filmat që shfaqen në 3D, hyrja do të jetë 5 euro, kurse për filmat digjitalë 3 euro.