Fusnota hiqet me pëlqim dypalësh

Kurse, shefi i deritashëm i ekipit negociator serb për dialog me Prishtinën, Borisllav Stefanoviq ka thënë se heqja e fusnotës nga emërtimi i Kosovës nëpër takimet rajonale do të thoshte se pushteti i ri serb po e realizon në vepër atë që ia ka premtuar Perëndimit.
Për më tepër, dje gazeta Blic shkruante se për modelin e propozuar për fusnotë janë ngarkuar nënpresidentja e qeverisë për integrime evropiane, Suzana Grubjeshiq dhe shefi i Zyrës për integrime, Millan Pajeviq.
“Konstatimi i të gjithëve në qeveri është se me braktisjen e forumeve, ka humbur vetëm Serbia, sepse zëri i palës tjetër është dëgjuar. Përveç kësaj, janë shpenzuar shuma të mëdha parash për udhëtime dhe njerëzit tanë janë përballur me situata të pakëndshme, pasi është dashur të largohen në mënyrë demonstruese. Andaj, propozimi do të jetë i tillë që pjesëmarrja jonë të mos nënkuptojë pranimin e Kosovës”, citonte Blic burimin nga ekzekutivi serb.
Përfaqësuesit e Serbisë kanë braktisur disa forume dhe takime rajonale për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës.