E Diel, 1 Nëntor 2026

Një fitore jo për t’u festuarNga Armand Shkullaku Tani që maratona e zgjedhjeve lokale po shkon më në fund drejt finishit, mund të thuhet me plot gojën se PDK i fitoi ato. Hashim Thaçi hipotekoi një fitore, e cila më shumë se sa një triumf elektoral

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Një fitore jo për t’u festuarNga Armand Shkullaku Tani që maratona e zgjedhjeve lokale po shkon më në fund drejt finishit, mund të thuhet me plot gojën se PDK i fitoi ato. Hashim Thaçi hipotekoi një fitore, e cila më shumë se sa një triumf elektoral ngjan me një statistikë në favor të PDK’së. Në vend të entuziazmit, rezultati i këtyre zgjedhjeve duket se e ka vënë përpara shumë dilemash partinë që qeveris vendin. Dilema kryesore është nëse ajo duhet të ndryshojë ose jo diçka deri në përballjen e ardhshme elektorale, që do të jenë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Nisur nga zhvillimet që prodhuan zgjedhjet e fundit, PDK’së i duhet të ndalet në disa pika.

Në radhë të parë i duhet të ndalet dhe ta analizojë faktin se kjo fitore veç meritave të saj ishte edhe “kontribut” i një kundërshtari të çoroditur siç ishte LDK. Ndonëse në total u arrit suksesi elektoral, në përballjet me opozitën e vërtetë PDK nuk regjistroi një bilanc pozitiv. Përmasat e humbjes në Prishtinë ishin të paparashikuara pikërisht sepse në kryeqytet PDK u ndesh me një qëndrim të fortë opozitar të Isa Mustafës. Ky i fundit arriti të krijojë një lloj fryme dhe të ndezë shpresën për ndryshim tek elektorati. Fakti që pozicioni antiqeveritar i Mustafës u përkrah nga një numër aq i madh njerëzish, është shenja e parë e alarmit se ka diçka që nuk shkon në mënyrën e qeverisjes.

Shenja e dytë, po aq e fortë sa e para, është dyfishimi i përqindjes elektorale të AAK’së. Nisur nga karakteri i qëndrueshëm opozitar i kësaj partie, ky rezultat shpreh pakënaqësinë në rritje të qytetarëve ndaj qeverisjes.

Dhe së treti, dështimi i LDK’së në Prizren dhe Lipjan pothuajse nga të gjithë analistët politikë është komentuar jo dhe aq si sukses i PDK’së, sa një ftohje e elektoratit nga qëndrimet hipokrite dhe të pamoralshme të lidershipit të LDK’së. Pra edhe në këtë rast, me gjithë dominimin në numër të komunave të fituara, festa e PDK’së ka arsye të jetë e përmbajtur. Një fitore si e Pirros, që nuk garanton vazhdimësi në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nëse nuk lexohet si duhet nga kryeministri dhe lideri i PDK’së, Hashim Thaçi.

Vota e pakënaqësisë ose mbështetja e elektoratit ndaj forcave të vërteta opozitare, do të thotë se Thaçi duhet të ndryshojë diçka në mënyrën e qeverisjes. Ky ndryshim nuk ka të bëjë thjesht me të ashtuquajturin riformatizim të kabinetit dhe as me llogari të vogla për t’i kënaqur ambiciet e partnerëve të vjetër apo të rinj në koalicion. Qeveria ka nevojë për një shkundje që fillon nga sektorët më të ndjeshëm për qytetarët dhe vazhdon me një program të ri për pothuajse dy vitet që kanë mbetur deri në zgjedhje. Lëvizjet e ministrave nuk duhet të vijnë si pasojë e kulisave politike, por si rezultat i një reforme që u përgjigjet kërkesave dhe shpresave të një spektri sa më të gjerë të njerëzve.

Humbja në Prishtinë dhe rritja e AAK’së në shkallë vendi tregojnë se në politikë veç numrave është e rëndësishme të kesh edhe një kauzë. Opozita e ndershme dhe konsekuente ndaj Qeverisë është në vetvete një kauzë, ndërkohë që për PDK’në, të qenit në pushtet e bën më të vështirë një gjë të tillë. Megjithatë, asaj i duhet të gjejë, të krijojë një kauzë tek e cila ta ndërtojnë besimin ata që votojnë. Akuzave për korrupsion, për abuzime të pandershme me pushtetin, etj., nuk u vihet kapak me një rezultat të zgjedhjeve lokale. Nëse nuk reagohet ndaj tyre, vota opozitare do të vijë duke u shtuar. Ky reagim nuk bëhet vetëm duke sajuar numrat në Kuvend. As duke joshur aleatë të rinj dhe shantazhuar të vjetër. Nuk bëhet mbi baza interesash të ngushta momentale, por mbi vizione të gjera që garantojnë vazhdimësi. Nuk bëhet me nervozizmin dhe kërcënimin e Zanzi Barit, por me standarde e rregulla të ndershme loje. Ndëshkimi që iu bë LDK’së për arsye se nuk arriti të krijojë një kauzë të vërtetë, por vetëm një efekt elektoral, se nuk mundi të ngrihet mbi interesat meskine të individëve në emër të një interesi më të madh, është shembulli i gjallë për vetë PDK’në.

Në një ballafaqim tjetër elektoral, PDK’së do t’i duhet shumë më tepër se mundi i derdhur në zgjedhjet e fundit lokale. Përballë nuk do të ketë më një LDK të hallakatur, por një opozitë që sa vjen e po ristrukturohet. Hapësira opozitare e lënë bosh nga LDK do të mbushet dhe veprimi politik kundër Qeverisë do të shtohet.

PDK’së i duhet jo vetëm të qeverisë mirë, por edhe të riorientohet politikisht. Rrugën për nga duhet të ecë e ka tashmë të shënjuar, nëse e lexon siç duhet mesazhin e zgjedhjeve të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›