E Diel, 1 Nëntor 2026

Një foto, një vend pune!

Foto artikulliNga Jona Dervishi

Kemi hyrë në zonën e nxehtë të fushatës elektorale, tashmë disa javë na ndajnë nga dita e zgjedhjeve parlamentare, pikërisht nga dita e madhe e ndryshimit. Por sa më pranë i shkojmë asaj dite, aq më shumë shtohet dhe ankthi i votuesve shqiptare, ankthi i njerëzve të zakonshëm të këtij vendi që presin dita ditës mbarimin e streseve të tyre dhe fillimin e një epoke të re politike, ekonomike, sociale, kulturore, shëndetësore, etj. Pra Rilindjen e këtyre celulave që përbejnë dhe themelet e një shteti europian.

Deri këtu jemi në rregull, por kleçka që turbullon më shumë këta njerëz është pikërisht hedhja e votës në kutinë e votimit. Stresi fillon pikërisht aty, ku vota përballet me fotografinë. Një luftë e ashpër ndërmjet idealit dhe kërcënimit. Ndërmjet punës dhe papunësisë, ndërmjet ndryshimit dhe rrënimit të mëtejshëm. Është me të vërtetë e frikshme se si ky fenomen është kthyer në një doktrinë dhe, ajo që më vret më shumë është pikërisht të kthyerit në normalitet të këtij fenomeni.

Të fotografuarit e votës është bërë një pikësynim i qartë i shumë individëve të cilët të ndodhur në kushte të vështira ku dita ditës marrin kërcënime nga eprorët e tyre për heqje nga puna, nëpër administrata kryesisht, nuk gjejnë zgjidhje tjetër veç se të thyejnë rregullat e të përpiqen të bëjnë çmos për të votuar kundra vullnetit të tyre duke fotografuar votën pasi është e vetmja rrugë për të vërtetuar që vota është hedhur për Partine në fuqi dhe duke siguruar kështu vendin e tyre të punës, ose thjesht duke u munduar ta ruajnë atë.

Ndaj le ti ndihmojmë këta njerëz të cilët janë viktima të pushtetit aktual, ti ndihmojmë këta qytetarë duke ia mundësuar votimin e tyre individual dhe të lirë, votim pa kushte e të qetë, le të mundohemi tia bëjmë procesin e votimit një akt të lirë e të paqtë.

Kjo arrihet në mënyrën më të thjeshtë, duke i qëndruar strikt rregullave që ka një QV, ku nuk lejohet absolutisht aparati celular apo ndonjë pajisje tjetër me vete. Kjo duhet të jetë detyra më e ashpër e vëzhguesve elektoralë, të jenë të kujdesshëm deri në detajet me të vogla kur votuesit të shkojnë në kutinë e votimit, pasi kjo është mënyra e vetme për ti ndihmuar ata të cilët janë të detyruar nga eprorët e tyre për të fotografuar votën duke kryer kështu një vrasje të vullnetit të lirë dhe duke e kthyer në një dhunim të të drejtave të njeriut.

Çdo QV duhet të ketë vëzhgues të cilët të vëzhgojnë imtësisht votuesin, duke i siguruar atij një kontroll të rreptë, në mënyrë të tillë që të ndihet i lirë për të votuar me arsyen dhe me dëshirën e plotë individuale pa pasur asnjë droje nga kërcënimet dhe kushtet e urdhëruara paraprakisht nga punëdhënësit e tyre.

Duke qenë se këta njerëz janë të ndodhur në një situatë të pafavorizueshme është detyra jonë qytetare duke i ardhur në ndihmë e duke ia bërë më të lehtë ketë hall që infekton si virus brenda pak minutave, por që do tu kushtojë shumë 4 vite të tjera të mundimshme e të rrënueshme.

Të premtosh një vend pune për një votë është një maskarallëk që i duhet dhënë fund një herë e përgjithnjë, është një premtim i shëmtuar që bie ndesh me demokracinë dhe parimet evropiane, parime këto që medemek qeveria aktuale i praktikon dhe i vlerëson. Këta njerëz që i detyrojnë votuesit të votojnë për ta duke u bërë premtime që jo vetëm janë premtime të ulëta, por që në fakt as që kanë ndërmend ti mbajnë, pasi tashmë shqiptarët janë mësuar të gjenden përballë premtimeve të thyera e të pambajtura. Por ajo çka ata imponojnë ka të bëjë me frikën të cilën ja kanë injektuar punëmarrësve të tyre duke i detyruar kështu të veprojnë jo me mendjen e tyre por me mendjen e shefit, i cili me datë 24 qershor do ti presë në zyrën e tij së bashku me fotot për të bërë kështu një album imoral për të vërtetuar që ato vota kanë shkuar për partinë politike në fuqi …

Nuk është aspak e lehtë për të çarë errësirën që ka vite që e mban peng këtë shtet, ndaj le të përpiqemi për të bërë sa më mirë detyrën në mbrojtje të votës së lirë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›