Politikani që do të votoja unë
Si i huaj, fatkeqësisht nuk kam të drejtë vote në Shqipëri. Ama, kam tashmë 22 vjet që zemra ime digjet bashkë me popullin tonë për një Shqipëri shumë më të mirë.
Padrejtësia është ulur këmbëkryq në sofrat shqiptare. Sot mjafton ta gjesh veten pa mikun e duhur në spital, apo në gjyq, në shënjestër të një pushtetari, madje dhe në një semafor, që së brendshmi të të vlojë një zemërim i heshtur. Bisedat e përditshme në kafene janë prova më e mirë e këtij fakti. Ne themi se peshku qelbet nga koka, por fare lehtë mund të bëjmë disa sugjerime edhe për bishtin i cili është ai që drejton kokën. Ky është dhe qëllimi i këtij shkrimi.
Historia na tregon raste të shumtë ku një njeri ngrihet përballë një uragani ligësie dhe fiton. Ama rrallë ndodh pas ngadhënjimit, që heroi të mos zhytet edhe vetë në llumin e padrejtësive. Fitorja shndërrohet në vazhdimësi të shfrytëzimit të keq të pushtetit. Qeveritari nuk i shërben më popullit, por pret që populli ti shërbejë atij. Avazi vazhdon. Pushtetari i radhës mjerisht beson në mënyrë të verbër, që është më mirë se para-ardhësi dhe lehtësisht justifikon po ato veprime të dyshimta për të mposhtur yçklat e opozitarëve. Vallë, kush do të mund të na çlirojë prej kësaj vorbulle pashpresmërie?
Një përjashtim historik i këtij avazi është Xhorxh Uashingtoni, i njohur si Ati i SHBA-s. Menjëherë pas luftës e propozuan njëzëri për presidentin e parë të kolonive sapo të bashkuara, por Uashingtoni hapi një epokë të re në historinë e njerëzimit duke refuzuar të bëhej diktatori i radhës.
Fitimtar ndaj ushtrisë më të madhe të botës, i adhuruar nga bashkëkombasit e vet, Uashingtoni nuk hodhi themele të hekurt mbi pushtetin personal pas fitores, siç bënë Çezari, Napoleoni, apo Lenini. Por, në kulmin e fuqisë së tij, dha dorëheqjen duke shqiptuar fjalët epope: Unë nuk e largova një mbret, për tu bërë vetë i tillë. Aq madhështor ishte ky akt, sa edhe kryearmiku i tij, Mbreti Xhorxh, tha se Po dha me të vërtetë dorëheqjen, ai do të jetë njeriu më i madh në historinë e botës.
Shqipëria sot ka një nevojë urgjente për sundimin e ligjit. Mbi pushtetarët, po aq sa edhe mbi qytetarët. Në këtë prag zgjedhjesh, votuesit duhet të dallojnë pikërisht këtë respekt për ligjin te kandidati, e të votojnë jo në bazë partie, por në bazë parimi. Gjithashtu ti lutemi Zotit, që të vijë dita kur kandidatët do të zgjidhen nga populli, e jo nga partia. Sepse deri atëherë nuk do të shijojmë demokracinë e vërtetë, pavarësisht bukurisë së premtimeve elektorale.
Gjithsecili ka parimet e veta, që jo domosdoshmërisht janë të njëjta me të miat. Por rëndësi ka të votojmë në bazë parimesh. Disa cilësi që do të tërhiqnin votën time për një kandidat janë këto:
E ka frikë/nderon Zotin. Ai beson fort që Perëndia madhështor shpërblen apo hakmerret për çdo veprim të bërë në fshehtësi. Mitmarrja, shpifja, poshtërimi i opozitarit, korrupsioni në gjyq e shumë veprime të tjera ndjellin një gjykim të tmerrshëm hyjnor dhe të përjetshëm. Pikë. Nga ana tjetër kandidati beson se besnikëria edhe aty ku nuk shikon asnjëri, siguron një bekim pa fund. Ky besim gjithashtu çliron këdo nga detyrimi për ta marrë vetë hakun për baltën e hedhur nga kundërshtarët, kjo për shkak se ia ka besuar Zotit, i cili për syrin tonë vonon, por nuk harron.
Zjarrin e shpifjes e lufton jo duke hedhur benzinë, por ujë. Pra, është i parapërgatitur për gënjeshtrat kundër personit e karakterit të tij, madje (vaj medet) edhe në foltoren e parlamentit. Të përgjigjesh me të njëjtën monedhë të bën njësoj, por ta përgënjeshtrosh shpifjen dhe ta denoncosh në prokurori mund të jetë rruga më e drejtë, edhe pse dënimet e papolitizuar për shpifje në Shqipëri janë po aq të rrallë sa copa akulli në ferr. Por ama, sy për sy e dhëmb për dhëmb, na lë të gjithëve pa sy e pa dhëmbë.
Imagjino se si do të ishte aplikimi për anëtarësinë në Bashkimin Europian, nëse politikanët tanë do të mbronin nderin e kundërshtarëve. Unë do të isha shumë më i gatshëm të votoj një kandidat, i cili thotë edhe dy fjalë të mira për kundërshtarin.
Përkulet para ligjit edhe kur si pëlqen ose nuk është dakord. Duket qartë kur kandidatët e interpretojnë ligjin për qejfin personal.
Lufton për të drejtën e njerëzve pa pushtet dhe pa autoritet. Mahatma Ghandi tha: Përmasat e madhështisë së një kombi maten duke parë se si i trajton pjesëtarët më të dobët të tij.
Premtimet elektorale i mbështet në shifra të bazuara në një buxhet real. Nëse dikush më premton diçka, unë nuk i zë fort besë nëse nuk me tregon se si do të paguajë për atë gjë.
Ne duhet të kemi matësit tonë për integritetin. Nuk ka vend në këtë shkrim për ti listuar të gjithë, por ama dallohet qartë njeriu me frymë shërbëtori nga ai me qëndrime pushtetari shfrytëzues.
Politikani duhet të pranojë botërisht gabimet e veta. Ai që nuk i pranon gabimet, nuk ka mundësi ti korrigjojë ato. Shembulli i Zonjës Klinton që mori përgjegjësi absolute për sulmet në Bengazi është emblematik. Nëse na nevojitet një kalë, gabojmë rënd1% po të vazhdojmë duke bërë makijazh gomarit.
Kandidati, i cili tërheq votën time, kurrë nuk justifikon një lëvizje të dyshimtë me frazën: Vetëm kështu do fitojmë (ose mbajmë) pushtetin. Ai që e thotë, qartësisht zbulon që është gati për të shkelur parimet për ta arritur fitoren. Më mirë të humbasë se sa ta hapë kutinë e Pandorës kështu! Një destinacion i mirë kurrë nuk justifikon një rrugë të dyshimtë për ta mbërritur.
Pra, le të votojmë në bazë të parimeve, e jo në bazë të partive apo të interesit personal, as në bazë të shpifjeve të hedhura nga kandidatët në interes të vetes. Vetëm kështu do tua sigurojmë nipërve dhe mbesave tanë trashëgiminë e duhur. Le ti ulim gjunjët përpara qiellit për të kërkuar shërimin e plagëve të shoqërisë sonë, plot shpirtra të vyer, duke ditur që Perëndia bashkëpunon me ata që ecin me ndershmëri, që përveshin mëngët dhe që i besojnë Atij për një të ardhme më të mirë.
