Opinioni publik dhe qeveria
George W. Obama e titullon Huffington Post lajmin e madh e kryesor në faqen e parë të sitit të saj në internet.
Mandati i katërt i Bush-it vijon më tej siti në Internet i Politico-s.
Presidenti Barack Obama është vënë në shënjestër të shtypit amerikan pas zbulimeve të Guardian për përgjimet telefonike të kryera nga shërbimet inteligjente me anë të operatorit amerikan Verizon, si dhe investigimit të Washington Post për mënyrën se si NSA dhe FBI vënë dorë mbi të dhënat dhe përdoruesit e nëntë gjigandëve amerikanë të internetit. Ky është lajmi.
Një tjetër lajm këto ditë është Turqia. Analistë të ndryshëm thonë se vendi ka rrezik të rrëshqasë edhe në një luftë civile. Erdogan, pas kthimit nga një vizitë treditore në Europë, u prit me entuziazëm të madh nga mbështetësit e tij. Ndërkaq, të rinjtë dhe protestuesit e tjerë janë përsëri në rrugë.
Shtypi italian, qoftë media e shkruar, qoftë ajo vizive janë të mbushura përditë me raportime nga seancat gjyqësore që zhvillohen në ngarkim të Silvio Berlusconi-t.
Po sot, gazeta franceze Le Monde, në faqen online botonte një raportim dhe editorial gjithashtu për rritjen e tensionit ideologjik pas vrasjes së një militanti të majtë.
Në të gjitha këto raportime vihet re se opinioni publik është në anën e publikut dhe kundër politikave qeveritare.
Kur them opinion publik, kam parasysh intelektualët, analistët dhe median.
Para disa ditësh, ish-studenti im dhe miku e kolegu im gjithashtu, Ilir Mborja, që jeton në Athinë, më shkruante se është e paimagjinueshme këtu në Athinë që të shohësh gazetarë që mbrojnë qeverinë.
Qeveria ka instrumentet e saj të informacionit, por gazetarët që janë përfaqësuesit e opinionit publik janë gjithmonë me publikun dhe kurrë me qeverinë.
Në rastin e skandalit që po ndodh në SHBA, të gjitha mediat dhe të gjithë gazetarët e dalluar e kanë vënë me shpatulla për muri presidentin Obama.
Në Turqi shkrimtari nobelist Pamuk ka marrë anën e protestuesve ndërsa një shkrimtar tjetër i famshëm turk Nedim Gursel që është dënuar nga regjimi i Erdoganit për blasfemi në veprat e tij, në një letër të hapur drejtuar kryeministrit turk, jo vetëm që mban anën e protestuesve, por i thotë me ironi se ai nuk mund ta ndalojë që të pijë një gotë raki në anë të Bosforit ashtu siç ka bërë e bëjnë edhe sot mijëra turq.
Ndërsa këtu te ne gara e turpshme se kush e kush ta marrë në mbrojtje qeverinë apo se kush e kush ta justifikojë atë kur vret njerëz, siç bënë për turpin e tyre shumë gazetarë, është një shenjë që tregon se shoqëria jonë është ende e plogësht dhe e kalbëzyer, se ajo ende nuk e ka vrarë frikën, se suksesi në këtë vend nuk mund të garantohet në qoftë se nuk i shërben qeverisë. Për sa kohë është kështu, ne do vazhdojmë të sundohemi nga kryeministra si ky që po shkallon edhe Ricardo Cocciante-n e gjorë, i cili ka probleme me të shprehurin, por tani, kur të mbarojë takimin me Berishën, do ti ikë gjuha fare.
Para disa ditësh botova në Shqip një shkrim për Elhaidën. Mirëpo jam ndier keq kur mora vesh se ajo e ka pranuar ftesën e Berishës. Dhe kur? Tani në zgrip të fushatës elektorale. Do të kish dashur që ajo ta kishte ruajtur imazhin e saj dhe me delikatesë mund ta kishte refuzuar ftesën e tij për pas zgjedhjeve. Kështu ajo do të na kishte dhënë të gjithëve një mesazh shprese se opinioni publik në Shqipëri po shëndoshet.
Ajo nuk e bëri këtë. Unë natyrisht nuk i heq asnjë presje shkrimit tim për të, por tani për mua ajo është thjesht një këngëtare e madhe, por jo një shqiptare e madhe, por një qytetare e vogël dhe në fakt ajo është më pak se 20 vjeç.
