E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irena Progni: “PD, rezultat surprizë në Qarkun e Elbasanit – PS s’ka ç’të ofrojë”

08-06-2013 / Bisedoi Leonard Quku

Intervista/Flet kandidatja e PD për Qarkun e Elbasanit

Kandidatja për deputete të Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, Irena Progni shprehet në një intervistë për gazetën “55”, se është krenare për kandidimin në vendlindjen e saj dhe se do të punojë me përkushtim për ndryshimin e Gramshit. Znj.Progni deklaron se programi i Partisë Demokratike për punësim dhe zhvillim ekonomik, ka gjetur mbështetje të gjerë dhe se në Qarkun e Elbasanit, PD do të ketë një rezultat surprizë. Duke komentuar alternativën kundërshtare, PS-në, kandidatja e PD, Irena Progni thotë se opozita s’ka ç’t’u ofrojë shqiptarëve, pasi prej disa vitesh ka luajtur rolin e bllokimit, duke penguar zhvillimin dhe integrimin në BE

Znj.Progni, cila është strategjia juaj në këtë fushatë?
Strategjia ime për qytetarët e Gramshit, që është vendlindja ime e shtrenjtë, nuk është diçka e ngurtë dhe nuk mund të zbatohet duke abstraguar nga terreni konkret. Dhe terreni konkret është i kushtëzuar nga nocioni “tani dhe këtu”, pra, në rrethin e Gramshit. Unë jam rritur në këtë vend, kam kaluar miturinë, fëmijërinë time, adoleshencën. Prej kësaj bote gramshiote kam marrë afeksionet e para, ndjeshmëritë e para, konceptet e para, edukimin e parë, në një mjedis të varfër, por krenar. Kam qenë e rrethuar me dashurinë dhe bujarinë e këtyre njerëzve të thjeshtë, të drejtë e të ndershëm, që më përgatitën të hedh hapat e parë në jetë. Ne, brezit tim, prindërit tanë na kanë ofruar shembullin e tyre të sakrificës në përballimin e vështirësive. Ata kanë bërë gjithçka që ka qenë në dorën e tyre për të na rritur me idenë e drejtësisë, respektit dhe krenarisë për vendin, për historinë, për punën, për dashurinë e mirësinë. Ëndrrat tona të para, të pastra, për t’u rritur e për t’u bërë të dobishëm për familjen, shoqërinë dhe atdheun, hodhën rrënjë në këtë trevë me peizazhe piktoreske, mes këtyre kodrave, maleve, luginave e lumenjve, që është Gramshi ynë me njerëzit e tij punëtorë. Prindërit tanë shkrinë gjithçka në jetën e tyre për të na përgatitur për një jetë të ndershme. Ne brezat, bijtë e bijat e tyre, kemi një përgjegjësi të madhe për të vazhduar ëndrrën tonë dhe ëndrrat e tyre, si një amanet i natyrshëm në zhvillimin e vendlindjes. Unë jam kthyer në vendlindjen time pas studimeve të thelluara brenda e jashtë atdheut, pas një përvoje të gjatë e intensive në kulturat dhe institucionet më të zhvilluara të botës perëndimore. Dhe pikërisht pse jam e lidhur me mijëra fije shpirtërore me vendin që më rriti, jam kthyer këtu për të realizuar misionin tim më madhor e më të përkushtuar: të ndihmoj me të gjitha energjitë e mia intelektuale, politike e shpirtërore për një Gramsh modern. Pra, jam kthyer këtu për të marrë një përgjegjësi që na mundon të gjithëve, se si mund ta bëjmë së bashku vendlindjen tonë një vend të harmonisë së njeriut me mjedisin, të harmonisë së qytetarit dhe bujkut në përputhje me nevojat e tij, për të ndërtuar një jetesë me standardet më të mira bashkëkohore, një jetesë ku të gjejnë zgjidhje problemet që i mundojnë ata: mbështetjen për modernizimin e Bujqësisë sipas teknologjisë bashkëkohore dhe gjetjen e tregut për këto prodhime. Për mua, rëndësi parimore morale ka qasja ndaj kësaj strategjie me zgjedhësit, brenda vizionit politik të së djathtës, dhe kjo ka të bëjë me ndershmërinë dhe natyrshmërinë e komunikimit njerëzor. E kam nisur këtë mision me bashkëbisedimet e hapura e të sinqerta me njerëzit e vendlindjes sime. Larg retorikës së premtimeve, unë i kam dhënë përparësi një virtyti të çmuar njerëzor: aftësisë për të dëgjuar. Në kulturën zgjedhore të këtyre dy dekadave të fundit ka munguar diçka elementare: durimi për të dëgjuar me vëmendje të madhe se çfarë i mundon qytetarët tanë. Kam nisur një bashkëbisedim të sinqertë me qytetarët e Gramshit, duke i dëgjuar ata shtëpi më shtëpi, pa anashkaluar absolutisht askënd, me të gjitha problemet që i mundojnë dhe me të cilat ata përballen përditë. Në këtë bashkëbisedim nuk ka e nuk mund të ketë dallime, diferencime, përjashtime: Janë të gjithë bashkëqytetarët e mi dhe unë jam bija e tyre, e cila kërkon të jetë zëdhënësja e tyre, mishërimi i një zgjidhjeje të përkushtuar, reale e konkrete brenda vizionit tonë politik. Duke i dëgjuar banorët e Gramshit brenda mjedisit të tyre të jetës familjare në qytet e në fshatra, unë po i prek realisht problemet e vërteta. Dua të jem e sinqertë dhe bindëse me të gjithë dhe jemi duke ndërtuar një marrëdhënie të sinqertë besimi dhe mirëbesimi. Unë besoj që, “kontrata e besimit elektoral” mbështetet fort, në radhë të parë, në garanci njerëzore. Një politikë vizionare si alternativë politike duhet të fitojë dimensionin e vërtetë njerëzor, thelbin e vërtetë human, duke biseduar për problemet me të cilat ndeshen zgjedhësit në përditshmërinë e tyre.

Cilat janë problematikat që ju keni konstatuar në zonën ku kandidoni?
Për shumë shkaqe të akumuluara që gjatë periudhës komuniste, por edhe në vazhdimësi, pas rënies së komunizmit, rrethi i Gramshit, nisur dhe nga pozicioni gjeografik, është relativisht ndër më të izoluarit. Konfiguracioni kodrinor-malor, që përthyhet nga lumenj të rrëmbyeshëm, kërkon një ndërhyrje të shpejtë e të mirëstudiuar me ndërtimin e rrugëve të reja. Vetëm një rrjet i mirëfilltë i rrugëve të reja, urave, pritave e barrierave do të lidhte funksionalisht fshatrat dhe komunat me qytetin, çka do lehtësonte qarkullimin e lirë e të shpejtë të produkteve të begata bujqësore, blegtorale, frutore, industriale e turistike, duke zgjidhur kështu dhe problemin e eksportit dhe tregtisë. Gramshi ka nevojë për investime të studiuara në sistemin e tokave me projekte të detajuara zhvillimi, si në teknologji, ashtu dhe në plehra kimike e organike dhe ilaçe bujqësore. Disa nga komunat kanë nevojë për investime në sistemin e ujitjes, siç janë komunat Kushovë, Tunjë, Sult, Skënderbegas dhe fshatrat Cerunjë, Çekin e Çekrez. Krahas ndërtimit të shkollave e gjimnazeve të reja, duhet ndërhyrë në restaurimin dhe përmirësimin e shkollave ekzistuese, pa harruar pasurimin e laboratorëve dhe modernizimin e bibliotekave apo rrjetit të internetit për çdo shkollë. Të gjitha këto problematika janë evidentuar tashmë hollësisht gjatë takimeve dhe bashkëbisedimeve elektorale që kemi pasur në fshat e komunë dhe ky proces do vazhdojë.

Cilat janë premtimet tuaja për qytetin e Gramshit?
Qyteti i Gramshit është një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë, me një strukturë të qartë e të pambingarkuar urbane. Investimet tona përshijnë një gamë të gjerë dhe në kushtet e një infrastrukture të re të rrugëve që kanë nisur e do të intensifikohen, atyre do t’u bashkohen të ardhurat që do të vijnë nga shfrytëzimi i resurseve të mëdha që ka rrethi ynë. Linjat e produkteve turistike me mallra artistike e artizanale do të krijojnë një klimë atraktive për vizitorë të shumtë nga vendi dhe bota. Bukuritë piktoreske të Gramshit me male të veshura me pyje, lumenj, natyrë të virgjër e produkte natyrore, do të menaxhohen në kombinim me kulturën tradicionale vendëse, folkun etnik dhe veglat muzikore autentike, për të rritur punësimin, tregtinë dhe të ardhurat e Bashkisë. Për komunat, krahas rrugëve të reja, do të ketë investime thelbësore për çdo fermer, në bazë të projekteve konkrete. Do të ketë jo vetëm mbështetje për intensifikimin e sasisë së prodhimit të vreshtave, drithërave dhe perimeve, por do të ketë një kujdes të vazhdueshëm për tregjet e këtyre prodhimeve. Të njëjtat investime do të mbështesin blegtorinë dhe përmirësimin e racës për gjedhin dhe të imëtat. Në programin tonë Gramshi do të jetë një ndër trevat që do të konkurrojë në treg me prodhimet origjinale bio, natyrore, shumë të kërkuara sot në të gjithë botën, jo vetëm nga guidat turistike. Ndër premtimet tona, brenda filozofisë së djathtë të qeverisjes, do të mbështesim çdo iniciativë dhe biznes privat me të gjitha lehtësirat inkurajuese. Do të modernizohet rrjeti i shërbimeve mjekësore dhe personeli shëndetësor nëpër Qendra dhe spitale. Është fakt rritja e rrogave të mësuesve, trajnimi e kualifikimi i tyre, por në katër vitet në vazhdim do të mbështetet fuqimisht përmirësimi i vazhdueshëm i këtyre treguesve. Brenda një projekti të veçantë, për të cilin po mbaj shënime të hollësishme gjatë fushatës, do të trajtohen shtresat e pensionistëve, veteranëve, ish-të përndjekurit politikë dhe përkrahja e personave me aftësi të kufizuar. Ndjeshmëria jonë për këto shtresa sociale është e rendit të parë dhe e një rëndësie të veçantë. Një ndër projektet që do ta ndryshojë rrënjësisht për mirë situatën e punësimit në Gramsh, është fillimi i shpejtë i ndërtimit të hidrocentralit gjigant të Banjës, i cili do të përthithë një fuqi të madhe punëtore. Në prag të falimentimit të regjimit komunist, ky hidrocentral u ndal që në fazën fillestare të punimeve. Besoj se gramshiotëve u kujtohet, që me atë rast u këndua dhe një këngë për këtë vepër të braktisur: “...Ndalu Devoll, ndalu, se do bëhesh dritë”, e cila tani tingëllon ironike. E rëndësishme është që këtë potencial të pashfrytëzuar energjetik do ta realizojë me prioritet të madh qeveria demokratike.

Si e vlerësoni fushatën që po zhvillon Partia Socialiste? Është alternativa e majtë konkurrente serioze për të sfiduar të djathtën?
Dua t’ju them një gjë të thjeshtë: Shqipëria është transformuar rrënjësisht gjatë pushtetit të Partisë Demokratike në këta 8 vjet. Për herë të parë vendi ynë filloi të vendosë bazën moderne të infrastrukturës rrugore. Dolën nga izolacioni për herë të parë trevat e jugut e të veriut. U ndërtuan vepra kapitale që do të mbeten të përjetshme, siç është Rruga e Kombit dhe Tuneli i Krrabës, që e bën Elbasanin thuajse pjesë të kryeqytetit, e po ashtu shkurton distancën e komunikimit rrugor me trevat e jugut, përfshij në radhë të parë Gramshin. Është në përfundim aksi i jugut, është në ndërtim Rruga e Arbrit dhe kanë mbaruar rrugët e reja në pjesën dërrmuese të komunave në të gjithë vendin. E djathta vjen në këto zgjedhje pas arritjeve të padiskutueshme historike - anëtarësimi në NATO, heqja e vizave, përballimi i krizës ekonomike globale etj. Të gjitha këto janë realitete të prekshme dhe nuk mund t’i mohojë asnjë nihilist. Më lind pyetja: Po Partia Socialiste, çfarë ka bërë; qoftë edhe një gjë që të mbahet mend? Gjithkush le t’i përgjigjet vetë kësaj pyetjeje retorike. Unë tani jam e përqendruar në fushatën time politike, që edhe Gramshi të bëhet pjesë e modernizmit të përgjithshëm të Shqipërisë. E dëshiroj fort këtë ndryshim, si bijë e këtij vendi! Nuk dua që vendlindja ime të mbetet peng i fanatizmit politik dhe besoj se gramshiotët kurrë nuk kanë qenë fanatikë, por qytetarë shembullorë, me mendje e shpirt të hapur, që e duan zhvillimin. Partia Socialiste nuk arriti asnjëherë t’i afronte Gramshit, së paku, një bir apo bijë të tij. Unë nuk besoj në fanatizmin politik, prandaj jam në Gramsh për të biseduar me cilindo gramshiot, në emër të mirëqenies sonë të përbashkët.

Cili është mesazhi që iu jepni qytetarëve të Gramshit? Pse ata duhet t’i besojnë Partisë Demokratike një mandat të tretë qeverisës?
Përpjekja për të kapërcyer vështirësitë, përpjekja për të përmirësuar kushtet e jetesës, përpjekja për të ndërtuar një shoqëri të harmonishme në bazë të punës, respektit dhe nderimit të vlerave, kërkon, padyshim, sakrifica. Secili duhet të kuptojë, të mendojë qartë, të shohë të ardhmen e vet, të familjes dhe të komunitetit ku realizon ëndrrat e tij pa paragjykime. E vërteta duhet parë qartë në sy, çiltër e me sinqeritet. Për të gjitha këto duhet guxim, sakrificë dhe besim. Qytetarët e Gramshit duhet të ruajnë gjakftohtësinë për të vendosur në përputhje me aspiratat e tyre, pa ngjyra bardhë e zi. Mendoj se ka ardhur momenti të kthjellohemi dhe të bëjmë bilance të ndershme me veten tonë, të vëmë të gjitha energjitë tona të bashkuara për ta ndryshuar gjendjen tonë në të mirë të një jete më të mirë, më të sigurt e më cilësore. Unë përfaqësoj Partinë Demokratike në këto zgjedhje dhe kam ardhur në vendlindjen time për të ofruar më të mirën e një force që ka ditur të ndryshojë Shqipërinë. Të gjithë duhet të sakrifikojmë nga pak në emër të besimit se Gramshi e ka mençurinë dhe energjinë e mjaftueshme për t’u transformuar rrënjësisht. Unë lashë angazhimin tim profesional, komoditetin tim financiar dhe erdha në vendlindje në emër të këtij ndryshimi. Prandaj iu bëj thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të mi të më mbështesin dhe së bashku ta arrijmë vendin që na takon dhe e meritojmë në historinë moderne të qytetërimit shqiptar dhe europian. Është koha të ndahemi nga fantazmat e rreme, nga paragjykimet e vjetra, të cilat nuk duhen trashëguar. Themelor sot është interesi qytetar i shqiptarëve, interesi qytetar i gramshiotëve për të ecur përpara në rrugën e harmonisë, vëllazërimit e progresit. Ne duhet të hapim një faqe të re të prosperitetit qytetar, pa trashëgiminë e vjetër mentale të sistemeve ideologjike. Duket kaq e thjeshtë, kaq e qartë dhe kaq e mundshme, nëse kihet kurajë, guxim e besim për të ndryshuar. Unë jam këtu për ta përligjur besimin e qytetarëve të Gramshit, sepse në thelb, kemi të njëjtën dëshirë, të njëjtën ëndërr të përbashkët: begatimin e vendlindjes sonë!

 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›