E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Në një vit janë mbyllur 1700 biznese në Tiranë

Anëtari i majtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Genti Gazheli, ka deklaruar se ky vit ka qenë i dështuar për kryetarin e Bashkisë, Lulzim Basha.

Grupi ynë i këshilltarëve të majtë ka këmbëngulur që çdo vendimmarrje të ndikojë në xhepin e qytetarëve të Tiranës për të ulur barrën fiskale, por nuk mund të pranojmë skema mashtrimi si ajo që u servir nga kryetari i bashkisë. Lulëzim Basha deklaroi se do të hiqen 60 taksa dhe tarifa si dhe do të ulen 2 deri në 5 herë tarifat që do mbeten. Një mashtrim i hapur pasi qytetarët e Tiranës dhe bizneset e vogla në Tiranë paguanin vetëm tarifën e pastrimit dhe taksën e banesës. Asnjëherë qytetarët nuk u njohën me taksat dhe tarifat vendore që u hoqën apo lehtësuan nga Lulzim Basha, për uljen e barrës së tyre fiskale. Apo si kanë ndikuar politikat fiskale të bashkisë në rritjen e bazës së tatimpaguesve. Njeriu që qesh me fatet e Tiranës nuk mund të tallet kaq hapur me varfërinë e qytetarëve të Tiranës duke mos ndërmarrë asnjë hap të vërtetë për të lehtësuar ata nga çmimet e larta të faturuara nga politikat e gabuara të qeverisë së tij, tha Gazheli.

Sipas tij, as premtimi për uljen e çmimit për kotheren e gojës nuk është mbajtur.

Më lejoni ti referohem krahasimit aq të përfolur të 1 kg bukë në Kamzë me 1 kg bukë në Tiranë. A e uli Lulzim Basha çmimin e bukës në kryeqytet sikurse premtoi me bujë në fushatën e mashtrimit. Jo! Çmimi bukës për ironi sot është i njëjtë madje në disa raste më i lartë. Kjo është e vërteta në sytë e qytetarëve, thotë ai.

Gazheli ka pohuar se biznesi i vogël po merr rrokullimën në kushtet e mungesës së likuiditetit dhe krizës.

Sot biznesi i vogël paguan më shumë që prej ardhjes së Lulëzim Bashës në detyrë. Detyrimet vjetore kanë ardhur 2 deri në 3 herë më të larta dhe kjo jo në bazë të xhiros siç deklaroi Basha, por në bazë të vendimeve aforfe, selektive dhe klienteliste të administratës së Bashkisë Tiranë. Ajo që ndodhi ishte krejt e kundërta. Menjëherë pas marrjes së bashkisë bizneset e vogla u ndeshen me rritjen në mënyrë artificiale dhe arbitrare me 2 nivele të xhiros pa u njoftuar më parë dhe pa asnjë lloj argumenti nga administrata tatimore vendore. Në kushtet e krizës ekonomike, të mungesës së likuiditetit, krizës së besimit, biznesi i vogël në Tiranë po shkon drejt falimentit. Ajo që tashmë është evidente se vetëm për vitin 2012 sipas të dhënave të 6 mujorit të parë, zyrtarisht e theksojmë, numri i bizneseve të mbyllura nga falimenti është 1700. Nuk është e vërtetë çka thotë Lulëzim Basha që janë hapur 1200 biznese të reja. Shifrat janë aty dhe Basha i di mirë. Tu thotë të vërtetën qytetarëve, deklaron ai.

Gazheli ka vazhduar të argumentojë se papunësia është rritur në mënyrë dramatike dhe Basha duhet të ketë kurajon tjua thotë qytetarëve, që ti njohë me të vërtetën e një krize të rëndë që ka përfshirë biznesin në qytetin e Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›