E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Porgy & Bess"

"Ndonëse është shkruar posaçërisht për komunitetin afro-amerikan të viteve ‘30 në Karolinën e Jugut, kjo opera përcjell një histori universale që gjen paralelet e veta edhe këtu në Shqipëri". Regjisori amerikan, Lawrence Craig, i cili vetë i përket kësaj kulture, i ka mëshuar konceptit të humanizmit si element që duhet të përshkojë të gjitha shoqëritë. "Porgy and Bess", një ndër veprat më popullore në Amerikë, premiera e së cilës do të ngjitet mbrëmjen e 17 tetorit në Teatrin tonë të Operës dhe Baletit, ishte menduar të sillej për publikun shqiptar që 38 vjet të shkuara, por pa mundur të bëhej realitet. Tashmë duket se edhe konteksti social-kulturor e bën më të pranueshme. "Koncepti regjisorial për vënien në skenë të kësaj opere synon të jetë sa më afër me atë që është organike dhe natyrale në marrëdhëniet njerëzore, në bashkëjetesën dhe mënyrën e sjelljes brenda një komuniteti. Brenda kësaj vepre ka mbivendosje të elementëve dhe temave të ndryshme që e bëjnë atë specifike. Dashuria pa kusht e Porgy-t dhe Bess-it, tragjedia, jeta në një komunitet, besimi i tyre te Zoti dhe forca për të ëndërruar një të ardhme më të mirë. Të gjitha këto i tërhoqën vëmendjen kompozitorit George Gershwin, që krijoi dhe mori si shembull komunitetin e afro-amerikanëve. Kudo që të transmetohet kjo temë, nga vendi në vend, nga shfaqja në shfaqje e në kultura të ndryshme, është një histori universale", shprehet Lawrence Craig, i cili bën për herë të parë regjinë e kësaj vepre. Ka provuar të këndojë disa nga protagonistët e kësaj opere. Porgy, një njeri me ngjyrë dhe i gjymtuar, përpiqet ta ndihmojë Bess, një vajzë që bën jetë të shthurur, pjesë e një grupi të droguarisht, kur ajo gjendet e vetme. I ofron mbështetjen dhe dashurinë e tij dhe kërkon një të ardhme më të mirë për të. Ndonëse në fund duket se Porgy thyhet në "misionin" e tij, personazhi i tij në përfundim lë shenja shprese. Vënë për herë të parë në 1935, kjo opera gjatë historisë së saj skenike, është përcaktuar edhe raciste. Regjisori Craig e mohon. Për të ajo është një vepër e marrëdhënieve njerëzore, ndonëse e fokusuar në komunitetin dhe kulturën afro-amerikane. "Ka një sens human, i cili është lehtësisht i përkthyeshëm në një vënie skenike", shprehet ai. I referohet me këtë rast edhe bashkëpunimit me korin apo solistët shqiptarë. Patrick Balckwell do të jetë në rolin e Porgy-t dhe Evis Mula protagonistja Bess. Kuadri i personazheve plotësohet nga solistët Evis Mula, Sidrit Bejleri, Armando Likaj, Emiljana Palushaj, Eriona Gjyzeli, Denis Skuro, Roel Llupo, Majlinda Laska, Kishna Davy dhe Craig, që veçse regjisor ka edhe një rol. Sipas tij, për këngëtarët afro-amerikanë çdo element i kësaj pjese merr një kuptim tjetër kulturor, ata e njohin mirë këtë muzikë (në këtë rast besojnë për një muzikë autentike amerikane) dhe përjetojnë gjithçka. Në vazhdim të argumentit të tij, kjo nuk i pengon solistët shqiptarë që të heqin paralele jo vetëm artistikisht, por si individë të një shoqërie që në bazat e saj ka njerëzoren. Kori, i dirigjuar nga Dritan Lumshi, do të jetë një element vazhdimisht i pranishëm në këtë opera, që edhe pse është shkruar në stilin klasik, i përket një lloji të veçantë. "Kjo opera sjell veç të tjerash edhe një stil të ri për artistët shqiptarë. Është kënaqësi të shikosh punën e dedikuar të korit, solistëve dhe orkestrës, të cilët kanë arritur ta përvetësojnë këtë pjesë. Ka qenë një sfidë, por edhe një udhëtim interesant. Është një pjesë e ndërthurur mes xhazit, muzikës simfonike dhe pak broduej. Gabimi më i madh sa herë që vihet në skenë kjo vepër është perceptimi i saj si një muzikal. Në fakt ajo është një opera e mirëfilltë dhe shumë impenjative, një histori që ndonëse e shkruar për komunitetin afro-amerikan, i përket të gjithë njerëzimit", shprehet dirigjenti Jason Tramm, drejtor artistik i Operës së Nju Xhersit, krah të cilit në këtë produksion do të jetë edhe dirigjenti shqiptar, Edmond Doko. Për Tramm, "Porgy and Bess" do të shënojë të parin hap për një bashkëpunim të mëtejshëm mes artistëve të dy operave. Në këtë bashkëpunim me Teatrin tonë të Operës, skenografia dhe kostumografia realizohet nga Andis Gjoni. E konceptuar në origjinal nga Gershwin si një "opera popullore amerikane", deri në vitet ‘70-‘80 nuk u pranua si një vepër legjitime. Tashmë ajo konsiderohet si pjesë e repertorit artistik dhe prezantohet vazhdimisht në skena ndërkombëtare. Por pavarësisht këtij suksesi, shpesh "Porgy and Bess" është kundërshtuar e ka pasur nga ata të cilët që në fillim e kanë konsideruar raciste.

ol.li.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›