E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PS, certifikatë pronësie bujqve

 

Partia Socialiste premton regjistrimin e tokës bujqësore dhe dhënien e certifikatës së pronësisë për bujqit në mandatin e saj të parë qeverisës. Kreu i PS-së, Edi Rama, vijoi dje turin e takimeve me vullnetarët në qytetin e Elbasanit, ku u ndal te reforma e pronësisë. Sipas Ramës, “ne do të përfundojmë regjistrimin e tokës bujqësore dhe do t’u japim në dorë certifikatën e pronësisë bujqve e fermerëve, duke hedhur bazën e tregut të tokës. Sepse nuk mund të ketë një Shqipëri të mirushqyer me një fshat të kthyer në epokën e mesjetës dhe s’mund të ketë një Shqipëri evropiane të zhvilluar ekonomikisht pa hapur epokën e kapitalizmit në fshat”. Kreu i opozitës bëri të ditur se certifikimi i tokës bujqësore do të bëhet mbi bazën e ligjit 7501, çka sipas tij do të bëjë pronarët zotër të tokës së tyre. “Ne do ta hapim këtë epokë më 28 qershor, duke mbyllur procesin e certifikimit të pronësisë mbi tokën bujqësore mbi bazën e ligjit 7501, duke i kthyer bujqit dhe fermerët shqiptarë nga bujkrobër që mbijetojnë pa pronë e mbështetje nga shteti, në zotër të tokës që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin e me shtetin për të nxjerrë nga varfëria familjen e tyre, fshatin e tyre, atdheun e tyre”, vijoi më tej kreu i socialistëve. Në fjalën e tij, Rama tha se me ardhjen e Partisë Socialiste në pushtet në 28 qershor fermerët në vend do të shkruajnë një faqe të re në histori, të cilën ai e krahasoi me një aleancë historike mes fshatit dhe qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›