E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkaqet pse nuk po e paqtohet Afganistani

Gjersa nëpër fshatrat afgane po luftohet 'lufta kundër terrorit', shkaqet themelore po lihen të pashqyrtuara

Ne filluam para shtatë viteve një rrugëtim në Afganistan, me luftën e cila ua hoqi fuqinë talebanëve. Ka pasur plot të arritura gjatë kësaj rruge, për Afganistanin dhe për botën. Në më pak se 45 ditë në vitin 2001, ne afganët u liruam nga mizoria e terrorizmit dhe talebanëve. Në atë kohë, populli i Afganistanit mbante shpresa të mëdha për një të ardhme të menjëhershme e të mrekullueshme. Disa nga këto shpresa u përmbushën. Fëmijët tanë janë kthyer në shkollë. Afro 85 % e afganëve tani kanë qasje në ndonjë përkujdesje shëndetësore, një rritje prej 9 % që nga viti 2001. Vdekshmëria e fëmijëve, që ishte në mesin e më të këqijave në botë në vitin 2001, ka rënë për 25 %. Demokracia, shtypi i lirë, fitimet ekonomike dhe jetesa më e mirë, të gjitha këto po ndodhin në Afganistan. Por mjerimisht, ne ende po luftojmë talebanët dhe al-Qaidën. Çka nuk kemi bërë si duhet, që po na bën neve dhe tërë botën më pak të sigurt? Pas çlirimit në vitin
2001, komuniteti ndërkombëtar u përqendrua vetëm në Afganistanin si vendin ku duhet të luftohet ekstremizmi dhe terrorizmi, gjersa ne afganët argumentonim se shteti ynë nuk është vendi i duhur për të luftuar. Lufta mbi terrorin nuk mund të bëhet nëpër fshatrat afgane. Në vend të kësaj është nevoja për një qasje rajonale. Duhet të përqendrohet në vendstrehimet e atyre të cilët trajnojnë, pajisin dhe motivojnë ekstremistët dhe i dërgojnë ata që të na lëndojnë të gjithë neve. Por neve nuk na u vu veshi, dhe pavarësisht nëse kjo ishte mungesë e njohurisë apo mungesë e vullnetit, ngjarjet kanë dëshmuar se kemi të drejtë. Fatkeqësisht, gjatë dy viteve të kaluara, Pakistani është prekur po aq, ose ndoshta edhe më keq se Afganistani. Pothuajse i tërë rripi fisnor përgjatë kufirit Pakistan-Afganistan është duke vuajtur. Njëjtë si shkollat që u dogjën në Afganistan që nga viti
2004 e më tej, gjatë vitit të kaluar shkollat në Pakistan, posaçërisht ato për vajza, janë bërë shkrumb e hi, duke lënë 80 mijë fëmijë pa shkolla. Urat janë shembur, ushtarë dhe
policë janë vrarë; bombat kanë eksploduar nga Karachi në Lahore e në Islamabad. Dhuna
është shpërndarë në Indi gjithashtu, me bombardime në Gujarat, Bangalore dhe Delhi. Andaj, problemi është rajonal dhe ka të bëjë me përkrahjen institucionale ndaj ekstremizmit, gjë e cila nxit terrorizmin. Nëse nuk i adresojmë kolektivisht rrënjët e problemit, duke i dhënë fund kësaj përkrahjeje, ashtu si përkrahjes financiare të radikalizmit në të gjitha format, ne nuk do ta mundim terrorizmin. Kjo nuk është kuptuar si duhet në Perëndim, që ka luftuar simptomat e terrorizmit, po ka dështuar të sulmojë shkaqet e saj themelore. Fatmirësisht, sot shoh shenja të njohjes së kësaj gjendjeje. Dhe ndryshimi demokratik në Pakistan është lajm i mirë për afganët, popullin e Pakistanit, dhe, më tej për shumë të tjerë përreth botës. Presidenti i ri i Pakistanit, Asif Ali Zardari, ka vuajtur prej terrorizmit ashtu si kemi vuajtur edhe ne. Gruaja e tij, Benazir Bhutto ishte vrarë nga terroristët. Unë vizitova Pakistanin për inaugurimin e presidentit Zardari, dhe për herë të parë pashë një rreze të vogël shprese. Nëse të gjithë ne mund të punojmë së bashku - Afganistani, Pakistani, India, SHBA-ja dhe të gjithë aleatët tanë - shoh një mundësi të kapërcimit të ditëve kur qeveria mendon se ka nevojë për ekstremizmin si instrument të politikave. Kur të gjitha qeveritë në rajon refuzojnë ekstremizmin, nuk do të ketë më vend për ekstremistët dhe terrorizmi do të vyshket. Por kjo gjithashtu kërkon që të ndihmohen njerëzit, të cilët, prej dëshpërimit, kanë rënë viktimë e forcave ekstremiste.
Vitin e kaluar, unë e fala një djaloshi 14-vjeçar nga rajoni fisnor i Pakistanit, Waziristani, i cili kishte ardhur në Afganistan që të eksplodojë vetveten në një bombardim vetëvrasës. Vetëm mungesa e skajshme e shpresës mund të bëjë një njeri kaq të ri që të drejtohet kah një veprim i tillë. Ne duhet t'i shpëtojmë këta njerëz duke ua dhënë një të ardhme më të
mirë, gjë të cilën mund ta sjellë vetëm edukimi dhe mundësitë e reja. Dëshpërimi dhe varfëria janë aleatët e përdorur nga forcat e liga, në mënyrë që të rritin kuadrot e tyre terroriste. Por ky mjedis nuk do të ndryshojë nëse mungon vullneti politik dhe nëse nuk ka veprim nga SHBA-ja dhe qeveritë e rajonit që të mundësojnë krijimin e vendeve të
punës nga ekonomia jonë, punë të cilat japin shpresë. Për më shumë, në mënyrë që
t'ua mohojmë terroristëve përkrahjen institucionale, ne duhet të sjellim fuqi institucionale
në Afganistan. Ne duhet t'u mundësojmë afganëve që të kujdesen për veten dhe të mbrojnë shtetin e tyre, të kenë një të ardhme, të kenë shpresa për rritjen e fëmijëve të tyre. Tash vonë, fola me një burrë afgan që është shumë i afërt me mua. Ai ka një djalë i
cili punon në Ministrinë e Jashtme afgane. Ky njeri i ri kishte lindur në SHBA, por u kthye në Afganistan para katër viteve. Babai pyeti "A mendon se duhet ta kthejë të
birin në SHBA?" Unë thashë, "Pse? Lëre të jetojë këtu, le të punojë këtu, le të jetë një afgan". Ai tha: "Po, por a do të ketë ai të ardhme këtu?" Një e ardhme e suksesshme do të thotë siguri dhe bukë. Ne kemi filluar të sjellim shpresë duke i edukuar afganët e rinj, por ne ende nuk kemi pasur sukses t'ua sjellim një jetë të sigurt, të lirë nga rreziqet e bombave dhe bombardimeve ajrore. Dhe nëse këto dy kushte përmbushen, heqja e përkrahjes politike për radikalizëm dhe ndihma për të dëshpëruarit, ne do të kemi një jetë më të sigurt, jo vetëm në Afganistan, por edhe në Pakistan, Indi dhe në tërë botën.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›