E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Një histori humbësish ose mos pështyni përtokë!”

19/08/2010 Çapaliku në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental

Është historia e një ish spiuni të sigurimit të shtetit, e cila pas Shkodrës, Durrësit, Korçës apo Gjermanisë do të rrëfehet në Egjipt. Në qendër të saj është Përparimi, alias Bernard Maria Leopoldo de Himenez, i cili është arratisur nga Shqipëria pas viteve ‘90 nga frika e hakmarrjes e që pas 20 vjetëve vendos të rihyjë në kontakt me vendin e vet....

Me pak fjalë ky është filli ku thuren ngjarjet e pjesës së dramaturgut Stefan Çapaliku, “Një histori humbësish ose mos pështyni përtokë!”.

E shfaqur tanimë në skenën gjermane, ku është pritur mirë, pjesa do të ngjitet edhe në skenën egjiptiane. Së fundi është konfirmuar pjesëmarrja e tij në një festival botëror teatror që zhvillohet prej dhjetëra vitesh në Kajro.

Shqipëria do të prezantohet në këtë aktivitet nga Teatri “Migjeni” i Shkodrës me dramën “Një histori humbësish ose mos pështyni përtokë!" shkruar dhe vënë në skenë nga Stefan Çapaliku, me skenografi të Erjon Talanit dhe në interpretimin e Guliem Radojës (Artist i Merituar), Rita Gjekës, Enver Hysenit dhe Jozef Shirokës.

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Eksperimental do të zhvillohet nga data 10 deri më 20 tetor 2010 në mjediset e operës së Kajros. Këtë vit shënohet edicioni i 23-të i këtij festivali. “Një histori humbësish ose mos pështyni përtokë!”, rrëfen historinë e një ish-spiuni të shtetit, i cili ndërsa kërkon të rivendosë kontaktet me vendin e origjinës, gjen një shoqëri të katandisur moralisht dhe të pazotën të vendosë në vend drejtësinë e dhunuar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›