E Martë, 3 Nëntor 2026

Një i arrestuar në Lushnjë për krim zgjedhor, Prokuroria kalon çështjen në SPAK

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Një shtetas është arrestuar në Lushnjë për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, pasi dyshohet se i ka premtuar 50 000 lekë një personi dhe i ka marrë kartën e identitetit për të favorizuar një subjekt politik në zgjedhje.

Prokuroria e Fierit njoftoi sot se “pas informacionit të Komisariatit të Policisë Lushnjë, Prokuroria Fier në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore të këtij komisariati, si dhe në koordinim të vazhdueshëm dhe efektiv me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, duke përdorur edhe metoda proaktive të hetimit, kanë arritur të dokumentojnë se, shtetasi M.L., i ka kërkuar dhe marrë shtetasit M.T., kartën e identitetit kundrejt premtimit të një shume prej 50 000 lekë, me qëllim për të favorizuar një subjekt politik në zgjedhje”.

Sipas Prokurorisë “pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, policia gjyqësore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, ka kryer arrestimin në flagrancë të të dyshuarit”.

“Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dërguar në Gjykatë kërkesa për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj shtetasit M.L., e cila është miratuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier”, njoftoi prokuroria.

Prokuroria e Fierit njoftoi se “pas kryerjes së veprimeve të ngutshme procedurale, ka vendosur që çështja ti kalohet për kompetencë lëndore Prokurorisë së Posaçme”. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›