E Diel, 1 Nëntor 2026

Një i ri theret me thikë në Vushtrri

Nga Express më 24 shkurt 2011 në ora 12:00

Policia ka njoftuar se një 19-vjeçar është duke u trajtuar në QKUK në Prishtinë, pasi është therur me thikë, nga një i mitur.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë, në rrugën “Ismajl Qemajli” në Vushtrri.

“Rreth orës 20:10 min, autoritetet policore të stacionit Vushtrri, kanë pranuar informatën fillestare nga emergjenca e spitalit të Vushtrrisë, për prezencë të një personi me plagë të pranuara nga një mjet i mprehtë, thikë”, ka njoftuar Besim Hoti, zëdhënës rajonal i policisë.

“Njësitë e para policore të cilat kanë kontaktuar personelin mjekësor, kanë kuptuar se viktima kishte pësuar disa plagë në pjesën e shpinës ndërsa ishte në gjendje të vetëdijshme për të komunikuar me zyrtarët policor lidhur me informatat fillestare të rastit”.

Rastit i ka paraprirë një zënkë e çastit në mes të viktimës dhe të dyshuarit të mitur, i cili besohet të kishte vënë në përdorim një thikë, duke goditur viktimën së paku katër herë nga prapa në shpinë.

Thika e përdorur në këtë rast, është sekuestruar nga policia si pjesë e provave materiale ndërsa një person i moshës së mitur, është vënë nën kontroll të arrestit policor për përfshirjen e tij në cilësi të dyshuarit.

Prokurori Publik i Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, cili është informuar lidhur me rastin dhe veprimet e ndërmarra policore, ka autorizuar zhvillimin e hetimeve në kualifikimin e rastit si “Vrasje në tentativë” ndërsa ka urdhëruar caktimin e ndalimit policor sipas dispozitave ligjore për të mitur, ndaj të dyshuarit.

I dyshuari i mitur është intervistuar nga hetuesit policor në prezencë të avokatit mbrojtës dhe përfaqësuesit të tij ligjor, në këtë rast prindit të tij.

Hetimet lidhur me rastin dhe sqarimin e rrethanave të plota janë duke u ndjekur nga hetuesit rajonal të Policisë në Mitrovicë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›