E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacolli merr zyrtarisht detyrën e presidentit

Nga Express më 24 shkurt 2011 në ora 12:13

Kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi ka dalë i buzëqeshur nga Zyra e Presidencës së Kosovës ku kishte shkuar për t’ia dorëzuar detyrën Presidentit të ri të vendit, Behgjet Pacollit.

Ai ka thënë se nuk e konteston Pacollin si President.

“Jo unë nuk vazhdoj... Kuvendi i Kosovës me votat e veta i ka dhënë besimin z.Pacolli për të qenë President i Kosovës dhe unë sot jam këtu për t’i uruar detyrën. Pushtetet janë të ndara dhe ne do t’i kryejmë detyrat tamam ashtu siç e jep Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet, me të cilat punojnë institucionet” ka thënë ai.

Krasniqi ka lënë të kuptohet se Gjykata Kushtetuese mund të merret me rastin.

“Unë nuk e kontestoj dhe nuk e kam detyrën e as përgjegjësinë për ta kontestuar vendimin e Kuvendit. Është çështje e institucioneve tjera të pavarura t’i kryejnë detyrat e veta konform ligjeve dhe Kushtetutës”, ka thënë Krasniqi gjatë një prononcimi për media, pas takimit me Pacollin.

E Presidenti i ri është shprehur i kënaqur që ka marrë një urim nga Krasniqi.

“Urimet më të mira i kam marrë sot. Me z. Krasniqi jo që jemi përfaqësues të dy institucioneve të rëndësishme të Kosovës, por ne jemi edhe miq të vjetër dhe sot ishte një fillim i kësaj dite të punës shumë i bukur, shumë i mirë, shumë i mbarë. Me z. Krasniqi, Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, do të bashkëpunojmë të ardhmen”, ka thënë Pacolli. Ai nuk ka pranuar të komentojë rreth aferës së SMS’ve, e cila përfshin atë, këshilltarin e tij dhe Ambasadorin e SHBA’ve, Christopher Dell.

Krasniqi ka thënë se nuk i ka dërguar askujt SMS’a.

“Unë nuk merrem me çështje private të individëve, është çështje tjetër. Për mua është ajo krejt një çështje private. Pyetni ata që i kanë shkruar SMS’at. Unë atë ditë nuk kam shkruar SMS’a”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›