E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një intervistë Mark Twain

Mark Tueini për gazetarinë dhe çështje të tjera

Djaloshi i ri, një mistrec nervoz e i gojës, u ul në karekllën që i thashë unë dhe më njoftoi se vinte nga gazeta "Furtuna e përditshme"; pastaj shtoi:
- Besoj se nuk ju bezdis. Kam ardhur për një intervistë.
- Përse ke ardhur?


- Për intervistë.
- Ah, po, po! Hëm! Po, po!
Atë ditë isha pa qejf. Më dukej sikur më ishin prerë gjithë fuqitë. Megjithatë, vajta në librari dhe, pasi humba nja gjashtë a shtatë minuta duke kërkuar libra, mendova se isha i detyruar t'i përgjigjesha atij djaloshit. U ktheva dhe i thashë:
- Si shkruhet?
- Cila?
- Fjala intervistë.


- O perëndi! Po përse ma bën këtë pyetje?

- Nuk dua të di si shkruhet, dua të di ç'kuptim ka.
- Kjo gjë po më çudit. Unë mund t'jua them ç'kuptim, ka në qoftë se ju...
- Oh tamam; atëherë do të përgjigjem dhe do të më bësh borxhli.
- In, ter, inter...


- Atëherë, filluaka me "I"?*

- Natyrisht!
- Oh, kjo më ka lodhur.
- Po pse, i dashur zotëri, me se pandehnit ju se fillonte?


- Nuk e gjeja dot. Unë e merrja fjalën të pashkurtuar dhe bëja hesap që ta ngjisja në ndonjë pikturë. Po është një fjalë shumë e vjetër.


- Ç'thua kështu, i dashur mik, si mund ta ngjitje në një pikturë. I dashur zotëri, më fal, unë s'kam dashur aspak t'ju fyej, po ju nuk më dukeni aq... aq i zgjuar sa ç'pandehja unë. Nuk dua t'ju fyej, jo, aspak.
- Oh, ç'është ajo, as mos e zër në gojë! Ma kanë thënë shpesh herë, njerëz që nuk bëjnë lajka dhe s'kanë përse të bëjnë lajka, që unë jam i dalluar në atë drejtim. Po, po; ata e thonë me gjithë zemër.


- E marr me mend. Po le të kthehemi tek intervista. Siç e dini, tani është bërë zakon që t'i merret intervistë çdo njeriu të shquar.
- Vërtet? S'e kisha dëgjuar këtë gjë. Duhet të jetë shumë interesante. Me çfarë e bëni?
- Ah, vërtet, vërtet, kjo është bela. Nganjëherë duhet bërë me kopaçe; po zakonisht bëhet kështu: ai që merr intervistë bën pyetje dhe ai që jep, përgjigjet. Tani erdhëm në temë. Do më lejoni t'ju bëj disa pyetje për disa çështje të rëndësishme të jetës suaj, të cilat do t'u interesojnë lexonjësve?


- Oh, me gjithë qejf, me gjithë qejf. Unë kam një kujtesë që lëre mos e nga, po kjo besoj s'të prish punë. Dua të them e kam të shrregullt, fare të shrregullt. Ngadonjëherë ua mbath me të katra, kurse ndonjëherë tjetër i duhen dy javë për të arritur atje ku duhet. Kjo më dëshpëron shumë.


- S'ka gajle, ju do të bëni ç'është e mundur.
- Sigurisht do të vë të gjithë fuqinë e vëmendjes.
- Ju faleminderit. Jeni gati të fillojmë?
- Gati.


Py. - Sa vjeç jeni?


P. - Në qershor mbush nëntëmbëdhjetë.
Py. - Çudi! Unë pandehja se do të ishit nja tridhjetë e pesë a tridhjetë e gjashtë. Ku keni lindur?
P. - Në Misuri.


Py. - Kur keni filluar të shkruani?


P. - Më 1836-ën.
Py. - Bah, si është e mundur? Atëherë si mund të jeni nëntëmbëdhjetë vjeç?
P. - As unë s'e di. Duket vërtet si e çuditshme.


Py. - Ashtu është. Cili është njeriu më i shquar që keni takuar?


P. - Aarron Barri.**
Py. - Po ju s'keni si ta keni takuar Aarron Barrin, në rast se jeni nëntëmbëdhjetë vjeç.
P. - Po në qoftë se e di ti më mirë se unë jetën time, atëherë përse më pyet.


Py. - Ashtu vërtet; ky ishte një mendim, asgjë më tepër. Në ç'rrethana e keni takuar Barrin?


P. - Një ditë u ndodha në varrimin e tij dhe ai m'u lut të mos bëja aq zhurmë dhe...
Py. - O zot! Po të keni qenë në varrimin e tij, ai do të ketë qenë i vdekur dhe po të ketë qenë i vdekur, përse do të çante kokën nëse bëhej apo nuk bëhej zhurmë?


P. - Nuk e di. Ai ka qenë njeri i çuditshëm.
Py. - Akoma s'po e marr vesh. Ju hem thoni se biseduat me të, hem thoni se kishte vdekur.
P. - Unë nuk thashë se kishte vdekur.
Py. - Atëherë ishte i gjallë?


P. - Disa thoshin se ish i gjallë, disa të tjerë se ish i vdekur.


Py. - Po ju ç'mendoni?


P. - Oh, ajo s'ishte puna ime; se mos ish varrimi im?
Py. - Po ju... më mirë e lëmë, se s'kemi si e zgjidhim këtë çështje. Lejomëni t'ju pyes diçka tjetër. Në ç'datë keni lindur?


P. - Ditën e hënë, më 31 tetor, 1693.


Py. - Bah! E pamundur! Atëherë duhej të ishit njëqind e tetëdhjetë vjeç. Si e llogaritni ju?
P. - Unë s'e llogaris fare.


Py. - Ç'është kjo? Më parë më thatë se ishit nëntëmbëdhjetë vjeç, kurse tani na dilni njëqind e tetëdhjetë. Ky është një ndryshim i madh.
P. - Po si të ra në sy kaq shpejt? (Duke i shtrënguar dorën). Edhe mua më ishte dukur shumë herë se ka një ndryshim të madh, po nuk ma kapte mendja. Sa shpejt që e kape ti!


Py. - Ju faleminderit për fjalët e mira. A keni pasur ose a kini vëllezër e motra?
P. - Po më duket sikur... po s'më kujtohet.
Py. - Kjo është përgjigja më e çuditshme që më ka zënë veshi.


P. - Përse thua ashtu?
Py. - Po ç'të them tjetër?


Py. - Cili është ky në këtë fotografi të varur mbi mur? Mos është vëllai juaj?


P. - Oh, po, po, po! Tani ma kujtove. Ai ka qenë vëllai im. Është Uiliami; ne e thërrisnim Bill! I shkreti Bill!
Py. - Pse ka vdekur?


P. - Ah, besoj se po. S'e kemi marrë vesh. E ka mbuluar fshehtësia.


Py. - Ah, taksirat! Qenka zhdukur, hë?


P. - Po, në përgjithësi; pastaj e varrosëm.
Py. - E varrosët? E varrosët pa e ditur se kishte vdekur apo jo?
P. - Oh, jo, jo! Për të vdekur, vdiq fare.
Py. - Nuk po ju kuptoj: në rast se e varrosët dhe e dinit që kishte vdekur...
P. - Jo, jo, pandehnim se kishte vdekur.


Py. - Oh, tani e kuptova! U ngjall përsëri?


P. - E vë me bast që nuk u ngjall.
Py. - S'më ka zënë veshi kurrë një gjë të tillë. Ai vdiq. Ai u varros. Ku qëndron e fshehta?
P. - Ah, tamam, tamam, ashtu është. Ne ishim binjakë, - i ndjeri dhe unë, - dhe u ngatërruam në vazon e banjës, kur ishim dy javësh; njëri nga ne u mbyt, po nuk e morëm vesh se cili. Disa thonë që u mbyt Billi. Të tjerë thonë për mua.


Py. - Qenka e çuditshme. Po ju si mendoni?


P. - Perëndia e di. Do të falja gjithë botën veç ta mësoja këtë gjë. Kjo e fshehtë e llahtarshme më ka nxirë gjithë jetën. Po tani do të tregoj një të fshehtë, të cilën s'ia kam zbuluar askujt deri më sot. Njëri nga ne, kishte një shenjë të veçantë, - një nishan të madh në shpinë të dorës së majtë; ai isha unë. Ky ishte ai që u mbyt!


Py. - Ashtu thuaj; atëherë nuk ka ndonjë gjë të fshehtë në këtë mes.
P. - Për ty s'ka, po për mua ka. Unë nuk e marr vesh se si arritën të bënin një gabim kaq trashanik, sa të varrosnin njërin për tjetrin. Po shët! Mos e zër në gojë, se mos të dëgjojë familja. Mjaft e kanë pikëllimin që u ka dhënë Zoti, mos t'u shtojmë edhe këtë.


Py. - Tani më duket se kam marrë material të bollshëm për punën time dhe jam mirënjohës që morët këtë mundim. Po desha të dija si qëndron puna e varrimit të Aarron Barrit? A mund të më tregoni se ç'gjë ju ka bërë të mendoni se Barri ishte njeri i shquar?
P. - Oh, atë e thashë me shaka!

As një për qind e njerëzve nuk mund ta pikasnin atë. Pasi mbaruan psalmet, dhe kur të gjithë po bëheshin gati të niseshin për në varreza, pasi e rregulluan të vdekurin mirë e bukur mbi karrocë, atij birçes se ç'iu shkrep t'i hidhte botës një vështrim të fundit, e një të ngritur bën nga qivuri dhe ulet pranë karrocierit.
Djaloshi u largua duke nderuar. Shoqëria e tij ishte e këndshme dhe mua më erdhi keq që iku.


* Germa "I", në anglisht do të thotë "unë".
**Aarron Barr (1756-1836) nënpresident i tretë i SHBA-së

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›