E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pier Paolo Pasolini dhe lulet e prillit

Aktori italian, Antonio Piovanelli, interpreton Pasolinin përballë studentëve shqiptarë të italianistikës. Nervi i vargjeve "Unë jam forca e së shkuarës", apo i atyre kushtuar lulevileve, nuk i shkriu dot të rinjtë për të diskutuar për këtë figurë autentike të artit botëror, pak të njohur në Shqipëri


"...dhe ndërkaq ishte prill/ dhe lulevilja sërish lulëzonte.../ me mllefin tim të ri". Vargjet e poezisë "Il Glicine", të Pier Paolo Pasolinit, aktori Antonio Piovanelli i interpretoi pjesërisht dje para studentëve të italianistikës në Tiranë.

"Poezia e rënies" e quajti ndryshe Piovanelli, i cili ndodhet në Shqipëri pikërisht për artistin e tij unikal dhe të veçantë, Pier Paolo Pasolinin. Por, sonte në mbrëmje, ora 19.00, në Teatrin Kombëtar, me siguri që në spektaklin "Pasioni Pasolini" ai ka për të transmetuar emocionet e forta që krijojnë vargjet "Unë jam forca e së shkuarës / vetëm tek tradita është dashuria ime", nga përmbledhjet me lirika pasolianiane, "Poezia në formën e trëndafilit" apo "Feja e kohës sime".


Me gjithë duartrokitjet që mori dje në auditor, Piovanelli nuk arriti t'i shkrijë dot studentët. Si për humor tha se ndoshta i kishte ngurosur forca e "Luleviles" së Pasolinit. Aktori u mundua që këto vargje t'i prezantojë si vetja e Pasolinit, si jetën e tij, si autobiografi të tij. "Ky poet unikal dhe i parehatshëm për ato që thoshte, në veprën e tij vë veten e tij, realitetin e Italisë dhe së ardhmes së saj.

Dhe për këtë, si armë përdor poezinë. Për t'u shprehur ai përdor gjithë qenien e tij". Piovanelli veçon nga vargjet e Pasolinit: ndjesitë dhe turbullimin e adoleshencës, religjionin dhe mitin e fshatit, të cilat sa ç'janë personale aq shprehin esencën e ekzistencës tonë.

Mbi këto vatra që u bënë territore kërkimi edhe në fusha të tjera të artit që ai lëvroi, kinema, gazetari, pikturë, u ndërtua kisha e këtij artisti të pangushëllueshëm prej kontradiktës së pasionit me të vërtetën dhe arsyen.
"Misioni im si aktor është që t'i shkëpus nga letra vargjet e tij dhe t'ua transmetoj njerëzve, sepse mendoj se Pier Paolo Pasolini s'është akoma i njohur sa duhet", - u tha Piovanelli studentëve shqiptarë të italishtes, të cilët e studiojnë jetën dhe veprën e këtij artisti (1922-1975).

Ndoshta sonte ai ka për të thënë më shumë kur figurën e Pasolinit do ta përcjellë nëpërmjet autobiografisë me vargje të zgjedhura, një formë shumë të koncentruar: vetëm dy karrige mbi një platformë dhe një sfond i zi. Shoqërohet në fizarmonikë nga Elton Balla.


Antonio Piovanelli është njohës i mirë i veprës poetike të Pasolinit. Ai ka punuar në kinema me regjisorë si vëllezërit Taviani, Bernardo Bertolucci, Marco Bellocchio, Giuliano Montaldo dhe Francesca Archibugi dhe në teatër, me Luchino Viscontin, Giorgio Stehler, Abel Ferrara, Angelo Savelli, etj. Prej shumë vitesh ai paraqitet jashtë vendit si aktori-ambasador i poezisë latine dhe italiane, me poetë si Katuli, Virgjili, Dante, Alfieri, Pasolini, duke fituar admirimin e kritikës dhe të publikut.


Instituti Italian i Kulturës, i cili ka organizuar këto aktivitete homazh për Pasolinin, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare, po sot, ora 11.00, prezanton konferencën "Pier Paolo Pasolini, poeti i hirit", e udhëhequr nga Roberto Chiesi, kritik kinemaje dhe përgjegjës i Qendrës së Studimeve - Arkiva "Pier Paolo Pasolini" në kinotekën e Bolonjës.

Chiesi do të ndalet në veçanti tek kinemaja, fushë ku artisti italian ka lënë gjurmë të pashlyeshme me "Accatone", "Mamma Roma", "Teorema", "Dekameroni", "Medea", "Edipi mbret", "Salo ose 120 ditët e Sodomës", etj. Privilegj do të ketë "Ungjilli sipas Mateut", sepse prej këtij filmi të vitit 1964 janë nxjerrë imazhet e ekspozitës "Ungjilli sipas Pasolinit", që paraqitet sot në Bibliotekën Kombëtare nën kujdesin e Angela Tromellinit, përgjegjëse e Arkivit Fotografik të Kinotekës së Bolonjës.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›