Xhaxhai i Ilir Kumbaros, refuzon të dëshmojë
Remzi Hoxha
Ali Kumbaro ishte thirrur për të dëshmuar nga prokuroria mbi ardhjen e nipit në Shqipëri në vitin 2001, me emrin Shaqe Shatri
Ish-punonjësi i SHIK-ut: Kumbaro kishte sjellë një kosovar dhe e mbajtën disa ditë në zyra ku punuan me të
TIRANË- Ali Kumbaro xhaxhai i të pandehurit Ilir Kumbaro, edhe pse i thirrur me cilësinë e dëshmitarit të organit të akuzës, dje, refuzoi të dëshmojë para Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet, duke përfituar nga mundësia që i jep legjislacioni shqiptar.
Kjo e drejtë e mos deklarimit me dëshirë nga personat që kanë lidhje gjaku me të pandehurit e proceduar penalisht, parashikohet në nenin 158 të Kodit të Procedurës Penale, që xhaxhai i të pandehurit Kumbaro përfitoi nga kjo dispozitë. "Unë Ilir Kumbaron e kam nip, djalë të vëllait.
Për shkak të kësaj lidhjeje gjaku unë nuk dëshiroj të dëshmoj për të"-u shpreh Ali Kumbaro, i thirrur me cilësinë e dëshmitarit të akuzës nga Gjykata me kërkesë të prokurorit të çështjes Xhevat Hana.
Mësohet se arsyeja e thirrjes së xhaxhait të të pandehurit Kumbaro nga organi i akuzës, ishte për të provuar largimin e tij nga Shqipëria në vitin 1996 pak muaj pas ngjarjes së rrëmbimit të Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës.
Si dhe për të provuar se ka hyrë në Shqipëri në vitin 2000 për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të të atit nën identitet të rremë dhe pasaportë angleze me emrin e kosovarit Shaqo Shatrit.
Por, për shkak të mos pranimit për të deklaruar, ky fakt, sipas prokurorisë, mbetet për tu zbardhur në seancat gjyqësore në vazhdim me pyetjen e dëshmitarëve të tjerë dhe dorëzimit para Gjykatës, të një kopjeje të faqes së TIMS-it ku provohet hyrja e tij në Shqipëri në vitin 2000.
Ndërkohë, po gjatë ditës së djeshme para togave të zeza ka dëshmuar ish-roja i SHIK-ut në drejtorinë e kryeqytetit, shtetasi Hysen Sina, i cili në dëshminë e tij i sqaroi gjykatës se Ilir Kumbaro e kishte vënë në dijeni se do të largohej nga Shqipëria.
"Vetëm pak ditë pas fitores së zgjedhjeve parlamentare nga Partia Demokratike në vitin 1996, kam qenë i shtruar në Spital dhe e kam takuar Ilir Kumbaron, ku më ka thënë se "pensionin e mora dhe do të largohem nga Shqipëria"-nënvizoi dëshmitari Sina duke rikujtuar bisedën e bërë me ish-shefin e tij të pandehurin Ilir Kumbaro.
Gjithashtu, në fjalën e tij Sina sqaroi se pak kohë më parë, kishte marrë vesh në Gazeta se Ilir Kumbaro ka qenë në Angli dhe ndaj tij kishte një vendim nga Gjykata e Londrës për ekstradim në Shqipëri.
Ndërsa, i pyetur nga prokurori i çështjes për hedhjen nga kati i tretë i shtetasit Avdyl Loshaj në kohën që ai po kryente detyrën e rojës në ndërtesën ku ishte vendosur drejtoria e SHIK-ut të Tiranës, sot Drejtoria e Policisë së kryeqytetit, Sina theksoi se nuk kishte dëgjuar për ngjarje të tillë.
Por, prokurori Hana i kujtoi dëshmitarit se në deklarimet e dhëna në prokurori në qershor të vitit 2003 ka shpjeguar me hollësi këtë fakt, duke i kërkuar dje gjykatës që ta lexojë procesverbalin e marrjes në pyetje të tij, kërkesë që u pranua nga togat e zeza. "Nuk mbaj mend datën por di që ka qenë viti 1995 në kohën që po kryeja punën si roje, është hedhur një kosovar, djalë i ri nga kati i tretë.
Ai kishte të veshur një palë xhinse dhe një bluzë të zezë dhe në njërën pjesë të fytyrës dukej si e djegur. Nuk e di kush e ka sjellë kosovarin aty, që ka qëndruar për disa ditë, por di që Ilir Kumbaro ka punuar me të dhe e ka marrë në pyetje ai vetë në zyrë"-kishte pas deklaruar Sina në prokurori.
Rojet e Vainës: nuk kemi parë të shoqëruar në ndërtesë
TIRANË- Pas dëshmisë së Hysen Sinës dhe refuzimit të dëshmisë së Ali Kumbaros, para togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda dolën me cilësinë e dëshmitarëve të akuzës tre ish-dhe rojet e ndërtesës së SHIK-ut në Vainë të Lezhës.
Ndërtesë, kjo që sipas akuzës, është shfrytëzuar nga ish-drejtuesit e SHIK-ut të pandehurit Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro e Avni Koldashi për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopulit, Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës, të cilët janë mbajtur për disa ditë, ku trupi i kosovarit Hoxha ende nuk dihet.
Asnjëri nga dëshmitarët, Mhillë Pjetri, Llec Kuçani dhe Tom Cyshku nuk pranuan se në ndërtesën e SHIK-ut në Vainë të Lezhës ka pasur persona që janë torturuar edhe pse pranuan se aty shkonin shumë agjentë të SHIK-ut për gjah dhe pushim.
Ndërsa, njëri prej dëshmitarëve përshkroi hapësirën ku është ndërtuar shtëpia e pushimit e SHIK-ut në Vainë të Lezhës. "Ndërtesa ndodhet mes një pylli, me sipërfaqe katror rreth 13 dylym. Në vitin 1995 ka qenë njëkatshe ndërsa tani është dykatshe. Ka dy hyrje, një nga para dhe një mbrapa që del në breg të detit.
Aty vinin shumë agjentë të SHIK-ut me rekomandim e pa rekomandim nga Tirana, për gjah ose për pushime. Por, në asnjë rast nuk mbaj mend të ketë pasur të shoqëruar në atë ndërtesë në kohën që kisha turin e rojës"-tha dëshmitari Mhill Pjetri.
-------------------------------------------------------------------------------
CËRRIKU
Xhepexhiu: dua Sali Berishën dëshmitar
TIRANË- I pandehuri Roland Xhepexhiu, i akuzuar si njëri nga organizatorët e "masakrës së Cërrikut" ku mbetën të vrarë 6 efektivët e Gardës së Republikës dhe 14 të tjerë mbetën të plagosur, kërkoi dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda të thërrasë dëshmitar në këtë proces gjyqësor kryeministrin Sali Berisha dhe ish-shoqëruesin e tij Agron Kuliçi, tashmë zv\Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Shkak për këtë thirrje, sipas Xhepexhiut, është dijenia që ata kanë në lidhje me ngjarjen e 23 majit 1997 në qytezën e Cërrikut.
"Edhe Sali Berisha edhe Agron Kuliçi kanë dijeni për ngjarjen dhe e dinë se kush e ka shkaktuar, të vijnë të deklarojnë këtu se si ka qenë e vërteta, se unë nuk jam as anëtar i Partisë Demokratike e as i Partisë Socialiste që të identifikohem si organizatori i kësaj masakre.
Unë nuk kam qenë ditën kur është qëlluar ndaj gardistëve, përkundrazi unë i kam ndihmuar familjarët e viktimave të marrin trupat pas ngjarjes",-tha Xhepexhiu para togave të zeza.
Nga pesëshja gjykuese e Gjykatës së Krimeve të Rënda, po gjykohen tashmë 9 të pandehur të akuzuar për sulmin e paradites së 23 majit 1997, kur dy kamionë të tipit "IFA", një furgon i blinduar dhe dy diagaçë u nisën nga Elbasani për në Cërrik me forca të policisë.
Me të hyrë në lagjen nr.3 të këtij qyteti ata janë përballur me të shtëna të papritura nga tarraca e kinemasë dhe dritaret e saj, ku ishin pozicionuar nën organizimin e Met Bozit dhe Llazar Bicjes, të pandehurit: Arjan Toska, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani së bashku dhe me shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani, dhe Bashkim Buzani.