“Nëse Rama do vazhdojë platformën e bllokimit, do të marrë të njëjtën përgjigje që mori më 8 maj”
Berisha: Gjithçka për projektin “Shqipëria vend i zhvilluar dhe i integruar në BE”
Kryeministri Berisha kujtoi dje se për dy vjet me radhë, opozita e kryesuar nga Edi Rama, bëri gjithçka për të dëmtuar qeverinë dhe procesin e integrimit të Shqipërisë. Sipas kreut të ekzekutivit, grevave, protestave dhe demonstratave për rrëzimin e pushtetit, qytetarët iu përgjigjën me votë në zgjedhjet vendore të 8 majit, duke e çuar lidershipin socialist në një tjetër humbje elektorale. Problemi themelor qëndron në faktin se Edi Rama, pasi humbi zgjedhjet, të cilat besonte se do i fitonte dhe në statut e kishte shkruar që kur partia humb zgjedhjet, kryetari largohet - u vu në situatën më të vështirë dhe ndryshoi statusin në “kur partia humbet zgjedhjet, kryetari nuk largohet”. “Midis procesit të analizës së humbjeve dhe procesit të mbrojtjes me çdo kusht të një fitoreje imagjinare që s’e kishte pasur kurrë, Rama zgjodhi të kundërtën dhe përdori gjithçka për të rrëzuar qeverinë legjitime, me greva qesharake, 1 700 protesta, qindra protesta përpara dritares së kryeministrisë, përdori forcën për të rrëzuar një qeveri legjitime. Erdhi në zgjedhjet e 8 majit, duke i shpallur ato si plebishit kundër qeverisë, mori 140 mijë vota më pak, mori 10 mijë vota më pak në garën e Tiranës, kërkoi të mos numëroheshin të gjitha votat. Në të gjithë këtë hark kohor i ofrova Edi Ramës, brenda kuadrit kushtetues, ofertën, Edi Rama i refuzoi të gjitha dhe sot ai po i pranon të gjitha, me të njëjtën bazë që nga vitit 2009. Dy vite më parë ai nuk shërbente, por tani shërben. La vakant prej një viti e gjysmë Avokatin e Popullit, sot e votuam. Këtë mund ta kishim votuar që para një viti e gjysmë. Si dëshmi e një kompromisi, mazhoranca i premtoi se s’do sillte asnjë kandidaturë, pasi Edi Rama zgjodhi platformën politike që të dëmtonte maksimalisht qeverinë dhe Shqipërinë në mënyrë që të vinte në pushtet. Dhe më 8 maj, mori përgjigjen që kërkonte. Në gjithë këtë rrafsh, dëmtoi thellësisht veten e tij. Megjithatë, sot jemi në parlament dhe uroj që të vijojë të punojë, pasi ne jemi në procesin e integrimit dhe ky proces kërkon 3/5. jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që ky proces të vazhdojë. Nëse Edi Rama vendos ta bllokojë, unë them se do jenë shqiptarët ata që do ta zgjidhin këtë problem. Nëse një njeri tenton t’i marrë peng, ata do t’i japin përgjigjen me vonë, ashtu siç ia dhanë më 8 maj. Integrimi i vendit s’mund të mbetet peng i një njeriu apo dy njerëzve”, u shpreh më tej Berisha. Duke u ndalur te progresi i vendit, Berisha tha se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, mbetet arritja më e madhe, pas pavarësisë. Sipas kryeministrit, liberalizimi i vizave ishte një tregues i theksuar se niveli i reformave të Shqipërisë ishte pranë kërkesave të BE. “Reformat janë komplekse, fusha nga më të ndryshmet kanë pasur ecuri pozitive. Nuk ka asnjë vend tjetër që të ketë arritur dhjetëfishimin e të ardhurave në 10 vite. Në ’91-shin Shqipëria ishte vendi i dytë më i varfër në botë. Sot, të ardhurat e shqiptarëve janë 9000 dollarë për frymë. Ekonomia shqiptare i rezistoi krizës më të thellë ekonomike. Transformim të rëndësishëm ka pësuar fusha e arsimit, shëndetësisë. Shqipëria e cila ndodhej në përqindje më të ulët të përdorimit të internetit në fillimin e vitit 2006, sot është nder vendet që aplikon internetin dhe telefoninë mobile me 141 për qind. Sot u harrua fjala ‘më bëj një zile’, falë paketa të kompanive të telefonisë celulare. Problemet e këtij debati janë plotësisht të zgjidhura. Shqipëria po përjeton një bum turistik të paprecedentë, të paimagjinueshëm. Asnjë nuk e imagjinonte në vitin 2005 se ky vend do merrte në vitin 2010, 3.3 milionë turistë. Shtypi britanik vetëm dy ditë më parë, përshkruante ecjen turistike drejt alpeve të Shqipërisë. Një kompanie e specializuar, shprehte se kërkesat janë në rritje për alpet e veriut. Natyrisht që ka probleme, varfëri, rrugë të shkatërruara, mungesë të ujit, por ky vend ka pësuar ndryshimet më të shpejta se çdo vend tjetër dhe kjo qeveri do bëjë gjithçka për projektin e Shqipërisë, vend i zhvilluar dhe i integruar në BE”, tha Berisha. Ai premtoi se ky proces do avancojë, por theksoi edhe njëherë se ligjet dhe reformat kërkojnë konsensus parlamentar, mazhorancë - opozitë. Berisha kujtoi se bllokimin e integrimit s’e ka bërë opozita në Beograd, opozita në Mal të Zi, opozita në Sarajevë, apo opozita në Shkup. “Këto forca politike i janë bindur vullnetit të integrimit, ndërsa këtë s’e bën opozita shqiptare, tha Berisha, duke shtuar se, Rama pasi humbi zgjedhjet filloi të shkruante ‘Kurbanin’”. Berisha u ndal dhe te diskutimet e reformës zgjedhore ku theksoi dhe njëherë se nuk do të ndryshojë sistemi zgjedhor. “Ky sistem jep një gjeografi të shkëlqyer në parlament, pasi i jep përparësi përfaqësimit rajonal. Disa gjëra nuk mund të bëhen thjesht e vetëm si i teket Edi Ramës, apo është në fazat e pendesës si me ndryshimet kushtetuese”. Kryeministri tha se dhe në zgjedhjet e vitit 2013, lista e kandidatëve do të jetë e mbyllur.
...