“Ekonomia e Shqipërisë, e shëndetshme, të ardhurat për frymë janë 9 000 dollarë”
“Raporti i FMN vlerëson në mënyrë të qartë si kristali gjendjen e shëndetshme të ekonomisë”. Kështu u shpreh kryeministri Berisha duke vlerësuar se “dy agjencitë e vlerësimit financiar, Moody’s dhe Standard & Poor’s, testuan ekonominë shqiptare dhe arritën në rezultate se ekonomia është plotësisht stabël”. Sipas kryeministrit, suksesi ekonomik i Shqipërisë, bazohet mbi modelin më të efektshëm në botë, atë të taksave të ulëta, qeveri të vogël, klimë biznesi të favorshme dhe investime të mëdha. “Janë faktorë që e kanë bërë ekonominë shqiptarë, të jetë ekonomia më e qëndrueshme në rajon. Nga 2006-a në 2011 të ketë të ardhura buxhetore mbi 8 miliardë dollarë më shumë sesa në vitin e fundit të shumëzuar me 6, në qeverinë e mëparshme. Ky model ka bërë që nga viti 2006 në 2011 të tre afishohen eksportet, të rriten rrogat me 120 për qind të arsimtarëve, mjekëve, të dy afishohen pensionet. Këto të ardhura bënë të mundur asfaltimin e 9 000 km rrugë dhe rikonstruktimin e mijëra shkollave në vend. Ky është modeli i bazuar në ato parime që ne shpallëm. Në vitin 2005 iu zotova shqiptarëve ofrimin e qeverisë së vogël, qeverisë së duarve të pastra dhe taksave të ulëta. Në një hark kohor të tillë janë mbledhur 8 miliardë dollarë më shumë dhe kjo falë luftës kundër korrupsionit, zhvillimit të biznesit dhe thithjen e investimeve të huaja. Sot, të ardhurat për frymë të qytetarëve shqiptarë janë 9 000 dollarë, nga 240 dollarë 20 vite më parë”, tha Berisha. Kryeministri garantoi se, “edhe për vitin e ardhshëm, qeveria do mbajë në nivelin 59 për qind borxhin publik, edhe pse KESH është autorizuar të marrë 50 milionë euro kredi, për shkak të thatësirës klimaterike. Vërsulja kundër këtij modeli ekonomik, është vërsulje kundër suksesit. Por ky nuk është sukses i vetëm kësaj qeverie, është sukses i vendit qytetarëve, pensionistëve, rrogëtarëve i të gjithë të punësuarve në kulmin e krizës ekonomike botërore. Fushata e tyre primitive kundër koncesioneve, në një kohë kur këto kanë qenë projektet më të rëndësishme të qeverisë, pasi mjaft prej tyre kanë filluar ndërtimin dhe fillojnë punën. Vitin e ardhshëm bëhet tenderi i veprës 1 miliard dollarëshe të kaskadës së Devollit. Çfarë janë këto? Janë punësime dhe vetëm punësime. Sa persona janë punësuar për ndërtimin e 9000 km rrugë? Ndërtimi i 1200 shkollave? Pra, është ky model ekonomik që bën bazën e suksesit të kësaj qeverie. Këto janë fakte që konfirmohen nga mbarë bota”, theksoi Berisha.
...