Një kompromis për të tredhur mendimin politik
Përpjekja për ta paraqitur kryesinë e re të Partisë Socialiste si një ulluk konsensual i çfarëdo mendimi politik, intelektual e sportiv që mbledhin organizatat-bazë të së majtës, ka bitisur në një listë të tredhur anëtarësie që s’premton për asgjë. Jo më që grishja për përplasjen e 2013-s s’ka asnjë mundësi që të reflektohet në masën e në intensitetin e duhur, por edhe ushqimi i përditshëm i debatit brendastrukturor në PS s’do t’i shërbejë medias. Nga lista Edi Rama ka përjashtuar eksponentë të mendimit ndryshe - pra ata që mendojnë me kokën e tyre – por edhe disa kokëshkretë besnikë, që gjatë këtyre kohëve o s’janë treguar në lartësinë e situatës, o japin shenja dobësimi, se s’janë në gjendje ta përballojnë kënetën që i pret deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kastriot Islami e Andis Harasani janë ikonat e spastrimit, ndërkohë që Taulant Balla e Fdel Ylli janë treguesit se si mund të çohen në karantinë edhe besnikët që vlerësohet se në të ardhmen s’do të jenë dot aq frytdhënës. Arsyet kanë të bëjnë me detantën politike, me humbjen e burimit financiar “Bashkia Tiranë”, por edhe me pamundësinë për të menaxhuar disa psiko-tipa që s’janë të përshtatshëm për publikun.
Për t’i vënë kapakun Epokës së re të Gjumit, Edi Rama ka institucionalizuar dje edhe procedurën e emërimit të oponencës brenda partisë. Në fakt qysh një ditë më parë u caktuan kufinjtë, u vunë sinoret me anë të deklaratave të Ben Blushit. Deri tek ato fjali mund të shkojë mendimi ndryshe në PS, deri tek deklarata se Edi Rama ka disa cene, porse ata kurrë s’do të bëjnë ndonjëfarë aksioni politik që do të çojë ujë në mullirin e Berishës. Pra, me institucionalizimin e oponencës së emëruar, Edi Rama fitoi dje një tjetër kështjellë në betejën e vet jo të lehtë me strukturat tradicionale të Partisë Socialiste. Me Ben Blushin dhe Arben Malajn, Edi Rama vrau ëndrrën e fraksioneve politike, debateve të brendshme, por edhe shpalli Ungjillin e së majtës “Edi Rama gabon, por ai është i pazëvendësueshëm”.
Tashmë debatet s’do të jenë më strukturore e as do të kërkojnë zgjidhje brendastrukturore, qofshin këto edhe brenda këshillit të të urtëve, njëfarë azili për t’u mbyllur gojën atyre që kanë bërë historinë e re të së majtës. Ajo që grish më shumë është matja elektorale, pasi atje do të verifikohen edhe pasojat e kësaj tredhjeje përfundimtare të debatit në PS. Më 2013-n, do duken projeksionet e të gjithë atyre faktorëve që pas Asamblesë së djeshme, s’kanë më asnjë mundësi t’u japin ideve të tyre një skenë në strukturat e Partisë Socialiste.