E Diel, 1 Nëntor 2026

Një koncert kushtuar Gjenovës

Në kuadër të "Klasik", edicionit të 9-të Ndërkombëtar të Muzikës,
Instituti Italian i Kulturës ditën e enjte organizon koncertin "Genova, la città della canzone d‘autore". Këngëtarja Anna Maria Castelli do të interpretojë në skenën e Akademisë së Arteve e shoqëruar në kitare nga Simone Guiduçi dhe në fizarmonikë nga Stefano Caniato. Anna Maria Castelli është konsideruar nga Montreux Jazz Festival si një nga pesë zërat më të mirë në botë. Ajo ka zhvilluar shumë koncerte në teatro dhe festivale në më shumë se 30 vende të botës. Anna Maria Castelli është vlerësuar me çmime si "Musica Europa", "Antigone", si dhe çmimin e rëndësishëm "Portovenere Donna", me të cilin janë vlerësuar edhe Margherita Hack, Franca Valeri, Paola Gassman, Rita Levi Montalcini, Dacia Maraini etj. Koncerti i përgatitur për Tiranën i kushtohet qytetit të Gjenovës, gjatë të cilit këngëtarja Anna Maria Castelli do të interpretojë këngë të suksesshme si "Genova per noi", "Onda su onda", "Via con me", "Boça di rosa", "Almeno tu nell‘universo" e "Ritornerai" e mjaft këngë të tjera të njohur të repertorit italian. Anna Maria bashkëpunon me kantautorë si Giorgio Gaslini, Gianni Coscia dhe Renato Sellani.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›