E Diel, 1 Nëntor 2026

"Onufri" një ngjarje pa emër

"Onufri 2008" nuk ka një temë të caktuar. Për herë të parë ky aktivitet i rëndësishëm i artit pamor në vend do të vijë pa një temë të caktuar, së cilës artistët pjesëmarrës do t‘i referohen. Ricardo Caldura, kuratori i edicionit të 15-të i "Onufri" së bashku me drejtorin e Galerisë së Arteve, Rubens Shima, kanë deklaruar se ky edicion, do të vijë ndryshe. Artistët do të jenë të lirë në krijimet e tyre, ndërsa do të vlerësohen në bazë të shpirtit të analizës. "Në këtë edicion nuk do të ketë një temë të dhënë paraprakisht që artistët do ta ndjekin, por kuratori italian do të bëjë kërkimet e tij personale mbi zhvillimet, dinamikat, problematikat e skenës së artit bashkëkohor në Shqipëri dhe ekspozita do të jetë rezultat i këtyre kërkimeve", deklaroi Rubens Shima, drejtor i GKA. E pikërisht mbi këtë raport, italiani Ricardo Caldura ka ngritur dhe konceptin e tij mbi konkursin e arteve pamore. "Artistët po punojnë mbi aspektin social. Është një këndvështrim që sheh aspektet, kontradiktat e jetës së përditshme. Në këtë kuptim, arti mund të shikohet si fillim i ri që arrin të shikojë dhe në të kaluarën; që përcjell ndryshimin e rëndësishëm që përjeton shoqëria shqiptare", u shpreh Ricardo Caldura, i cili njëkohësisht është edhe kuratori i parë i huaj që drejton "Onufri"-n. Ndryshe nga edicionet e para, këtë vit "Onufri" vjen ndryshe. Është kuratori, ai që bën kërkimet e tij mbi terrenin shqiptar e pasi përfundon hulumtimet, përzgjedh grupin artistik dhe ndërton ekspozitën. Caldura nënvizon se takimi, kontakti i drejtpërdrejtë, intervistat me artistët janë shumë të rëndësishme, duke hequr në një lloj mënyre edhe paralele të së shkuarës me të tashmen. Duke kuptuar edhe në mënyrë analitike artin bashkëkohor shqiptar. Sipas tij, ka disa çështje që paraprijnë këtë zhvillim dhe aftësia për të vëzhguar realitetin publik dhe social në Shqipëri të këtyre artistëve është shumë e rëndësishme. Caldura tha se çështja për artin e sotëm është ajo që artistët po punojnë mbi aspektin social të artit. Kuratori Caldura mendon se artistët janë të kujdesshëm mbi aspektin social, publik dhe aspektin privat të jetës sociale, por e rëndësishme është që të gjitha këto të vihen në funksion të punës. Jeta e përditshme është ajo që vihet në plan të parë gjatë vëzhgimit të punës së artistëve. Me pak fjalë, ai do të krijojë një lidhje me dimensionin e ri të artit, një këndvështrim të ri që shikon aspektet kontradiktore të jetës së përditshme. "Arti kontemporan shqiptar mund të shikohet thjesht si një fillim i ri, që arrin të shikojë dhe të kaluarën, ndërton një horizont të ri për të ndërtuar mbi të ndryshimet e thellësishme që i përjetoi shoqëria shqiptare", vazhdoi italiani Caldura. Ndërkaq, për drejtorin Shima, është shumë e rëndësishme që për herë të parë merr pjesë një kurator i huaj; që tematikat të analizohen dhe shikohen nga një kurator i huaj. Sipas tij, ky është një progres i madh. Mbetet të shihet se sa do të ndikojë kjo në mënyrën e organizimit, por edhe të cilësisë artistike të "Onufrit". Vetëm një vit më parë, ky konkurs ndërkombëtar i artit pamor, u kthye në një arenë debatesh, inatesh personale që përfshinë jo vetëm kuratorët e zgjedhur, por edhe fituesit e ekspozitës. Pikërisht në kohën kur drejtor i GKA-së ishte Genc Mulliqi dhe Rubens Shima në rolin e nëndrejtorit e njëkohësisht për herë të dytë si kurator i këtij konkursi. Vetëzgjedhja e tij, u diskutua mjaft si shkelje e statusit të "Onufrit". Madje, shkoi deri aty, sa të vihej në dyshim edhe nëse tradita e këtij aktiviteti duhet të vazhdonte në të ardhmen. Por këtë vit, në emër të këtij aktiviteti u "sakrifikua" konkursi tjetër, ai i fotografisë, "Marubi". Këtë veprim, Shima e justifikoi me idenë se brenda "Onufrit" i kemi të përfshira të gjitha format e shprehjes artistike, përfshirë edhe fotografinë. Gjithsesi, sipas të dhënave, kuratori italian, Ricardo Caldura, ka një njohje të konsiderueshme të skenës artistike shqiptare. Ai ka vizituar disa herë vendin tonë. Caldura është docent për Fenomenologjinë e Arteve Bashkëkohore në Akademinë e Arteve të Bukura të Venecias e njëkohësisht është edhe drejtor i Galerisë Bashkiake Galleria Contemporanea, të Venecias. Në qershor të 2007-ës, ai ka organizuar një ekspozitë të artit bashkëkohor shqiptar në galerinë që drejton. Ekspozita e edicionit XV të "Onufri"-t hapet më datë 18 dhjetor në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe do të qëndrojë hapur deri më datë 29 janar 2009.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›