E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një kritikë e dështuar shqiptarëve

Shfaqet në ekranin e madh premiera "Kronikë Provinciale" e bashkëregjisorëve Artan Minarolli e Ylljet Aliçka. I pari tha dje se filmi reflekton ndërgjegjen e shqiptarëve sot. Por a mund të jetë kritike kjo vepër filmike që vetë është për t'u kritikuar?

Qysh prej ditës së djeshme ka filluar të shfaqet në kryeqytet filmi "Kronikë Provinciale" e bashkëregjisorëve Artan Minarolli dhe Ylljet Aliçka, ky i fundit skenarist që për herë të parë shfaqet edhe në rolin e regjisorit. Premiera e djeshme shënoi edhe inaugurimin e dy sallave të reja të kinemasë në Tiranë, në qendrën tregtare "Kristal".


Një histori e vendosur në një qytet provincial të Shqipërisë së jugut, një grusht burrash që nuk kanë me se të merren tjetër veçse me biseda të rëndomta (edhe ndonjë këngë) para gotës së rakisë apo filxhanit të kafesë.

Në mes tyre shfaqen dhe humbin shumë shpejt dy të rinj, Joni dhe Vera. Dashuria e tyre nuk arrin të thyejë asnjë normë morali kolektiv e aq më pak të triumfojë mbi shoqërinë.


Ngjarjet e vendosura diku në fillim të viteve '90 janë xhiruar në qytetin e Beratit gjë që për Minarollin nuk do të thotë se konfliktet domosdoshmërisht i përkasin këtij qyteti.
Janë tetë burra të ndarë në dy kampe, jo politike, por fetare.

Autorët na kanë bërë të ditur që në fillim të ngjarjeve se jemi në Shqipërinë e pas nëntëdhjetës, që po kalon një tranzicion jo vetëm ekonomik, po edhe tranzicion të shpirtit e të fesë.


Dhe ja ku jemi që në krye përballë këtyre personazheve burra, miq për kokë të gotës që ndahen në myslimanë dhe katolikë. Më vonë, Minarolli do të thoshte në konferencën për shtyp se nuk kemi të bëjmë aspak me konflikt mes feve. Se këto përballje janë pretekste që të çojnë tjetër kund. Po ku, vallë?


Rutina e këtyre burrave dhe familjeve të tyre thyhet nga ardhja e djalit të Mehmetit (Robert Ndrenika) një piktor që ka studiuar në Francë. Njohja e Jonit (Tedi Papavrami) me mësuesen e vizatimit Vera (Arta Dobroshi) do të lëkundë qetësinë e qytetit.
Dy të rinjtë bëhen edhe qendra e thashethemnajës së njerëzve, dhe aq më tepër të këtij grupi.

Por e gjithë kjo mund të lexohet vetëm duke u përqendruar një copë herë të mirë mbi film. Ajo që tentonte të ishte një komedi satirizuese e realitetit të viteve '90, e një realitetit që trashëgon mentalitetin e baballërëve të këtyre burrave, nuk rezultoi e tillë.

Dialogët të shkurtër, të dendur, batuta hidh e prit, improvizime biseda sehirxhinjsh, as e fusin dhe as e mbajnë spektatorin lidhur me një ngjarje të caktuar dhe as me një atmosferë province.

Madje edhe tentativa për të sjellë humor nëpërmjet situatave të caktuara e të sajuara, nuk funksiononte. Për shembull, tetë burra që me kallama (jo)peshkimi në krahë shkëmbehen pa fjalë mbi një urë të lartë, nuk janë tablo për humor. Edhe këtu janë ndarë në dy fronte katolik dhe myslimanë.


Cilësia e zërit e bënte të vështirë ndjekjen e filmit. Zëri dhe artikulimi i dobët i Tedi Papavramit ishte i humbur përballë "bubullimës" së fjalëve dhe inatit të Birçe Haskos. Dialogët në natyrë mbuloheshin nga zhurmat e mjedisit.

Në konferencën për shtyp Minarolli do thoshte se "filmit nuk do t'i ndryshoja asgjë veçse do të bëja disa korrigjime të lehta në postproduksion, ndoshta edhe ndonjë dublim zëri".


Por çfarëdo që të bëjë Minarolli interpretimin e dobët të Papavramit dhe të Dobroshit nuk mund ta zhbëj. I pari aktor joprofesionit dhe tjetra në kohën e xhirimeve (4 vite më parë) në përçapjet e saj të para në kinema.

Ndonëse bëhet fjalë për një histori dashurie, mes dy personazheve është e vështirë të dallosh një grimcë pasioni. Madje edhe largimin nga qyteti Joni, duket se ja propozon me tepër nga halli sesa nga dashuria.


Nëse me karakteret e burrave Minarolli ka krijuar nga një prototip, me Papavramin dhe Dobroshin nuk ndodh një gjë e tillë. Vera dhe Joni mbeten fundekrye të panjohur për publikun, të papërfunduar si personazhe.


Në këtë kronikë provinciale ka një Zenel (Ndriçim Xhepa) që bën sikur nuk e ndihmon sherrin por që i hedh benzinë zjarrit; një Nuri (Fadil Hasa) fanatik që shqetësohet për moralin e të tjerëve; një Bedri (Mina Koxhaku) që i pëlqen të shohë fustanet e grave, por që i është besnik gruas që ka në shtëpi; një Thoma (Marko Bitraku) që nuk e vë në dyshim moralin e të bijës; një Taqo (Birçe Hasko) që do të bënte gjithçka për të shkuar fjala e tij prej ortodoksi etj.


Portrete këto që do të ishin në ekran për pjesën më të madhe të kohës, veç rasteve kur kuadri thyhet me ndonjë peizazh të Beratit si ato që shohim në kartolina. Gjithë konflikti (fetar) shprehet nëpërmjet këtyre portreteve, që nuk transmetojnë asnjë lëvizje të brendshme shpirtërore a psikologjike.


Ekipi i aktorëve që interpreton duket sikur janë një paketë e gatshme që lëviz gjithandej në prodhimet shqiptare.


E vështirë ta ndash figurën e Ndriçim Xhepës të paktën vizualisht nga ndonjë prodhim tjetër i shkuar dhe i ardhëm. Kapele, mustaqe, xhaketë me kuadrate dhe po ai tonalitet zëri. Po ai Birçe Hasko që shohim tek "Slogans" apo "i dashur armik". Nuk ndryshon këtu më shumë Fadil Hasa nga ai që kemi parë tek "Mao Ce Dun".


Roli i myezinit besuar Mirush Kabashit, është një dështim në përpjekjen për të treguar natyrën njerëzore të një kleriku. Kabashi kishte plastikë prej marionete sa herë shfaqej në ballkonin e minaresë, aq sa stononte lëvizja e buzëve me thirrjen e faljes.


Muzika e filmit e realizuar nga Fatos Qerimi në disa raste ilustron pa vend. Qerimi është kompozitor i thuajse gjysmës së filmave shqiptarë që janë prodhuar në këto dhjetë vjet. Kujtojmë "Letra ere", "Mao Ce Dun", "Natë pa hënë"

.
Një tjetër aspekt (që padyshim në filmat e perëndimit i kushtohet një vëmendje e veçantë) ishte kostumografia. Në këtë rast nuk kishte një të tillë, madje në titra nuk figuronte fare si sektor por thuhej thjesht "veshjet".

Vera (Arta Dobroshi) nuk kishte më shumë se tre fustane, qepje në stilin e viteve tetëdhjetë. Edhe "kostumet" e personazheve të tjerë linin për të dëshiruar si fjala vjen veshja e Margarita Xhepës (pa llogaritur grimin që i ishte bërë aktores).


Por detaje që nuk shkonin në këtë prodhim kishte shumë. Për shembull fakti që 6 janarin, Ditën e Ujit të Bekuar, Minarolli e zhvendos në prag vere, gjë që vërehej lehtë nga veshjet e aktorëve. Kjo dhe të tjera si këto Minarolli i justifikon me përgjigjen se ky është film, "është fiction" dhe kinemaja nuk ka për qëllim të tregojë historinë. A thua se ky term shpjegon çdo absurditet në këtë film.


Regjisori tha se shqiptarët nuk duhet të kenë frikë ta shohin veten në pasqyrë, dhe se "Kronikë provinciale" është kritikë ndaj realitetit shqiptar. Në përfundim pyesim: Si mund të kritikojë ky film realitetin shqiptar, kur në vetvete është për tu kritikuar?

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›