Vendimet që shkelën gjyqtarët e Bashës
TIRANË- Ish-ministri i Transporteve, i akuzuar nga prokuroria për abuzime në skandalin e rrugës Durrës-Kukës, është liruar dje nga të gjitha akuzat.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i dha pafajësi kryediplomatit Basha dhe ish-vartësit të tij, Andi Toma, duke i shpallur absolutisht të pavlefshme të gjitha ato akte shkresore që e deklarojnë një person të pandehur karshi krimit penal të kryer.
Ministri nuk mundi të provojë në gjykatë pafajësinë e tij për akuzën e korrupsionit por shpëtoi falë një "autogoli" të prokurorisë, e cila shkeli afatet ligjore për hetimin e një çështjeje duke kthyer çdo veprim në të pavlefshëm.
Veprimet e prokurorisë i dhanë mundësinë ministrit të akuzuar për miliona euro abuzime që të shpëtojë pa u gjykuar.
Ka qenë kryesuesi i pesëshes gjykuese pranë këtij kolegji penal, gjyqtari Spiro Spiro, i cili për 45 minuta lexoi arsyetimin e shpalljes absolutisht të pavlefshme të të gjitha akteve hetimore e procedurale të kryera nga institucioni i akuzës për "dosjen" e rrugës Rrëshen-Kalimash jashtë afateve hetimore dhe vendosi pushimin e çështjes.
Me këtë vendim, Gjykata e Lartë nuk i la prokurorisë asnjë shkak për të rinisur hetimet ndaj Bashës. E vetmja mënyrë për të rinisur hetimet është gjetja e ndonjë prove të re.
Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, prokuroria në kundërshtim me ligjin, konkretisht me disa nene të Kodit të Procedurës Penal, ka përpiluar një sërë aktesh hetimore e procedurale, që kanë sjellë para togave të zeza shtetasin Lulëzim Basha e Andi Toma.
"Nga parashtrimi i kërkesave paraprake të palëve më datën 27 shkurt të këtij viti dhe administrimit të provave materiale të ndryshme nga pala mbrojtëse dhe akuzës, gjykata vëren se Prokuroria e Përgjithshme ka kryera pas përfundimit të afateve ligjore të hetimit të çështjes, që ishte data 6 nëntor 2008, disa veprime hetimore e procedurale në kundërshtim me ligjin.
Kështu, gjykata pasi është këshilluar, vendos të shpallë absolutisht të pavlefshme fletë-thirrjen e dërguar në adresë të shtetasve Lulëzim Basha e Andi Toma për tu njohur me akuzat, vendimin e mbylljes së fazës hetimore, përpilimin e kërkesës për gjykim si dhe vendimin e dërgimit të kësaj dosjeje pranë Gjykatës së Lartë.
Të gjitha këto veprime janë absolutisht të pavlefshme pasi janë kryer pas datës 6 nëntor 2008, datë e cila është caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, Apelit dhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë për shfuqizimin e vendimit të zgjatjes së afateve hetimore deri më 6 dhjetor 2008.
Për këtë arsye vendosim pushimin e çështjes",- tha gjyqtari Spiro gjatë leximit të vendimit, fjalët e të cilit i miratonte me lëkundjen e kokës në shenjë pohimi edhe vetë Ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha.
Sipas vendimit të pesëshes gjykuese, arsyetohet se pavlefshmëria e dërgimit të fletë-thirrjes dhe mbyllja e fazës hetimore nga ana e prokuroreve të çështjes ndaj Lulëzim Bashes e Andi Tomës, është kryer në kundërshtim të ligjit dhe shkeljes së të Drejtës Kushtetuese pasi për çdo shtetas prokuroria është e detyruar t'i japë një afat kohor të arsyeshëm për tu njohur me aktet hetimore, për të përgatitur më pas mbrojtjen e tij para gjykatës.
Gjykata pohoi, se e gjen të pajustifikuar vakuumin e kohës prej gati 12 muajsh, që nga koha që prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe njoftimin e tyre me akuzat e ngritura dhe mbylljen e fazës hetimore.
Gjithashtu, gjyqtarët argumentuan se e pavlefshme është edhe akuza e "shkeljes së barazisë në tenderë" ndaj dy ish-të pandehurve, pasi kjo vepër penale është ngritur pasi Gjykata ka ndërprerë afatet hetimore të dosjes.
Kështu, me vendimin e djeshëm, ministri Basha dhe tashmë ish- i pandehuri Toma i shpëtuan gjykimit të tyre për akuzat e ngritura nga Prokuroria e Përgjithshme për "shpërdorim detyre" dhe "shkelje të barazisë në tender apo ankande publike të kryera nga zyrtarë të lartë shtetërorë" të konsumuara në tenderimin dhe përzgjedhjen e fituesit për ndërtimin e tunelit të segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash si pjesë e rrugës Durrës-Kukës-Morinë.
---------------------------------------------------------------------------------------------------
Tre shkallët e gjyqësorit kundër prokurorisë
TIRANË- Ka qenë data 10 nëntor 2008, vetëm katër ditë pasi Prokuroria e Përgjithshme i kishte zgjatur afatet hetimore edhe për një muaj për dosjen e skandalit të rrugës Durrës-Kukës, kur të pandehurit e asaj kohe Andi Toma e Armand Teliti ankimuan në Gjykatën e Shkallës së Parë kërkesën penale për shfuqizimin e vendimit.
Pas tre seancave gjyqësore, gjyqtari Sokol Tona vendosi më datë 18 nëntor 2008 pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve, dhe kërkuesve Toma e Teliti, shfuqizimin e vendimit të datës 6 nëntor për zgjatjen e afateve hetimore deri më 6 dhjetor si dhe ndërprerjen e çdo veprimi hetimosr e procedural.
Ky vendim u kundërshtua nga prokurori i çështjes, Arben Kraja, në Gjykatën e Apelit, e cila me vendimin e dhënë nga kryesuesi i treshes gjykuese Dalip Bushi la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.
Për këtë vendim, institucioni i akuzës bëri rekurs në Gjykatën e Lartë e cila me vendimin e datës tre prill vendosi lënien në fuqi të dy shkallëve të gjyqësorit, duke e shpallur përfundimisht të shfuqizuar vendimin e zgjatjes së afateve hetimore, që automatikisht shtetasi Lulëzim Basha e Andi Toma nuk ishin të pandehur.
---------------------------------------------------------------------------------------------------
Gjykata i jep të drejtë ankimimit të Bashës
TIRANË- Pas kërkesës penale të shfuqizimit të vendimit të zgjatjes së afateve hetimore të ish-të pandehurve Armand Teliti e Andi Toma, ka qenë Lulëzim Basha ai që ka kundërshtuar në Gjykatën e Shkallës së Parë flet-thirrjen e prokurorisë për tu njohur me akuzat dhe pyetjen e tij në cilësinë e të pandehurit.
Kjo kërkesë u shqyrtua nga gjyqtarja Fatmira Hajdari e cila pas dy seancave gjyqësore ku dëgjoi kërkuesin dhe palën e akuzës, vendosi të deklarojë të pavlefshme flet-thirrjen e prokurorisë ndaj Ministrit të Jashtëm Lulëzim Basha, me arsyetimin se është veprim jashtë afateve të përcaktuara hetimore.
Ky vendim, i gjyqtares Hajdari që mban datën 15 dhjetor 2008 u ankimua nga Prokuroria në Gjykatën e Apelit e cila pas shqyrtimit të këtij ankimi më datë 2 shkurt 2009 vendos lënien në fuqi të këtij vendimi duke zyrtarizuar mos cilësimin si të pandehur të Ministrit të Jashtëm Lulëzim Basha e Andi Toma.
Ndërkohë, dosja penale me dy të pandehurit Basha e Toma ishte dorëzuar pranë Gjykatës së Lartë, e cila kishte caktuar edhe datën 27 shkurt si dita e shqyrtimit të dosjes së dorëzuar nga prokuroria.
Ky vendim i pavlefshmërisë së flet-thirrjes u ankimua me rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila me datë 8 prill kishte për ta shqyrtuar këtë kërkesë por për shkak të gjendjes gripale të avokatit të Bashës, Zef Nikaj, kjo seancë u shty.
------------------------------------------------------------------------------
Organi i akuzës duhet të gjejë prova të tjera për të rinisur procedurën për abuzimet në skandalin e rrugës Durrës- Kukës
Prokuroria: Do rinisim hetimet për Bashën
TIRANË- Pushimi i akuzave ndaj Ministrit të Jashtëm Lulëzim Basha dhe ish-vartësit të tij Andi Toma, u cilësuan nga zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme si një vendim politik dhe me dy standarde në dhënie të drejtësisë.
"Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë ndaj të pandehurve Lulëzim Basha e Andi Toma, ishte një vendim politik, pasi po këto gjyqtarë japin drejtësi me dy standarde, për shtetasit e thjeshtë dhe atyre me imunitet"- tha njëri nga zyrtarët e lartë të Prokurorisë së Përgjithshme.
Sipas tyre, dy gjyqtarët e këtij Kolegji Penal, kryesuesi Spiro Spiro dhe anëtari Besnik Ymeraj, në vitin 2005 kanë pranuar këtë mënyrë procedimi nga prokuroria, ndërsa, në rastin e deputetit Basha kjo metodë e akuzës nuk pranohet duke shpallur absolutisht të pavlefshëm të gjitha aktet procedurale të hetimit të kësaj dosjeje.
Për raste analoge, gjyqtarët kanë dhënë vendime në favor të prokurorisë kur është bërë fjalë për të pandehur të zakonshëm por rrëzuar çdo pretendim të saj në rastin "Basha"
Ky vendim, mbyll çdo përpjekje të Prokurorisë së Përgjithshme për të riformuluar akuzat dhe rinisur hetimet pa zbuluar apo nxjerrë ndonjë fakt të ri në favor të hetimit të çështjes.
"Institucioni i akuzës, është i vendosur që dy shtetasit Lulëzim Basha e Andi Toma të përgjigjen para drejtësisë për të gjitha abuzimet e kryera në ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash si pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë.
Ne, në ditët në vazhdim do të procedojmë me një analizë të thellë, ku do të shohim mundësinë e ringritjes së akuzave ndaj shtetasve Lulëzim Bashës e Andi Tomës, pasi edhe Gjykata e Lartë nuk është shprehur në lidhje me veprat penale të kryerja nga dy shtetasit, por vetëm me shkeljet sipas saj të procedurave hetimore e procedurale në fazën e hetimit"- thanë burimet për "Shekullin".
Mësohet se institucioni i akuzës, në ditët në vazhdim do të "gërmojë" në gjetjen e ndonjë fakti apo prove të re për të riformuluar akuzat dhe regjistruar një procedim të ri penal. "Me vendimin e djeshëm, institucioni i akuzës, nuk mund të rifillojë hetimet, pasi në vendimin e Kolegjit Penal trupa gjyqësore është shprehur se "pushohet çështja, për pavlefshmëri absolute të hetimit", gjë që nuk na lë shteg për të rifilluar hetimet.
Ne do të presim nxjerrjen apo gjetjen e një prove apo fakt të ri, për të rifilluar hetimet, pasi ndryshe kjo dosje do të mbetet e pezulluar gjithmonë, pasi procedurat e hetimit të "shpërdorimit të detyrës" dhe "shkeljes së barazisë në tenderë apo ankande publike" janë shpallur të pavlefshme",-thanë burimet.
Sipas tyre, nëse gjatë ditëve në vazhdim institucioni i akuzës mund të zbulojë një provë të re, do të regjistrojë procedimin penal dhe më pas të fillojë hetimet ndaj Bashës e Tomës me një regjistrim të ri të procedimit penal.
--------------------------------------------------------------------------------------------------------
Spiro Spiro, Besnik Imeraj e Perikli Zaharia kanë shkelur ligjin duke dhënë, në raste të tjera, vendime pro prokurorisë
Gjyqtarët e Bashës me dy standarde
TIRANË- Vendimet e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, gjejnë zbatim të detyrueshëm nga çdo gjyqtar të Gjykatave të Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit në vend. Por, kur vendimet janë kontradiktore mes tyre dhe me dy standarde, zbatuesit e këtyre vendimeve japin drejtësinë mbi bazën e interesit, pasi nuk janë të qartë se cili është vendimi i drejtë.
Gjatë paradites së djeshme Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në vendimin e saj ndaj shtetasve Lulëzim Basha e Andi Toma, ka hedhur poshtë duke i deklaruar absolutisht të pavlefshme të gjitha veprimet hetimore e procedurale të kryera pas mbarimit të afatit hetimore të kësaj dosje. Ndërkohë, në katër vendimet që "Shekulli" disponon tregojnë që gjyqtarët kanë shkelur ligjin.
Në këto vendime tregohet se kryerja e veprimeve procedurale e hetimore pas mbarimit të afatit të hetimit nga prokuroria është pranuar duke i dhënë të drejtën mbrojtësve të parashtrojnë kërkesat e tyre në seancën gjyqësor për vlerësimin e provave materiale. Ndërsa, në rastin e deputetit Basha këto veprime sipas vendimit janë absolutisht të pavlefshme dhe gjykata ka vendosur pushimin e çështjes.
Për koincidencë, kryesuesi i togave të zeza gjyqtari Spiro Spiro dhe anëtarët e kësaj trupe Besnik Ymeraj e Perikli Zaharia në vendimet me nr. 430 të datës 16 korrik 2003, vendimin me nr. 67 të datës 4 shkurt 2004, në vendimin e datës 13 korrik 2005 që mban nr. e vendimit 536 dhe në vendimin e datës 20 dhjetor 2006 me
nr. 778 Kolegjet Penale të Gjykatës së Lartë i kanë dhënë të drejtë prokurorisë, duke i kërkuar palës mbrojtëse të parashtrojnë pretendimet e tyre në fazën e gjykimit. Ndërsa, në rastin e Bashës, gjykata i jep të drejtë shtetasit Lulëzim Basha dhe Andi Toma, duke i liruar nga akuzat.
----------------------------------------------------------------------------------------------
Vendimi i parë daton më 16 korrik 2003 dhe mban numrin 430
TIRANË- Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, Lulzim Basha në kohën kur mbante postin e ministrit të Transporteve, në bashkëpunim me ish-drejtorin juridik të këtij dikasteri, Andi Toma, ka abuzuar me fondet për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës.
Hetimet për abuzimet me fondet nisën në fillim të vitit 2007 nga Prokuroria e Tiranës, më pas dosja kaloi në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi u gjetën elementë të implikimit të Lulzim Bashës në këtë skandal të ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës.
Vetëm nëntë muaj pas heqjes së imunitetit të Bashës nga Parlamenti, dosja ndaj tij u dorëzua për gjykim në Gjykatën e Lartë, ku në bankën e të pandehurve përkrah ministrit të Jashtëm, Basha, është edhe ish-vartësi i tij, Andi Toma.
Ndaj të dy të pandehurve, prokuroria ka ngritur akuzat e "shpërdorimit të detyrës" dhe "shkeljes së pabarazisë në tenderë apo ankande publike" në bashkëpunim.