Mustafaj: Berisha shkeli parimin e paanësisë
Kandidati për PD-në e Tiranës, Besnik Mustafaj, la të hapur mundësinë e dorëheqjes nga gara, në rast se nuk plotësohen standardet
"Emocionin e tij personal për kandidatin, Berisha kishte mundësi ta realizonte përmes votës së tij"
TIRANË- Deputeti dhe kandidati i Partisë Demokratike, për Tiranën, Besnik Mustafaj, nuk e ka pritur mirë mbështetjen e hapur, që Kryeministri Sali Berisha i bëri kandidaturës së Aldo Bumçit, po për të njëjtin post, dy ditë më parë në një intervistë televizive.
"Baza do të jetë ajo që do të votojë. Ka kandidatura të shkëlqyera, si z. Bumçi",- ishte deklarata e kreut të ekzekutivit. Një deklaratë e tillë, sipas deputetit Mustafaj, ka sjellë edhe shkeljen e parimit të paanësisë.
"Mbrëmë, Kryeministri Sali Berisha shkeli parimin e paanësisë, që duhet ta ruajë deri në fund përballë të gjithë kandidatëve. Ai është Kryetar i Partisë dhe e ka për detyrë të mbajë një qëndrim të paanshëm.
Unë i kam bërë disa herë thirrje gjatë kësaj periudhe, për një qëndrim të tillë. Ky qëndrim do të ishte edhe në të mirë të rritjes së autoritetit të tij para gjithë shoqërisë shqiptare, e posaçërisht para demokratëve.
Emocionin e tij personal ndaj njërit apo tjetrit kandidat, Berisha kishte mundësi ta realizonte përmes votës së tij, ditën e konferencës", -tha dje Mustafaj. Deputeti i Partisë Demokratike, për herë të parë ka lënë të hapur edhe mundësinë e dorëheqjes nga gara për drejtimin e kryeqytetit, në rast se vëren se do të vazhdojnë të shkelen standardet.
"Unë vazhdoj të jem në garë dhe do t'i ndjek me vëmendje zhvillimet deri në fund, duke bërë të gjitha përpjekjet, që më takojnë me qëllim, që procesi të ruajë sadopak standardet e garës.
Në qoftë se do të krijoj bindjen se këto standarde nuk kapin minimumin e nevojshëm, do të marr vendimin e përshtatshëm. Unë kam hyrë në këtë garë për arsye parimore dhe jo klanore",-tha ai.
Në të njëjtën kohë, Mustafaj ka thumbuar qëndrimin e kreut të PD-së, i cili për herë të parë përmendi statutin e PD-së, (kur u pyet për degën e Tiranës), dokument në të cilën është bazuar Mustafaj për garën e kryeqytetit.
"Më erdhi mirë që Kryeministri Berisha mbrëmë përmendi statutin e Partisë, duke kujtuar kështu që në themel të Partisë është një dokument, që duhet respektuar. Unë, në asnjë moment nuk e kam vënë në dyshim të drejtën time parimore për të kandiduar.
Unë jam në Partinë Demokratike qysh në sekondën e parë të ekzistencës së saj, njëherësh me Sali Berishën dhe nuk kam ardhur aty as në vitin '96 e as në vitin 2006. Pra, i njoh mirë të drejtat e mia dhe përpiqem të mos i tejkaloj ato", -tha Mustafaj.
Kandidati për PD-në e Tiranës sqaroi se kishte hyrë në garë me bindjen që t'i shërbejë Partisë Demokratike, duke ngjallur brenda saj debatin dhe konkurrencën e ndershme, si parametra që e ndihmojnë partinë të gjallërohet e të demokratizohet.