Një kryeministër dhe një President në funksion të partisë
-Vetëm në Shqipëri ndodhin çudira të kësaj natyre, ku akoma nuk është kuptuar germa “a” e konceptit demokratik të udhëheqjes së shtetit si edhe rëndësia absolute e funksionit suprem, atij të Presidentit të Republikës...Organizimi i shtetit shqiptar është bërë në atë mënyrë që Presidenti i shtetit është një lloj kukulle nga ato që i varin në vetura për të mos rënë në sy, apo i mbanin në një kohë sipër TV-së, apo edhe si “pellushët” nëpër jastëkët e natës për të fjetur më rehat e më të relaksuar për ato femra që vuajnë nga pagjumësia dhe mungesa e seksit.
Në të gjitha llojet e organizimit të shtetit maja e “kupolës” është “Presidenti” që do të thotë është ai dhe vetëm ai që ka “fjalën” e fundit për çdo çështje kardinale, pra ai është funksioni suprem. Kryeministri i vendit është kreu i ekzekutivit, është ai që zbaton direktivat dhe vë në jetë e udhëheq projektet duke mbajtur përgjegjësinë, jo vetëm morale, por edhe penale përpara drejtësisë së shtetit. Pra të dyja këto funksione të majës së “kupolës” së një vendi demokratik janë tepër të rëndësishëm në mbarëvajtjen e demokracisë dhe zbatimit të ligjit.
Çudirat janë të një dimensioni të paimagjinueshëm në Shqipëri; së pari udhëheqësi i një partie vazhdon të luajië atë rol edhe kur ka veshur petkun e organit suprem. Në këtë rast do të thosha se kemi të bëjmë me një absurditet antidemokratik. Në momentin e marrjes së funksionit suprem, qoftë Presidenti i shtetit, qoftë Kryeministri, nuk i takojnë më partive politike. Ata janë udhëheqësit e të gjithë shtetit, me të gjitha ngjyrat dhe formacionet politike që ato përmbajnë. Kjo është germa “a” e një sistemi demokratik, e këtu fillon balancimi i vërtetë i pushteteve dhe mbarëvajtjes së vendit, e cila qëndron në këtë ekuilibër dhe në atë parlamentar.
Por çfarë ndodh në Shqipëri? Së pari, në fushatën që sapo mbaroi, ish- kryeministri bënte fushatë për Partinë Demokratike, duke qenë në funksionin e kryeministrit dhe në këtë fushatë përdorte të gjitha mjetet e shtetit dhe fondet; ato të bankës së shtetit dhe e gjitha kjo haptas, duke shkelur të gjitha rregullat demokratike. Ky kryeministër kthen selinë e kryeministrisë së shtetit në seli të partisë së cilës i përket, d.m.th që nuk ka avokat në botë që t’i dalë në mbrojtje. Presidenti i Shtetit Shqiptar, që i përket po kësaj partie, shndërrohet në një noter “vulgar” të kryeministrit dhe të sekretarit të Partisë, sepse ky kryeministër mban të gjitha “kasketat” e “kupolës” së shtetit. Nga ana tjetër, ky ish-kryeministër abuziv e kampion në të gjitha shkeljet e funksionimit demokratik, ulëret duke lëshuar një rrebesh shpifjesh për kundërshtarin politik. Ai është tamam ilustrimi më i mirë i thënies popullore: “Ai që do të mbysë qenin thotë që ishte i tërbuar”!