Një lapidar për dashurinë
Në romanin e tij të ri "Muzeu i pafajësisë" Orhan Pamuku lartëson në qiell dashurinë dhe përshkruan rrugët e saj të dhimbshme. Nobelisti turk i shpalos lexuesit një panoramë madhështore të Stambollit të viteve 70-të.
"Nëse një njeri në ëndërr do të shtegtonte nëpër parajsë dhe atij do t'i jepej një lule si dëshmi se ka qenë atje dhe ai këtë lule, kur të zgjohet nga gjumi, do ta gjente në dorën e tij - çka atëherë?" Samuel Taylor Coleridge, poet anglez
Në dashuri dallohen dy grupe meshkujsh: ata që me tërë qenien i përkushtohen një femre, duke e respektuar, në radhë të parë, pastaj duke e përjetuar harmoninë e epshit. Në grupin e dytë hyjnë meshkujt hamshorë, të cilët me siklet mëzator dashurinë e shikojnë si ushqim të shpejtë të McDonalds-it, si veprimtari mekanike, si kopulim mes krijesave pa ndjenja. Është e mundshme që meshkujt hamshorë të kenë më shumë sukses te femrat. Por a janë më të lumtur? Në vazhdim për këtë temë do të konsultohemi me Orhan Pamukun, shkrimtarin e madh turk, i cili në romanin e tij më të ri "Muzeu i pafajësisë" me ton magjepsës të një fabulisti të larë me të gjitha ujërat e postmodernës skalit një përmendore për dashurinë dhe rrugët e saj të ndritura dhe të dhimbshme.
Personazhi kryesor në këtë vepër prej 565 faqeve është Kemal Basmaçi, një djalosh që rrjedh nga një familje e pasur e shtresës mondane të Stambollit. Fisi i tij është bërë i pasur me shitjen e prodhimeve të tekstilit, me veshje dhe mbulesa për shtretër. Rrëfimi fillon më 26 maj 1975, një ditë të cilën Kemali e cilëson si më të lumturën në jetën e tij. Ai është i fejuar me një vajzë të hijshme të Stambollit të quajtur Sibel. Për t'ia bërë qejfin asaj, ai futet në një dyqan dhe i blen një çantë dore. Këtu ndodh e papritura në jetën e Kemalit, pasi befasisht njihet me një vajzë të cilën ai do ta përcjellë deri në frymën e fundit të jetës. Fyzuni është pjesë e farefisit të largët të Kemalit. Edhe pse i fejuar, ai fillon një lidhje me Fyzunin 18-vjeçare dhe e josh atë të shkojë në Merhamet Apartmani, një banesë e prindërve të Kemalit.
"Të dielën, më 26 maj 1975, gati një çerek para orës tre, ne shpëtuam nga faji dhe mëkati, nga pendimi dhe dënimi, dhe në botë u shfuqizuan ligjet e kohës dhe gravitacionit. I putha supet e Fyzunit të skuqura nga vapa dhe nga loja e dashurisë, depërtova në të dhe përçapja veshin e saj të majtë, me ç'rast u shkëput vathi i saj, i cili për një çast dukej sikur mbeti në ajër dhe pastaj ra poshtë."
Stërgjyshja e Fyzunit është me origjinë nga Bosnja. Familja e vajzës është e varfër dhe ende në kërkim të identitetit në Stambollin e viteve 70-të, kur mbi këtë qytet përplaset një valë e madhe e modernitetit dhe zgjohet dëshira për imitimin e stilit perëndimor të jetës. Megjithatë, Fyzun përbuzej nga rrethi, sepse si 18-vjeçare kishte marrë pjesë në një spektakël bukurie. Lidhja me Kemalin 30-vjeçar merr fund pas festës së fejesës së këtij të fundit me Sibelin. Ceremonia pompoze, në të cilën me këmbënguljen e Kemalit merr pjesë edhe Fyzuni, mbahet në hotelin Hilton në Stamboll, ku gjatë tërë mbrëmjes qindra zonja të hiperstilizuara merren me përgojimin e njëra-tjetrës. Pas kësaj feste Fyzuni zhduket pa gjurmë. I humbur në rrëmujën e ndjenjave Kemali thjesht nuk di çfarë dëshiron: të fejuarën e tij nga një familje e fisme apo dashnoren e tij të varfër? Nuk bën fare punë as përpjekja e të fejuarës së tij, Sibelit, që Kemalin ta shërojë nga melankolia në një vilë verore në Bosfor. Dikur Sibeli vendos të prishë fejesën. Për Kemalin këtu fillon një udhëtim i gjatë.
Pas një viti kërkimi intensiv ai arrin ta gjejë të dashurën e tij, Fyzunin, e cila, ndërkohë, është martuar me një skenarist filmash. Që të dy jetojnë te prindërit e Fyzunit në lagjen Çukurxhuma. Në tetë vitet e ardhshme (ose 1593 mbrëmje) Kemali shkon katër herë në javë mysafir në familjen e Fyzunit - dhe tetë vjet me radhë vetëm e shikon femrën më të çmuar të tij, pa e puthur, pa e përkdhelur, pa e prekur. Madje Kemali fillon të shoqërohet me burrin e Fyzunit, themelon me të një firmë filmike dhe shumë kohë kalojnë duke shikuar filma në kinematë verore buzë Bosforit, kryesisht melodrama mbi vajza të reja e të dëshpëruara nga dashuria. Romani "Muzeu i pafajësisë" është një rrëfim për përfytyrimet e ndryshme për moralin (p.sh. për apo kundër virgjinitetit?, për apo kundër emancipimit të femrës?, për apo kundër imitimit të stilit perëndimor të jetës?).
"Në këtë qetësi qëndruam edhe pak të përqafuar dhe me shumë dëshirë do t'i kishim injoruar të gjitha hollësitë e neveritshme, të cilat nga antropologët shikohen dhe klasifikohen me qejf si rituale të shoqërive primitive, siç janë çarçafi i përgjakur, rrobet e shpërndara, të mësuarit me trupat tanë të zhveshur".
Pas romanit "Bora", i cili është një libër politik, "Muzeu i pafajësisë" është pothuaj jopolitik. Derisa në Turqi në fund të viteve 70-të është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme dhe grupe militante të së majtës dhe të së djathtës dridhin qytetet e vendit me shpërthime bombash, Kemali dhe shoqëria e tij nga shtresa e lartë festojnë, pijnë lumenj me raki, ushqehen në restorante të shtrenjta, defilojnë nëpër Stamboll me veturat e bukura të etërve dhe vizitojnë shtëpi publike. Gjendjen e rëndë politike Kemali as që e përmend, ai vetëm zemërohet për shkak të orës policore, e cila e detyron që më herët të kthehet në shtëpi nga vizita që rregullisht i bën Fyzunit dhe prindërve të saj. Ai tashmë ka vendosur që të dashurës së tij t'i hapë një muze, një muze të pafajësisë, si simbol i dashurisë së tyre të zjarrtë. Për këtë qëllim Kemali shndërrohet në një koleksionist maniak, duke mbledhur çdo gjësend që atij ia kujton Fyzunin. Vetëm gjatë vizitave në shtëpinë e prindërve të Fyzunit, pra gjatë tetë viteve, ai i merr me vete hiç më pak se 4213 bishta të cigareve, të cilët e dashura e tij i ka prekur me buzë, i ka prekur goja e bukur e Fyzunit. Nga kjo shtëpi Kemali do të vjedhë edhe qenë porcelani, të cilët qëndronin pranë televizorit, bileta kinemaje, shishe parfumi, vathë, zhetona telefoni, brekë etj. Mbi të gjitha Kemali në romanin e Orhan Pamukut është një figurë e gjallë, e ngjashme me Marselin nga libri "Në kërkim të kohës së humbur" (të Marcel Proust-it) dhe me Florentino Ariza, telegrafistin çmendurisht të dashuruar, nga romani "Dashuria në kohërat e kolerës" (të Gabriel Garcia Marquez).
"Të gjithë e dimë se fiqiri ynë në gjendje të dehur punon në dy rrafshe të ndryshme. Në njërin rrafsh më dukej se gjendem në një vend përtej kohës dhe hapësirës dhe unë e përqafoja Fyzunin. Në rrafshin e dytë ne ishim të mbledhur rreth një tavoline në Çukurxhuma dhe një zë i brendshëm më thoshte që nuk mund ta përqafoja Fyzunin pa u turpëruar keq."
Në vitin 1984 Fyzuni, më në fund, ndahet nga burri dhe dëshiron të bëhet gruaja e Kemalit, me të cilin fejohet. Si nëna e Fyzunit ashtu edhe nëna e Kemalit njëzëri thonë se prej vitesh e kanë ditur se cili do të jetë epilogu i kësaj lidhjeje të çuditshme, i këtij tuneli tetëvjeçar në pritje të dashurisë. Në rrugë për në Paris Fyzuni kalon një natë me Kemalin në hotel dhe të nesërmen përplaset me veturë ndaj një druri. Ajo vdes, bashkëudhëtari i saj Kemali - mbijeton. Këtu e tutje ai viziton 5723 herë muze të ndryshme në mbarë botën me qëllim që të inspirohet për hapjen e "Muzeut të pafajësisë", në të cilin do të lartësohet kujtimi për Fyzunin dhe për dashurinë ndaj saj. Në faqet e fundit të romanit Kemali tregon se rrëfimin e tij e ka shkruar Orhan Pamuku - me porosi. Vetë Pamuku tregon se ka marrë pjesë në fejesën e Kemalit me Sibelin në hotelin Hilton dhe, më atë rast, kishte vallëzuar me Fyzunin. Heroi i romanit, Kemali, vdes në Milano më 12 prill 2007, në ditëlindjen e 50-të të Fyzunit, në moshën 62-vjeçare në Grand Hotel et de Milan në Via Manzoni, ku kishte shkuar për të vizituar muzeun "Bagatti Valsecchi" ("1. Muzetë nuk janë për t'i shikuar, por për t'i ndier dhe për t'i përjetuar; 2. Shpirti i atij që ndjen pasqyrohet nga koleksioni; 3. Një muze pa koleksion është thjesht një godinë për ekspozim"). Një ndër fjalët e fundit të Kemalit, derisa puthte një fotografi të Fyzunit të bërë para 34 vitesh, ishin: "Çdokush le ta dijë se unë kam jetuar një jetë të lumtur."
"Fyzuni e vërejti se tashmë kishte marrë udhën e vdekjes dhe me shikimin e saj të fundit përgjërues ajo la për të kuptuar se në të vërtet nuk dëshironte të vdiste dhe me çdo fije mbahej për jete. Meqë edhe unë mendoja se do vdisja, arrita që të fejuarës sime jetëplotë dhe të bukur, dashurisë së jetës sime, vetëm t'i buzëqesh, me vetëdijen e lumtur se bashkë me të po niseshim drejt një bote tjetër."
Edhe pse Orhan Pamuku ngjarjen dhe dashurinë mes Kemalit dhe Fyzunit e prezanton si roman, pra si fiksion, në këtë vepër madhështore ka disa ngjashmëri me biografinë e shkrimtarit turk, i cili në vitin 2006 u shpërblye me çmimin Nobel për Letërsi. Në "Stambolli - Kujtime për një qytet" ai përshkruan një "vajzë me flokë të gjata, të shndritshme dhe ngjyrë gështenje, me sy të zinj" dhe "me buzë të kuqe si qershi". Pamuk nuk e tregon emrin e vërtetë të vajzës, por vetëm shkruan se në persisht ai do të thotë "Trëndafil i zi". Një ditë vajza i tregon atij se është me origjinë shqiptare dhe se këtë emër e kishte në kujtim të gjyshes së saj. Fyzuni i përngjan vajzës 17-vjeçare me prejardhje shqiptare, e cila, siç ka treguar vetë Pamuku, ka qenë dashnorja e tij e parë e cila i qëndronte model në atelie, para se prindërit e saj ta dërgonin në një internat në Zvicër, sepse frikësoheshin se ajo do martohej me një djalë të ri (me Orhan Pamukun), që merrej me pikturë - një zanat që, siç besonin ata, nuk ta siguron kafshatën e gojës. - Orhan Pamuku ka blerë në Stamboll një shtëpi dhe ashtu si figura e tij e romanit, sikur Kemali, dëshiron të hapë një muze të pafajësisë. Sipas autorit romani "Muzeu i pafajësisë" do të shërbejë si katalog për gjësendet e ekspozuara aty, të cilat i ka prekur Fyzuni. "Një roman nuk duhet të jetë i pikëllueshëm vetëm pse të tillë janë protagonistët e tij", është njëra nga porositë e Kemalit. Ai që e ka shkruar këtë roman, Orhan Pamuku, ka të drejtë! Mbetet, në fund, përgjigjja në pyetjen se cilit grup të dashnorëve i takoni: atyre që dashurohen me tërë qenien në një femër, pa hile dhe pa dashakeqësi, në emër të disa qëllimeve jo të përditshme apo i takoni grumbullit të hamshorëve me siklet mëzator? Nëse ndiqni shembullin e Kemalit nga "Muzeu i pafajësisë", i cili gati një dekadë vullnetarisht sakrifikohet për dashurinë e jetës së tij, atëherë përgjigjja tashmë është dhënë. Lexojeni këtë libër. Lexojeni!
(Për fat të keq tani për tani këtë roman mund ta lexojnë vetëm ata që dinë turqisht, gjermanisht ose serbisht. Nuk dihet kur do botohet në gjuhën shqipe. Në anglisht parashihet të publikohet në vjeshtë të këtij viti).