E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasioni Pasolini

Një ditë e gjitha për Pier Paolo Pasolinin në Tiranë. Poezi, teatër dhe foto nga "Ungjilli sipas Mateut", sjellë nga arkivi i kinoketës së Bolonjës, vendlindja e këtij artisti kontrovers. Bëhen 45 vjet nga realizimi i figurës së Krishtit të tij njerëzor


Sado modeste, është absolutisht hera e parë që artistit Pier Paolo Pasolini (1922-1975)
i kushtohet në Tiranë një ditë e tërë me aktivitete. Më 29 prill, Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare dhe Teatrin Kombëtar organizojnë disa aktivitete. Së pari, konferenca e paradites "Pier Paolo Pasolini, poeti i hirit" e prezantuar nga Roberto Chiesi, i kushtohet Pasolinit poet, gazetar, shkrimtar, piktor dhe regjisor. Chiesi është kritik kinemaje dhe përgjegjës i Qendrës së Studimeve - Arkiva "Pier Paolo Pasolini" në kinetekën e Bolonjës.


Është një rast për të rimarrë idetë e tij të shkrira në një vepër shumëdimensionale. Për t'u ndalur sidomos tek kinemaja dhe në veçanti tek filmi "Ungjilli sipas Mateut" prej të cilit janë nxjerrë imazhet e ekspozitës që paraqitet në Tiranë po atë ditë të konferencës. Ekspozita fotografike "Ungjilli sipas Pasolinit" hapet në Bibliotekën Kombëtare, në orën 11.00. E prezanton Angela Tromellini, përgjegjëse e Arkivit Fotografik të Kinetekës së Bolonjës.


E vështirë duhet të ketë qenë zgjedhja që ideatorët kanë bërë për takimin e parë të këtij lloji të artistit italian me publikun shqiptar. E vështirë të zgjedhësh ndër filmat e Pasolinit, që nga i pari "Accatone" (1961), "Mamma Roma", "Teorema", "Dekameroni", "Medea", "Edipi mbret"... e deri tek i fundit "Salo ose 120 ditët e Sodomës" (1975) sepse idetë e secilit prej tyre mund të mbajnë konferenca më vete. Por "Ungjilli sipas Mateut" që mbush këtë vit 45 vjeç, është padyshim një ndër më të veçantët.


Sepsenë e thotë vetë krijuesi i tij - ky "Ungjill..." është një lexim personal - i cili në vitin 1963 shkruan: "Sapo mbarova leximin e parë të Ungjillit sipas Mateut, menjëherë ndjeva nevojën për të "bërë diçka": një energji e tmerrshme, fizike thuajse, si me dorë. Ishte "shtimi i gjallërisë" për të cilin fliste Berensoni... Por, e përsëris, ky ishte aspekti i jashtëm, mrekullisht vizual, prej "rritjes së forcës jetësore". Thellë kishte diçka edhe më të dhunshme akoma, që më shkundte...Ishte figura Krishtit parë nga Mateu. Dhe këtu do të duhej të ndalem me fjalorin tim estetik-gazetaresk. Do të më duhet megjithatë të shtoj se asgjë nuk më duket më e kundërt me botën moderne se ajo figurë: e atij Krishti paqësor në zemër, por "kurrë" në mendje..."


"Ungjilli sipas Mateut" është xhiruar i gjithi në jug të Italisë dhe ka për protagonistë
Enrique Irazoqui në rolin e Jezusit, Margherita Caruso në rolin e Magdalenës, Susanna Pasolini, Marcello Morante, Paola Tedesco etj. Skenari është shkruar nga vetë Pasolini, kurse fotografia është e bashkëpunëtorit të tij të ngushtë Tonino Delli Colli. Ky film i vitit 1964 u nominua për Oscar, për elementët e muzikës, kostumet, skenografinë, të cilat u vlerësuan në festivalin e Venecies, ku filmi mori Çmimin Special të Jurisë.


Kritika do ta vlerësonte për atë këndvështrim pazolinian, larg ungjillëzimit kanonik dhe traditës kulturore. Një film ku "ungjilli sipas Mateut është shndërruar në dokumentar profetik autentik, që në mënyrë të qartë i referohet aktualitetit të kohës". Pasolini kërkonte të realizonte një figurë të Jezusit jo bir i perëndisë por njeri si të tjerët, i gatshëm të sakrifikohet për t'i sjellë njerëzimit mesazhin revolucionar.


Si tek "Medea" apo "Edipi mbret", edhe tek "Ungjilli sipas Mateut" Pier Paolo Pasolini i mëshon idesë së tij politike të "krijimit të një bote që ka humbur domethëniet" e mitit. Po atë kohë ai do të shenjohet nga kisha për fyerje që po i bënte asaj.
"Të gjithë fimat e mi i kam bërë si poet" shkruan ai. "Filmi është një lloj i poetikës reale sepse realitetin ai e shpreh me realitetin vetë dhe jo nëpërmjet kodeve të tjera semiotike, shenjave apo sistemeve."


Duke vazhduar me aktivitetet në Tiranë, më 29 prill në Teatrin Kombëtar një paraqitje të figurës së Pasolinit nëpërmjet një spektakli teatral të quajtur "Pasioni - Pazolini", e bën aktori dhe regjisori Antonio Piovanelli. Është një autobiografi me vargje të zgjedhura të Pier Paolo Pasolinit, e cila i jepet publikut në një formë shumë të koncentruar: vetëm dy karrige mbi një platformë dhe një sfond i zi. Trupi i aktorit, i gjithi në të bardhë liri pak i lodhur, hyn me ritual në vetminë e jetës së çdo dite, duke rrëfyer pasione politike dhe përpjekjen heroike të izolimit të përditshëm.


Poeti na shtyn të shohim dhe ndjejmë se Italia fshatare është transformuar, në një aglomerat borgjezësh të vegjël, ku poshtërsia është bërë normë.
Antonio Piovanelli është njohës i mirë i veprës poetike të Pasolinit. Ai ka punuar në kinema me regjisorë si vëllezërit Taviani, Bernardo Bertolucci, Marco Bellocchio, Giuliano Montaldo dhe Francesca Archibugi dhe në teatër, me Luchino Viscontin, Giorgio Stehler, Abel Ferrara, Angelo Savelli etj. Prej shumë vitesh ai paraqitet jashtë vendit si aktori-ambasador i poezisë latine dhe italiane, me poetë si Katuli, Virgjili, Dante, Alfieri, Pasolini, duke fituar admirimin e kritikës dhe të publikut.
Pasolini është maja e aktiviteteve që Instituti Italian i Kulturës organizon gjatë prillit. Nuk duhet harruar takimi tjetër i rëndësishëm, ai me Indro Montanellin, më 23 prill në Ditën Ndërkombëtare të Librit. Më 22 prill Montanelli, ky gazetar i rëndësishëm i shekullit të njëzetë, ka 100-vjetorin e lindjes. Lidhjet e tij me Shqipërinë edhe pse në dekadën e tij të parë si gazetar profesionist, do të jenë në qendër diskutimeve të kësaj figure që ngjall me të drejtë dëshirën për të diskutuar. Në Bibliotekën Kombëtare organizohet konferenca me të ftuar gazetarin dhe historianin Sandro Gerbi, autor i veprës kushtuar Montanellit. Po atë ditë bëhet prezantimi i ekspozitës "Montanelli në shtypin shqiptar" dhe prezantohet libri "Shqipëria një dhe njëmijë" reportazhet e udhëtimit nëpër Shqipëri të cilat i botoi nën këtë titull më 1939.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›