E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbërrin në Tiranë delegacioni shqiptar

TIRANË-Entuziasëm në Rinas, kur ka mbërritur delegacioni shqiptar nga Strazburgu. Lule, flamuj e tullumbace kanë shoqëruar këtë ceremoni, ku përpos personaliteteve si deputetët e ministra, për t'i pritur kishin dalë edhe një grup nxënësish nga shkollat e kryeqytetit. Në fillim nga çarteri doli presidenti i Republikës Bamir Topi dhe zonja e tij e parë, Teuta, më pas delegacioni vazhdoi me kryeministrin Berisha, zonëjn e tij, kryetaren e parlamentit Jozefina Topalli, ministrat Oketa dhe Basha si dhe kryetarët e grupeve parlamentare.

Presidenti i Republikes Bamir Topi dhe kryeministri Berisha pershendeten te pranishmit dhe popullin shqiptar per anetaresimin ne NATO, duke e konsideruar ate nje fitore historike te te gjithe shqiptareve. "Falënderoj shqiptarët, institucionet shtetërore, forcat tona të armatosura si dhe vendet aleate në Aleancën e Atlantikut Verior", ka theksuar Topi në fjalën e tij përshëndetëse, sapo shkeli në vendlindje.

Ndërsa kryeministri Berisha deklaroi nga aeroporti se anetaresimi ne NATO ishte shperblimi i mundit dhe punes se te gjithe shqiptareve dhe frut i reformave te qeverise, luftes kunder krimit dhe korrupsionit. "Delegacioni shqiptar u ul për herë të parë në histori me udhëheqësit e vendeve më të lira si vend me të drejta të plota në NATO", është shprehur Kryeministri Berisha.

Axhenda e Kryeministrit parashikon aktivitete të tjera, ku parashikohet një bllokim i plotë i bulevardit "Dëshmorët e Kombit nga qarkullimi i makinave, sepse Berisha që nga sheshi "Nënë Tereza" e deri te sheshi "Skënderbej, do e bëjë në këmbë, me dy ndalesa të shkurtra. Berisha do ta fillojë aktivitetin zyrtar në 18.15 minuta për ta përmbyllur atë rreth orës 19.20 minuta. Ndërkohë qe mesohet se ai nuk do te jete bashke me kreun e shtetit, Topi ne kete parade.

Shqipëria dhe Kroacia janë dy vendet më të reja të Aleancës së Atlantikut të Veriut


TIRANË- Shqipëria është anëtare me të drejta të plota në NATO. Ëndrra e shqiptarëve për të qenë krahas vendeve më të zhvilluara politiko-ushtarake, u realizua. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, ka përmbyllur dje në Strasburg fundin e një procesi të gjatë përpjekjesh dhe sakrificash për Shqipërinë dhe Kroacinë, duke u dorëzuar udhëheqësve të vendeve respektive nga një kopje të aktit e Traktaktit të Washigtonit, simbol i pranimit të tyre si vende me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut, krahas 26 vendeve të tjera.


Anëtarësimi
"Mirë se erdhët në NATO! Ne jemi shumë të entuziazmuar për pjesëmarrjen tuaj në Aleancën e Atlantikut të Veriut". Me këto fjalë i është drejtuar shefi i Shtëpisë së Bardhë, Barack Obama, Shqipërisë dhe Kroacisë, teksa u ka dorëzuar dy presidentëve, Bamir Topi dhe Stipe Mesiç, (përmes një ceremonie ku merrnin pjesë dhe dy kryeministrat e dy vendeve, Sali Berisha dhe Ivo Sanader), kartën e Atlantikut të Veriut, si shenjë e pranimit të tyre, tashmë edhe formalisht, në aleancën më të madhe politiko-ushtarake në botë. Duke uruar liderët e dy anëtareve të reja të kësaj organizate, kreu i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka deklaruar se ky është kurorëzimi i kontributit që kanë dhënë këto dy vende, në krah të përpjekjeve që bën kjo aleancë në frontet e saj, në luftë kundër terrorizimit, siç është rasti i Afganistanit. Ai ka garantuar, në të njëjtën kohë, mbështetjen e kësaj aleance në sfidat e tjera, që i presin dy aleatet e reja.


Samiti
Para se të vinte ky moment, anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë e ka përshëndetur edhe sekretari aktual i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, i cili duke hapur punimet e ditës së dytë të samitit, ka deklaruar se zgjerimi i kësaj aleance edhe me dy vende të tjera, është i merituar prej tyre. "Ju e meritoni ardhjen në gjirin e aleancës dhe ne ju mirëpresim",- u shpreh ai. Menjëherë pas tij, punimet janë përshëndetur edhe nga dy mikpritësit e këtij Samiti, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe Presidenti francez, Nikolas Sarkozy, të cilët më shumë janë përqendruar tek sfidat që e presin këtë aleancë, sidomos për sofistikimin e rolit të saj në Afganistan. "Ne jemi në një familje dhe jemi aleatë e miq që mbështeten tek njëri-tjetri",- ka vijuar Sarkozi. Franca është rikthyer në Aleancë që pas daljes së saj në presidencën e Sharl de Golit. Ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka quajtur takimin si historik, duke vlerësuar në të njëjtën kohë gatishmërinë e shprehur nga pala franceze për bashkëpunim, në kuadër të kësaj organizate. Pas fjalës së tyre, për shkak edhe të vonesave, samiti i vijoi punimet më dyer të mbyllura, për ta përmbyllur me dy anëtarë të rinj dhe me një sekretar të përgjithshëm po të ri, Kryeministrin aktual të Danimarkës Rasmussen, i cili pritet të marrë detyrën në muajin gusht, kur dhe skadon mandati i sekretarit aktual, Jap de Hop Shefer.


Kryeministri Berisha flet për pjesëmarrjen në Samit, dhe rëndësinë që ka anëtarësimi për shqiptarët


Berisha: Më takon mua të marr pjesë në punimet e NATO-s

TIRANË- Nëse Partia Demokratike do të fitojë një mandat të dytë qeverisës, atëherë vendi ynë në NATO nuk do të përfaqësohet më nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, por Kryeministri, Sali Berisha. Në konferencën për shtyp të zhvilluar vetëm nga Berisha, dhe asnjë anëtar tjetër delegacioni, përfshirë këtu edhe Kryetarin, Bamir Topi, kreu i ekzekutivit ka deklaruar se në evenimente të tilla, merren vendime ekzekutive. I pyetur pikërisht për këtë çështje, a kishte shkelje protokolli, që ishin të dy të pranishëm dhe, a do të vinte sërish ai, në rast se do të fitonte një mandat të dytë si Kryeministër i vendit, Berisha u përgjigj: "Në Shqipëri pushteti ekzekutiv është i Kryeministrit dhe për koincidencë është i nevojshëm të përfaqësojë vendin aty ku diskutohet për vendime ekzekutive. Dhe kjo është arsyeja që vij këtu. Ke mbi 4/5 kryeministra dhe një pakicë, e cila nuk ka asnjë të keqe. Nuk ishim vetëm ne këtu President dhe Kryeministër, ishin dhe çekët, ishin dhe kroatët. Pra, absolutisht nuk është një thyerje protokolli. Për këto vende, të cilat e kanë krijuar këtë praktikë, përfaqësohen nga kryeministrat. Kjo është e vërteta, siç është edhe rasti i Italisë, i Greqisë, i Gjermanisë, e shumë të tjera. Vendet që akoma nuk e kanë konsoliduar këtë koncept, vazhdojnë në këtë mënyrë, por kjo nuk është thyerje protokolli".

Shqipëria në NATO, hapet epokë e re
Në konferencën e djeshme për shtyp, pas përfundimit të punimeve të Samitit, Kryeministri, Sali Berisha, ka deklaruar se NATO-ja është magneti i madh, që arriti t'i bashkojë kombet me liritë dhe me vlerat. "Për çdo komb, anëtarësimi në NATO është një ngjarje e jashtëzakonshme, për ata që kanë vuajtur sa shqiptarët, është ngjarja më e jashtëzakonshme se për të gjithë të tjerët",- tha ai. Kryeministri shtoi se, me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, mbyllet një kapitull shekullor pasigurish për vendin dhe kombin dhe hapet një epokë e re, "në të cilën shqiptarët do të ndërtojnë të ardhmen e tyre në liri të plotë". "Një komb që për shekuj ia ka dalë vetëm të mbijetojë, tani do të ndërtojë të ardhmen e tij i sigurt. Tani shqiptarët nuk do ecin më të vetmuar, por do ecin së bashku me kombet më të lira, më të mëdha dhe më të lira të planetit",- shtoi ai. Berisha theksoi se një mirënjohje e thellë u takon të gjithë atyre në Shqipëri, të cilët bënë të mundur këtë ditë, me reformat e thella që u ndërmorën. "Kjo mirënjohje i takon administratës, institucioneve dhe në mënyrë të veçantë Forcave të Armatosura, të cilët me misionet e tyre paqeruajtëse në Afganistan, në Irak, në Çad, në Bosnje- Hercegovinë dhe kudo, në mënyrë të padiskutueshme, kanë luajtur një rol cilësor në këtë proces",- tha ai, duke shtuar se shqiptaret u bënë dëshmitarë të një akti madhor të historisë.


Presidenti i Republikës flet pas Samitit. Apeli i tij: Zgjedhjet e qershorit, të jenë të lira


Topi: Do dyfishojmë trupat në Afganistan


TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka rikonfirmuar dje, gjatë fjalës së mbajtur në punimet e Samitit të NATO-s, se Shqipëria është e vendosur të përballet dhe të fitojë sfidat e brendshme politike, ekonomike dhe ushtarake. Menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Atlantikut te Veriut, ku Presidenti Topi mori edhe dokumentin zyrtar të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ai i është përgjigjur interesimit të mediave shqiptare të akredituara në Strasburg.


Z. President, a mund të na thoni se cila është çështja e parë, në të cilën Shqipëria është përfshirë në diskutime, në debate, si anëtare e Aleancës sot?
Çështja kryesore që ka dominuar tryezën, ka qenë çështja e Afganistanit, një çështje ku të gjithë solidarizohen në përpjekjet për të stabilizuar situatën në Afganistan, për të vendosur atje një rregull, i cili nuk ka të bëjë thjesht me rregullin e Afganistanit dhe të rajonit rreth tij, por me domosdoshmërinë për një rregull botëror, në mënyrë që nga vende të tilla të mos eksportohen gjëra, apo elementë që destabilizojnë botën. Të gjithë janë të sinkronizuar në përpjekjet, të cilat janë jo thjesht vullnete politike, por janë edhe vullnete të shprehura nëpërmjet përpjekjeve direkte. Ne u angazhuam që përveç trupave që sot kemi aktualisht në Afganistan, të dyfishojmë numrin e trupave dhe padyshim kjo është pritur me shumë respekt për Shqipërinë dhe me entuziazëm.
Vendimi që është marrë nga Aleanca është emërimi i Sekretarit të ri të Përgjithshëm të NATO-s, por edhe Shqipëria ka thënë sot fjalën e saj si anëtare. A kishte ndonjë dyshim për këtë kandidaturë, apo kishte konsensusin e Shqipërisë menjëherë?
Unë mendoj që janë disa gjëra që i takojnë pa diskutim konfidencialitetit të tryezës, por mund t'ju them që kandidatura e zotit Rasmusen, aktualisht Kryeministër i Danimarkës, u mbështet me një konsensus mjaft të gjerë. Pati disa rezerva të vogla, të cilat u tejkaluan dhe sot, sigurisht që u deklarua dhe zyrtarisht, zoti Rasmusen është nominuar. Natyrisht që janë çështje të procedurave të afatit, të cilin ka zoti Shefer, deri në përfundim të mandatit të tij.


Zoti Topi, keni pasur një takim dhe me Presidentin Obama. Çfarë keni thënë?
Presidenti Obama shprehu edhe një herë kënaqësinë e veçantë për futjen e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO. Inkurajoi për vazhdimin e reformave në Shqipëri. Kemi diskutuar edhe për mundësinë e takimeve dhe shpresoj edhe për një vizitë. Unë e kam ftuar zotin Obama. Natyrisht që agjenda e tij është shumë e ngjeshur. Unë kam shprehur kënaqësinë time duke e ftuar, tani natyrisht ne do të vazhdojmë të mbajmë kanalet e komunikimit.


Do t'i bëjmë zgjedhjet të pakontestueshme, angazhimi më i parë dhe i brendshëm?
Së pari, ky angazhim duhet të merret nga të gjitha forcat politike. Apeli i Presidentit ka qenë dhe vazhdon të jetë që, këto zgjedhje, detyrimisht duhet të jenë të lira dhe të ndershme, demokratike, transparente dhe të mos kontestohen, sepse ky është guri i madh i provës, menjëherë pas anëtarësimit në Aleancë. Të anëtarësohesh në Aleancë, sikurse thashë, janë detyrime shumë të forta, që në radhë të parë vijnë për klasën politike, për institucionet dhe unë kam besim, kam besim që zgjedhjet e qershorit do të jenë të lira. Bëj dhe një herë apelin që njerëzit të pajisen me kartat e identitetit, për ta ndjerë veten anëtarë të një Aleance të madhe, pra të një bote të zhvilluar me institucione demokratike dhe, nga ana tjetër, të marrin pjesë në votime. Çështja e vullnetit politik pastaj, është një çështje shumë konfidenciale e gjithsecilit, që shprehet në dhomën e fshehtë të votimit.


Edhe një moment tjetër. Ju personalisht jeni treguar shumë i kujdesshëm që anëtarësimin në NATO t'ia njihni angazhimit të të gjithëve. Pse nuk pamë sot një deklarimin tuaj publik, as me Kryeministrin, as me krerët e grupeve parlamentare të përbashkët?
Çështja e aksesit për konferencë shtypi, është çështje e institucioneve. Unë gjithnjë kam folur dhe do të vazhdoj të flas nga pozicioni i Presidentit, një institucion që i takon të gjithëve. Nuk ka shumë rëndësi vendi ku jepet një intervistë. E rëndësishme është që të japësh një mesazh. Fluksi i interesit për të dhënë intervista ka qenë shumë i madh, kështu që për të gëzuar të gjitha kërkesat e gazetarëve, sikurse dhe ju vetë e provuat, unë kam qenë i gatshëm dhe do të vazhdoj të jem i gatshëm, me intensitet të plotë për t'iu përgjigjur medias, e cila jo sot, që po ndjek këtë eveniment, ka qenë shumë konsensuale. Ka pasur një konsensus të gjerë jo thjesht në terrenin politik, jo vetëm në atë shoqëror, por edhe nga mediat, nga publiku dhe jo rastësisht, 96% e shqiptarëve kanë mbështetur
hyrjen në NATO.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›