E Diel, 1 Nëntor 2026

Woyzeck

Tre aktorë nga Gjermania, Franca dhe Italia, si dhe pesë studentë të Akademisë së Arteve në Tiranë, marrin pjesë në këtë projekt teatror, në drejtimin e regjisorit Stefan Neugebauer. Në skenën e AA-së, në datën 27 maj ata do të ngjisin premierë dramën “Woyzeck”, shkruar nga Georg Büchner, të cilën regjisori ka vendosur ta zhvendosë në kohë, duke e sjellë në Shqipërinë e ditëve tona Një dramë europiane e kohëve tona

Një shfaqje krejtësisht e veçantë do të ngjitet në skenën e Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë. Bëhet fjalë për një projekt i cili përfshin studentë shqiptarë e të huaj. Regjisori gjerman, Stefan Neugebauer, do të sjellë premierë dramën “Woyzeck”, të autorit gjerman Georg Büchner. Edhe pse në origjinal, ngjarja zhvillohet në Gjermaninë e shekullit XIX. Neugebauer ka zgjedhur ta sjellë atë në Shqipërinë e ditëve tona. Por ka edhe një detaj tjetër që e bën interesante këtë shfaqje. Aty do të flitet jo vetëm në shqip, por edhe në gjermanisht, frëngjisht e italisht, një lloj dialogimi i cili edhe pse në një kuptim duket i pamundur për shkak të moskuptimit të personazheve me njëri-tjetrin, sërish zgjedhja regjisoriale i ka bërë jo vetëm të kuptohen, por edhe të japin mesazhin e qartë se Shqipëria është pjesë e familjes europiane, me gjithë keqkuptimet, imazhet negative, sjelljet jo të hijshme që shpesh janë edhe të imponuara prej rrethanave. Për publikun në sallë, dialogu i personazheve në skenë do të përkthehet përmes titrave. Regjisori gjerman shpjegon arsyet se përse e zgjodhi këtë vepër dhe cilat janë mesazhet që “Woyzeck”-u shqiptar (projekt teatror me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë) do të sjellë për publikun.

Z. Neugebauer, ju do të ngjisni në skenë “Woyzeck”, një vepër që i përket shekullit XIX dhe që e keni përshtatur për Shqipërinë e ditëve tona. Keni zgjedhur në të njëjtën kohë që në këtë shfaqje, veç shqipes, personazhet të flasin në gjuhë të huaja. Përse kjo zgjedhje?

Mua më duhej një staf me artistë ndërkombëtarë, sepse e gjithë pjesa ndërtohet në një kamp ushtarak dhe ideja ishte që të bënim një bashkëpunim mes ambasadave të huaja në Shqipëri dhe Akademisë së Arteve në Tiranë, për këtë arsye unë u përpoqa që të gjeja një pjesë e cila të kishte kuptim për sa i përket kombinimit të gjuhëve. Bëhet fjalë për një pjesë të një autori gjerman, e cila është shkruar rreth fundit të ‘800-ës. Këtë vepër unë e kam sjellë në kohët e sotme dhe ngjarjet zhvillohen në Shqipëri, duke qenë se është edhe vendi pritës. Ky kamp, të cilin e kam ngritur në Shqipëri, drejtohet prej një kapiteni italian, kështu që të gjithë pjesëtarët e tjerë të këtij kampi janë të detyruar të flasin italisht, sepse ai nuk flet shqip. Aty është edhe një doktor ushtarak, i cili është i angazhuar edhe në disa eksperimente. Doktori është francez. Personazhi i tretë i huaj është një major gjerman. Ai vjen për herë të parë në Shqipëri dhe detyra e tij është të kontrollojë këtë kamp ushtarak, nëse gjithçka shkon në rregull aty apo jo. Ai vjen e u drejtohet të gjithëve në gjermanisht, por askush nuk e kupton, ndaj përpiqet të flasë me gjuhët e pjesëtarëve të tjerë, derisa gjen një mënyrë për të komunikuar me ta. Por në kamp është edhe Woytzeck, personazhi kryesor i kësaj pjese. Ai është një djalë i ri shqiptar. Shqiptare është edhe e dashura e tij, Maria, miku i tij i ngushtë, si dhe një vajzë tjetër e cila është prostitutë. Në këtë pjesë kemi tre europianë, të cilët duke qenë njerëz të pushtetshëm, sillen në mënyrë jokorrekte me Woyzeck-un.

Në vija të përgjithshme, cili është subjekti i kësaj vepre?

Historia është shumë e thjeshtë. Woyzeck ka një të dashur, Marian, që është shumë e bukur. Majori gjerman vjen nga jashtë dhe e dashura e Woyzeck-ut bie në dashuri me këtë major, sepse është shumë interesant, i bukur dhe i ofron asaj më shumë se sa i dashuri i saj shqiptar. Ata kanë edhe një marrëdhënie seksuale, të cilën pasi e zbulon, Woyzeck-u kalon në krizë. Për këtë arsye, ai e vret të dashurën e tij.

çfarë kërkoni t’i komunikoni publikut përmes kësaj shfaqjeje, cilat janë mesazhet e saj?

Një nga mesazhet që dua të jap është se si pushteti e ndryshon karakterin e një njeriu. Në vend që karakteri i një njeriu të ndryshojë vendin ku drejton, shpesh herë ndodh e kundërta, që posti e ndryshon atë. Në këtë pjesë është parë edhe mënyra se si europianët i shikojnë shqiptarët dhe Shqipërinë. Jo rrallë herë ata e konsiderojnë veten si më të fuqishëm dhe shqiptarët si të vegjël përpara tyre, gjë të cilën e kanë shfaqur ndonjëherë edhe me një lloj arrogance. Në krahun tjetër është edhe dashura e Woyzeck-ut që e tradhton atë, sikundër është edhe një vajzë tjetër në kamp që është prostitutë, gjithashtu kemi edhe një muzikant të ri shqiptar, i cili dëshiron të shkojë në Amerikë. Pra nuk tregojmë vetëm europianët me sjellje të pahijshme, por edhe shqiptarët që kanë komplekse me veten e tyre. Veç tyre kemi edhe një njeri shumë të mirë, i cili është miku i Woyzeck-ut. Ai është i vetmi karakter ndryshe në këtë pjesë, që do ta ndihmojë mikun e tij, edhe pse e ka të pamundur, sepse është i vetëm. Pra ka shumë histori që ndërthuren brenda, si historia e miqësisë, apo ajo e dashurisë dhe e xhelozisë. Por mesazhi më interesant që duam të nxjerrim prej këtij projekti ka të bëjë me bashkëpunimin e studentëve, që janë ende në shkollë me profesionistët që vijnë prej vendeve të tjera. Kemi krijuar një staf mes profesionistëve dhe studentëve, ku këta të fundit përfitojnë prej eksperiencës së tyre, ndërsa profesionistët kanë mundësi të njihen me një përvojë të re.

Si do të jetë e ndërtuar skenografia, cilët janë elementët që janë nxjerrë në pah, detaje që të tregojnë se në fakt ngjarja është ambientuar në Shqipëri?

Skenografia është pothuajse bosh. Ne kemi vetëm një bar në fund të skenës dhe pas asaj kemi vetëm një bunker. çdo europian që vjen në Shqipëri është pothuajse i impresionuar prej bunkerëve. Ky është edhe “apartamenti” i Woyzeck-ut dhe Maries, është gjithashtu edhe simbol ushtarak, lufte, por është në njëfarë mënyre edhe një lloj simboli prej Shqipërisë. Bunkeri nuk është pjesë e rëndësishme e skenografisë, por aktorët shkojnë atje, në një kohë që publiku nuk shikon se çfarë ndodh. Për shembull, Maria bashkë me majorin futen atje, dhe publiku nuk e di se çfarë po bëjnë ata, por është fantazia ajo që punon, duke i bërë të mendojnë se po kryhet marrëdhënie seksuale, akti i tradhtisë së Maries.

Duke qenë se flitet për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Europës, përse keni zgjedhur që shqiptarët të shfaqen në një farë mënyre negativë: kemi një vrasës, një tradhtare, një prostitutë...?

Jo, nuk e mendoj kështu. Woyzeck bëhet vrasës sepse të gjithë e trajtojnë si kafshë dhe asnjë nuk përpiqet ta kuptojë. Ai duhet të vrasë majorin, por nuk ka forcë ta bëjë këtë, ndaj edhe vret të dashurën e tij. Nuk mund të them se ai është më i keqi, mund të jetë edhe më i miri prej personazheve, por thjesht për shkak të rrethanave ai nuk ka mundësi ta shfaqë këtë.

Për ju kjo nuk është hera e parë që vini në Shqipëri. Si ju duken të tilla bashkëpunime mes studentëve dhe profesionistëve në fushën e artit?

Ideja jonë ishte që studentët të mësojnë diçka, duke interpretuar në skenë së bashku me profesionistët. Ne mendojnë se studentët do të mësojnë më shumë kështu, krah aktorëve që kanë disa vite në skenë dhe që sjellin edhe një përvojë ndryshe prej vendit nga vijnë.

A keni projekte të tjera artistike në Shqipëri?

Po, sigurisht që kam, por mendoj se është ende herët për të folur mbi to.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›