"Një letër përgëzuese për JO-në e Prishtinës
Përgëzojmë liderët e Kosovës për qëndrimin e vendosur kundër planeve të Beogradit dhe të Moskës nën emra e maska të çfarëdolloji qofshin. Treguan se 17 shkurti 2008 shënon një epokë të re për Kosovën e popullin e saj! Epokën kur, për fatet e të ardhmen e Kosovës, vendoset, pikësëpari në Prishtinë e nga përfaqësusit e ligjshëm e të zgjedhur demokratikisht nga populli i saj!
Serbia e ka humbur njëherë e përgjithmonë çdo të drejtë për të marrë vendime e vendosur për Kosovën. Ka vdekur njëherë e përgjithmonë koha e kolonializmit dhe neo- kolonializmit serb në Kosovë.
Kosova ka qenë e pushtuar, e masakruar, e robëruar e terrorizuar me kryq, me shpatë, me zjarrin e me hekurin emakinës serbe të luftës dhe me mitet e me veladonet e popeve të Beogradit, pa pyetur e duke gjakosur popullin e saj.
Siç thanë “Po” për shumë çështje. e bile edhe lëshime të dhimbshme për popullin e Kosovës, për hir të aleatëve tanë strategjikë, SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, për hir të NATO-s dhe kontributit të saj të shenjtë për lirinë e Kosovës, liderët e përfaqësuesit e Kosovës, dinë të thonë edhe jo, bile, JO të madhe, kur rrezikohet sovraniteti e pavarësia e arritur me aq mund e sakrifica pa fund kurrë.
*Ahmet Zherka, Eralda Tushe, Hysni Syla, Prof. Dr. Skënder Kodra(vijojnë 94 emra lexuesish)