Kosova po ndahet, Tirana të marrë përgjegjësi
Ne, përfaqësuesit e Rrjetit të Organizatave Shqiptare, me anën e kësaj deklarate i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare që të kundërshtojë fuqimisht planin gjashtëpikësh të propozuar nga Ban Ki Mun.
Ky plan përbën një shkelje të rëndë të pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe kërcënon rëndë interesat e shqiptarëve në rajon. Plani, gjithashtu, çon drejt ndarjes së Kosovës, duke krijuar dy precedentë të rrezikshëm. I hap rrugën krijimit të shteteve të pastra etnike dhe shkel mendimin e komitetit të arbitrimit të Badinterit, që rekomandon që, shtetet e dala prej Jugosllavisë, duhet të kenë kufijtë që kanë pasur kur kanë qenë entitete të veçanta brenda Jugosllavisë.
Ne dënojmë ashpër heshtjen e gjatë të Ministrisë së Jashtme shqiptare dhe kërkojmë që qeveria shqiptare të marrë përsipër përgjegjësinë historike dhe kushtetutese që dikton momenti. Kujtojmë sot, në dhjetëvjetorin e kushtetutës shqiptare që, në hyrjen e saj është paraqitur qartë detyra dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar për të punuar për prosperitetin e gjithë kombit dhe për realizimin e aspiratës shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar.
Prandaj, qeverisë shqiptare i takon ta bëjë të qartë që nëse komuniteti ndërkombëtar çon në ndarje të Kosovës, të njëjtat standarde e parime që do të çonin në shkëputjen e veriut të Kosovës, duhet të përdoren edhe për Republikën e Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbinë e Jugut, për të mundësuar bashkimin kombëtar shqiptar, i cili është detyrë kushtetutese e çdo qeverie në fuqi, në Republikën e Shqipërisë.
Ne ua drejtojmë këtë thirrje gjithashtu partive politike, shoqërisë civile dhe mbarë opinionit publik që të mobilizohet dhe të bëjë presion ndaj qeverisë shqiptare që të deklarohet qartë për këtë çështje.
Gjithashtu i bëjmë thirrje medias që t'i kushtojë vëmendjen e nevojshme kësaj situate kritike dhe të informojë publikun për domethënien historike të këtij momenti.
Letër e nënshkruar:
Rrjeti i Organizatave Shqiptare (Klubi Kombëtar Shqiptar, Shoqata Çamëria, Lëvizja Vetëvendosje, Instituti Liberal Shqiptar, Cohu, Mjaft, Ora, Asan, Inpo, KDNJ, etj.)