Ëndrra e Daçiqit për shkëmbim territoresh s’mund të realizohet
Deklarata e Daçiqit se Prishtina dhe Beogradi lehtësisht mund të pajtoheshin për shkëmbim territoresh, por se këtë nuk e lejon Uashingtoni nga frika e luftës së mundshme në Maqedoni, nga analistët politik komentohet si orvatje për të bërë presion dhe e njëjta është e parealizueshme dhe me pasoja
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se Prishtina dhe Beogradi me lehtësi do të mund të pajtoheshin për këmbim territoresh, që do të thoshte këmbimin e veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës, e cila është e banuar kryesisht me shqiptarë, mirëpo tërthorazi ka pranuar se me këtë nuk pajtohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian nga droja se mund të shkaktohet luftë e re në Maqedoni. “Unë vërtet mendoj se serbët dhe shqiptarët me lehtësi do të merreshin vesh për shkëmbim territoresh. Por, një gjë e tillë nuk do të ishte e pranueshme për Uashingtonin. Atje përfaqësohet pikëpamja se një gjë e tillë mund të shkaktojë luftë në Maqedoni”, ka deklaruar Daçiq në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung. Mirëpo, analistë politik në Maqedoni theksojnë se politikanët serb tanimë disa vite e ofrojnë shkëmbimin e territoreve si opsion, me shpresë që të shpëtojnë çfarë të munden, edhe pse e dinë se në Perëndim nuk ekziston as disponimi më i vogël për një gjë të tillë. “Në shekullin XXI nuk është e mundur të ketë shkëmbim territoresh dhe njerëzish dhe kjo të bëhet përmes së drejtës ndërkombëtare. E drejta ndërkombëtare nuk lejon diçka të tillë. Pa marrë parasysh se çfarë merren vesh politikanët, më të rëndësishme janë përsëri interesat e qytetarëve, të cilët më së shumti do të pësonin nga një shkëmbim eventual i territoreve”, eksperti i çështjeve të sigurisë Stevo Pendarovski. Nëse do të fillonte një gjë e tillë, atëherë kjo s’do të ndalej në një vend, por do të vazhdonte në vendet e tjera, ku diku me arsyetimin se përmirësohen padrejtësitë e historisë e ku me arsyetime të tjera, nuk do të kishte të ndalur. “Për Maqedoninë nuk paraqesin rrezik deklaratat e një politikani derisa janë vetëm deklarata, por ata mund të bëhen të rrezikshme nëse dikush ndërmerr masa dhe aktivitete për të realizuar një gjë të tillë. Deklaratat si kjo e Daçiqit janë më shumë për përdorim të brendshëm dhe për rejting personal të politikanit që i bën ato”, thotë Pendarovski. Analisti Rizvan Sulejmani vlerëson se deklarata e tanishme por edhe ato më të hershme të Daçiqit rreth shkëmbimit të territoreve mes shqiptarëve dhe serbeve, janë në funksion të presionit që të krijohet përshtypja se edhe shqiptarët janë për shkëmbim të territoreve. Megjithatë, thekson ai, pala kosovare iu kundërpërgjigj duke e mbajtur problemin shqiptaro-serb në nivel bilateral dhe jo multilateral, siç pretendote Daçiqi edhe më herët. “Kjo ide ishte edhe në përbërjen e kaluar qeveritare serbe, ku gjithashtu bënte pjesë edhe Daçiqi, që përmblidhej në atë thënien për marrëveshje historike shqiptaro serbe që të zgjidhen problemet historike 100 vjeçare kosovaro-serbe, që edhe në aspektin kualitativ dhe kuantitativ ka dallime. Në atë kohë opsioni serb problemin shqiptaro-serb e bënte multilateral, domethënë njëherë e përgjithmonë të zgjidhen zonat e interesit shqiptaro serb në Ballkan, sepse aty nuk ballafaqohen interesat vetëm në Kosovë, por edhe në Serbi, Mal të Zi dhe Maqedoni, kurse shqiptarët u përcaktuan për opsionin kosovaro-serb duke i ikur elementeve të efektit domino që mund të paraqitet në shumë vende dhe mund të komplikojë zgjidhjen e problemit shqiptar. Pra, si duket ky opsion donë të reduktohet, të mbetet në binarët bilaterale serbo-kosovare, duke tentuar që të mos ketë efekt domino veçanërisht në Maqedoni, sepse problemi do hapte çështje më të gjëra”, vlerëson Sulejmani. Mendoj se serbët edhe më tutje përmes paraqitjeve publike do të tentojnë të bëjnë presion në opinionin publik shqiptar, duke luajtur në kartën se opinioni publik shqiptar është pro një zgjidhje të këtillë përfundimtare të çështjes shqiptare, thekson ai. “Mendoj se deklaratat janë në funksion të presionit publik mbi shqiptarët dhe udhëheqësinë kosovare, kur kemi parasysh se tash kemi një parti politike në Kosovë, por edhe në Shqipëri, edhe pse nuk kanë ato fuqi shumë të madhe të mbështetjes që të promovojnë idenë e bashkimit kombëtar. Mendoj se këtu është loja që dëshiron ta luaj Daçiqi, të bëj presion, që eventualisht të futet opsioni i dytë, ai i këmbimit të territoreve... Mendoj se shqiptarët kontestin edhe më tutje do të mundohen ta mbajnë në nivel bilateral, po pritet të shohim”, thotë analisti politik Rizvan Sulejmani.